Ekonomi

'Tsunami i digave': Shkencëtarët dhe biznesi të alarmuar

Shkencëtarët e huaj ngrenë alarmin për atë që e quajnë “tsunami i digave” në Ballkan, e që sipas tyre, rrezikon zhdukjen e lumenjve dhe humbje të biodiversitetit.

Studimi i realizuar nga Fluvius, një agjenci konsulence për projekte të mbështetura nga OKB dhe BE ndalet kryesisht te lumi i Vjosës në Shqipëri.



Ai cilësohet si një parajsë dinamike për speciet ujore që janë zhdukur rreth Europës, e që tani po rrezikohen edhe atje për shkak të digave. Studimi i publikuar nga britanikja “The Guardian” përmend një lloj të veçante peshku, “Isoperla vjosa”-n, i zbuluar gjatë një ekspedite të 25 shkencëtarëve në Vjosë.

Ashtu si salmoni i Danubit dhe trofta e Prespës edhe kjo specie është në rrezik nga projekte hidroenergjetike, siç thotë Ulrich Eichelmann, drejtor i organizatës RiverWatch. I intervistuar nga “The Guardian”, ministri shqiptar i Energjisë, Damian Gjiknuri pohon se dy mega hidrocentrale në Vjosë do të lejojnë kalimin e peshqve përmes “bypass”-et.

Ai kundërshton zbulimet e raportit duke thënë se në Shqipëri po ndërtoheshin vetëm dy diga të larta. Ndërtimet e hidrocentraleve janë shtuar me 300 përqind rreth Ballkanit Perëndimor sipas studimit. 2800 diga të reja janë projektuar në një zonë që shtrihet nga Sllovenia në Greqi, 37 përqind të të cilave do të ndërtohen në zona të mbrojtura si parqe natyrore.

Shqipëria konsiderohet si pika më e nxehte me 81 diga në ndërtim e sipër. Përveç jetës ujore, bumi i digave mund të kërcënojë edhe njerëzit.

Që prej 2012 konliktët e pronave mes kompanive të mëdha energjetike dhe fermerëve të vegjël kanë çuar në vrasje sipas një studimi të financuar nga BE. Aty citohen 3 raste vdekjesh dhe dhjetëra arrestime lidhur me valën e projekteve hidroenergjetike në Shqipëri.

Ndërkohë Konfederata e Industrive Shqiptare deklaroi të hënën se bizneset i konsiderojnë të papranueshme planet energjetike të HEC-eve në rrjedhën kryesore dhe anësore të lumit Vjosë dhe HEC-in e Kalivaçit.

Përmes një letre zyrtare dërguar kryeministrit Edi Rama, Konfindustria kërkoi një moratorium të HEC-eve në Vjosë, në mënyrë që të kryhen studime të reja gjithëpërfshirëse për vlefshmërinë ekonomike dhe mjedisore të hidrocentraleve nga aspekti i interesit publik afatgjatë.

“Është e papranueshme që veprat energjetike në lumin Vjosë të kryhen me studime ekonomike të vjetra 10 apo 20-vjeçare,” tha në deklaratën për shtyp të hënën, Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë.

Bizneset gjithashtu bënë thirrje të merren parasysh faktorë të ndryshëm si kriza globale, zhvillimet e reja në rrjetet energjetike dhe përditësimet e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

“Është e nevojshme të kryhen studime kosto-përfitim të plota mjedisore sipas standardeve të BE, që sot mungojnë krejtësisht në legjislacionin shqiptar të dhënies së koncesioneve,” shtoi grupimi i industrive të prodhimit dhe shërbimit në vend.

Konfederata e Industrive Shqiptare është grupimi më i fundit që i del kundër hidrocentraleve në Vjosë.

Përpjekjet për mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Europë kanë bërë bashkë artistë, aktivistë, shkencëtarë, organizata mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas