Editorial, Op Ed

Triptik Janari

artur zhejiNga Artur Zheji

Dolën më në fund në qarkullim tri kandidaturat e para për fushatën e pritshme elektorale vendore. Ish-kryeministri Berisha propozon për kandidim në betejën e ardhshme të Tiranës, Lulëzim Bashën. Por nga ana tjetër kemi edhe Artan Lamen, që 48 orë më parë bëri një hap të guximshëm përpara për Tiranën. Agron Duka, aktualisht deputet i Partisë Republikane, bëri edhe ai hapin e vet për të bindur të Djathtën që të garojë për kryetar bashkie në Durrës. Sigurisht në këtë fazë, këto sinjale që grisin heshtjen paraelektorale, janë si ajo puna e  sinjaleve të radarëve, të cilët hedhin një tufë rrezesh apo valësh, që pastaj, përmes “jehonës” apo rikthimit të deformuar të tyre, të kuptohet vullneti i “sferave të larta vendimmarrëse”.



Në të vërtetë, parashtrimi i Doktorit për Lulëzim Bashën, që pasoi prononcimin e Jamarbër Malltezit pak ditë më parë, nuk është një fjalë dosido. Themeluesi dhe lideri shpirtëror i Partisë Demokratike nuk është lehtësisht i kundërshtueshëm. Por gjithsesi, Berisha është në të drejtën e tij të kërkojë nga Lulëzim Basha këtë protagonizëm të ri elektoral. Sepse, ç’është e vërteta, kandidaturat e tjera politike që ka PD për Tiranën, janë në të vërtetë shumë nën staturën e Lulit. Sepse ndoshta, askush në këtë parti nuk mendon për kandidatura, edhe qytetare, përtej kandidaturave, ngushtësisht dhe rreptësisht të rreshtuara në repartet politike.

Në rastin e Lulëzim Bashës, janë së paku tri arsye që do të ngriheshin logjikisht kundër kandidimit të tij për kryetar bashkie në Tiranë.

E para lidhet me premtimin e tij solemn në fushatën për Tiranën të vitit 2011. Premtimin që lidhej me nevojën jetike që ka kryeqyteti për një kryetar bashkie me kohë të plotë. Me ambicie rrënjësore dhe thelbësore, shndërrimin modern dhe funksional të qytetit më të madh të shqiptarëve, një qytet, më një lëngatë të pashëruar dhe buzë një kolapsi të pritshëm urban, rrugor dhe viktimë e shpeshtë e vendimmarrjeve mendjelehta apo korruptive. Tashmë Lulëzim Basha është, në cilësinë e kryetarit të opozitës, një kandidat për kryeministër. Dhe ky është e duhet të jetë prioriteti i tij me kohë dhe energji të plota.

Së dyti, vetë qyteti ka nevojë për një kryetar bashkie vërtetësisht ambicioz për Tiranën. Një njeri të dashuruar dhe të realizuar në përkushtimin e shndërrimit të kryeqytetit. Pse jo, mundësisht në aleancë me pushtetin qendror. Modeli Rama e ka vërtetuar një herë këtë. Dy mandatet e tija të para si kryebashkiak, nën qeverinë Meta, apo nën qeverinë Nano, mandate në të cilat Bashkia e Tiranës kishte një supermbështetje, qoftë edhe me sfond elektoral kombëtar, patën padyshim efekte të ndjeshme, të spikatura dhe herë-herë brilante për Tiranën.

Kryeqytetasit dhe Kryeqyteti e kanë këtë nevojë të madhe, që të mos jetë një mollë sherri e politikës dhe politikave elektorale që lidhen kryesisht me marrjen e pushtetit qendror dhe kryeministror. Të mos jetë pra Tirana dhe beteja për Tiranën një pedanë kërcimi për zyrat kryeministrore, por një betejë e thjeshtë dhe thelbësore për rrugë më të gjera, për nënkalime dhe mbikalime, për një gjelbërim masiv, për Bulevardin e Ri, për Tiranën 2 në drejtim të Paskuqanit, për tramvajin si realitet dhe jo si aspiratë, e pra, për dimensionin njerëzor, estetik dhe etik të kryeqytetit.

E këto beteja nuk fitohen dot përmes dyzimit të karrierës për më lart apo në konflikt politik me pushtetin qendror. Qyteti nuk fiton asgjë nga kjo. Eksperienca e ka rrëfyer qartë tashmë.

Së treti, mund të rendisim edhe një parashtrim taktik dhe krejtësisht politik për interesat e karrierës së vet kryetarit të PD-së. Basha, në një kandidim të mundshëm, që padyshim i bën politikisht nder, për nga guximi dhe sakrifica, do të bënte një kalkulim politik të rrezikshëm. Në këtë fazë, e cila nuk mund të përmbyset dot kollaj deri në qershorin e ardhshëm, shumica e përbërë nga PS dhe LSI, duket dhe perceptohet edhe nga sondazhet, që ka një superioritet elektoral në Tiranë, të krahasueshëm së paku me atë të vitit 2007. Që do të thotë se një kandidim eventual i kryetarit të PD-së, Lulëzim Basha, përtej intensitetit spektakolar të padyshimtë të Fushatës, do të mund të sillte, në rast humbjeje, vënien në dyshim të lidershipit të tij në Parti.

Korrentet anti-Basha, tashmë qartësisht të ravijëzuara, do të kërkonin haptas, zgjedhje të reja në PD.

E pra Janari, me tallazet, shirat dhe ngricat e zbehta të këtij fillimviti, nuk iku pa i lëshuar sidoqoftë tri risi. Stimulimin e kandidaturës së Lulëzim Bashës për betejën e pritme për Tiranën, nga ana e ish-kryeministrit Berisha, parakandidimin e Agron Dukës për superbashkinë e Durrësit dhe bërjen një Hap Përpara të Artan Lames, në paradhomën e kandidaturave për Kryeqytetin.

Një triptik ende të ftohtë, por që parandjell një betejë të tensionuar. Le të përfytyrojmë pra se ç’do të sjellë pranvera që e kemi thjesht pas dere.

PasPara

7 komente

  1. Tirana ka nevoje per nje Edi Rame tjeter. Jo per tu bere fushe beteje per rimarrjen e pushteti nga nje bande te paaftesh.

    Tirana moderne eshte nje sfide me e madhe se sa sfida per nje karrike kryebashkiaku.

    1. refre-patjeter-tash vendoseni negjmijen kryebashkiake, zedhenes zhejin e keshilltar shullazin.ekzekutiv frrokun e ndoken.tatimore met bllokun e shoket e tij.

  2. Veçse kujdes! Para 64 vitesh,George Orwell,sikur ta dinte se ajo që i kishte ndodhur dikujt , mund t’i ndodhte edhe Shqipërisë në këto 17 muajt e fundit na paralajmëron:” Një popull që zgjedh në krye të vëndit, njerëz të korruptuar ,hajdutë, maskarenj apo tradhëtarë,nuk është “viktimë”,por bashkëpunëtor i tyre.” Një komentues na këshillon të gjejmë përsëri një model si ai i drogaxhiut, lakuriqit,dhe të pamoralshmit që bashkoi gjithë qelbësirat për për të mashtruar e sunduar popullin e vet me mjete diktaturale. Por, populli po jeton qiellin e shtattë, pasi drogën e prodhojmë vetë,e përpunojmë,hamë sa të duam prej saj dhe na tepron për Europën.Si transport përdorim avionë të vegjël dhe helikopterë, kur nuk ia dalim me mjete të tjera toksore.Ndaj ka të drejtë shoku që kërkon modelin e sojsëzve të tipit mafioz.

  3. Vetem nje gje nuk mora vesh ne kete shkrim te Zhejit.
    Per ke e ka fjalen kur thote se Tiranes i duhet nje kryetar bashkie qe te jete “aleat” i Rames ?
    Dhe dicka tjeter qe me terhoqi vemendjen ne kete shkrim e qe eshte ne kundershtim me deklarimet e mehereshme te Zhejit.
    Sipas tij, Rama paskej qene “brilant” ne dy mandatet e tij te para me Meten e Nanon kryeminister, dhe e paskej penguar Berisha ne mandatin e trete qe te bente se paku planin urbanistik te Tiranes.
    Se si mund te besh nje pune “brilante” duke e masakruar urbanikisht Tiranen pa miratuar nje plan te pergjithshem, kete nuk na e shpjegon Zheji.
    Ju ka ngelur ne mendje shume njerezve se Rama meqe ka mare nje cmim nderkombetar si drejtues bashkie, eshte i vetmi model per tu imituar.
    Po cmim nderkombetar nga nje organizate e ushqimit te OKB mori Shqiperia se i kishte zgjidhur mire problemet e ushqimeve, ne nje kohe kur neper raftet e dyqaneve ushqimore me veshtiresi gjeje edhe presh.
    Cfare nuk prodhon kjo “Internacionalja socialiste” me propogandat e saj.
    Rrezik ndonje dite te presim kur ne Tirane kjo Internacionale te mbledhe nje kongres boteror per te shperndare eksperiencen e kopeshtit te lulezuar socialist, Shqiperise, neper bote.
    PS. Perse po e shqetesokerka kaq shume moderatorin e MAPO “ritmi i shpeshte” i komenteve te mija, kur ka shume kohe qe nuk po komentoj me ne kete gazete ?

  4. KRYETARI I ARDHSHEM I BASHKISE SE TIRANES DO TE ISHTE MIRE TE ISHTE NJE PERSON LARG PARTIVE POLITIKE. SA IU PERKET BASHES DHE LAMES NUK DO T’I KISHA VOTUAR KURRE DHE AS NUK I VOTOJ.

  5. Te rikandidoje Basha? Per mendimin tim eshte kryebashkiaku me i dobbet qe ka patur Tirana nga viti 1992 e ketej. Cilido qe e shtyn ate te kandodoje, kerkon ta coje ate ne disfate. Asnje dashamires i tij nuk do t’ia rekomandonte nje veprim te tille.

  6. Gjergj Bojaxhiu per kryetar bashkie. kjo mendoj do ishte nje kandidature shume e mire. Eshte personi qe di te beje pune dhe ka staturen qe i duhet Tiranes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas