Bota, Mapo Format

Trump: Intervista për prokurorin Mueller mund të jetë “kurth për dëshmi të rreme”

Pavarësisht nga shqetësimet, Trump nuk komentoi nëse do të pranonte të ulej për një intervistë me zotin Mueller që mes të tjerash po heton nëse ekipi i fushatës së zotit Trump bashkëpunoi me Rusinë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe nëse zoti Trump ka penguar drejtësinë në hetim.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se shqetësohet se çdo deklaratë që mund t’i japë nën betim Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller mund të përdoret për të ngritur akuza ndaj tij për dëshmi të rreme, si pjesë e hetimit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.



Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, zoti Trump përsëriti shqetësimet që ka ngritur avokati i tij kryesor për hetimin, Rudy Giuliani, i cili ka paralajmëruar se çdo intervistë me zotin Mueller mund të kthehej në një “kurth për dëshmi të rreme”. Presidenti shpreh frikën se hetuesit mund t’i krahasojnë deklaratat e tij me ato të personave të tjerë që kanë dëshmuar në hetim, si ish-drejtori i FBI-së, James Comey dhe se mospërputhjet mund të përdoren kundër tij.

“Prandaj, nëse unë them diçka dhe ai (Comey) thotë diçka tjetër, do të jetë fjala ime kundër fjalës së tij dhe ai është mik i ngushtë i zotit Mueller dhe Mueller mund të thotë: ‘Unë besoj Comey-n’ dhe edhe nëse unë po them të vërtetën, kjo do më nxjerrë si gënjeshtar dhe nuk është gjë e mirë”.

Pavarësisht nga shqetësimet, zoti Trump nuk komentoi nëse do të pranonte të ulej për një intervistë me zotin Mueller që mes të tjerash po heton nëse ekipi i fushatës së zotit Trump bashkëpunoi me Rusinë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe nëse zoti Trump ka penguar drejtësinë në hetim.

Presidenti Trump gjithashtu nuk pranoi të thoshte nëse mund t’ia hiqte zotit Mueller certifikatën e sigurisë, siç bëri javën e kaluar me ish-drejtorin e CIA-s, John Brennan që e kishte kritikuar vazhdimisht trajtimin e politikës së jashtme dhe çështjeve të sigurisë kombëtare nga ana e zotit Trump.

“Nuk kam menduar shumë për këtë”, tha ai.

Rusia ka mohuar të ketë ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe zoti Trump ka mohuar që të ketë pasur ndonjë bashkëpunim të fshehtë.

Siç ka bërë pothuajse çdo ditë në Twitter, zoti Trump e denoncoi hetimin në intervistën që dha nga Dhoma Ovale për agjencinë Reuters, duke e quajtur vazhdimisht një turp dhe duke argumentuar se zoti Mueller dhe anëtarë të tjerë të ekipit të tij, ishin të njëanshëm.

Presidenti Trump tha se kishte të drejtën të ndërhynte në hetim por se kishte zgjedhur të mos ta bënte një gjë të tillë për momentin.

Zoti Trump tha se, administrata e tij funksiononte shumë mirë përveçse në botën e hetimit.

“Dhe kam vendosur të mos përzihem. Nuk jam i detyruar, mund të bëj ç’të dua. Mund ta drejtoja unë po të doja por kam vendosur të mos përzihem. Pa diskutim që lejohem të përfshihem po të dua por deri tani kam zgjedhur të mos përfshihem. Nuk do të përzihem”, tha ai.

Zoti Trump e ka kritikuar Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions që u tërhoq nga hetimi, duke ia lënë mbikëqyrjen zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, Rod Rosenstein.

Në intervistë, zoti Trump tha se hetimi ka penguar përpjekjet e tij për të forcuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë dhe se ka shkaktuar përçarje te publiku amerikan.

As këtë herë ai nuk fajësoi Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016, të cilën e ka konfirmuar komuniteti amerikan i zbulimit.

Hetimi tha ai “bëri lojën e rusëve, nëse ishte Rusia që ndërhyri”./Mapo.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas