Politika

Trilaterali i Adriatikut, Bushati: Procesi i integrimit, jo në vakum

Në kuadrin e Trilateralit të Adriatikut, më 20 korrik në Budva, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Takimin e tretë të Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë.
Kjo platformë e lançuar vitin e kaluar i shërben përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e bashkëpunimit në Evropën Adriatike, tashmë të shndërruar edhe në NATO-n Adriatike, dhe për një aksion të përbashkët në interes të një rajoni më të siguritë dhe më të ndërlidhur në të gjitha dimensionet.
Gjatë takimit tre Ministrat e Jashtëm u fokusuan në bilancin e Samitit të NATO-s në Bruksel, Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Londër në kuadrin e Procesit të Berlinit, përmirësimin e ndërlidhjes dhe transportit në rajon, si dhe nxitjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe mbrojtjes së ambientit.
Në fjalën e tij Ministri Bushati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes tre vendeve në proceset e integrimit dhe kthimin e këtij rajoni nga një hapësirë sigurie në një hapësirë zhvillimore.
Për ministrin Bushati “procesi i zgjerimit nuk mund të zhvillohet në vakum, duhet të shoqërohet me instrumente që i shërbejnë dhe procesit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe transformimit politik dhe shoqëror të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Duke vlerësuar Politikën e Dyerve të hapura të NATO-s Ministrat shprehën mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë dhe vlerësuan marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës si dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Një fokus i veçantë iu kushtua ecurisë dhe ndërveprimit për avancimin e projekteve me rëndësi strategjike si Korridori Adriatiko-Ionian dhe Gazsjellësi që do lidhë linjën Trans-Adriatike me Kroacinë nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, por edhe bashkëpunimit në fushën e energjisë, turizmit dhe mjedisit.

Në përfundim të takimit Ministrat e Jashtëm të të tre vendeve nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas