Kryesore

Tre arreste për 21 Janarin Prokuroria: Kreu i Gardës vrau


Tiranë Prokuroria akuzon komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, si autor të vrasjes së protestuesit Faik Myrtaj. Së bashku me të, organi i akuzës kërkoi në gjykatë arrest me burg edhe për shoferin e tij Margarit Kume dhe specialistin e IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj. Kërkesat për urdhër-arrestet kanë mbërritur në Gjykatën e Tiranës të dielën, ku Prendi akuzohet për vrasje dhe shpërdorim detyre, shoferi i tij për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndërsa specialisti i IT-së për fshehje të provave. Pasi ka shqyrtuar provat e prokurorisë, gjyqtari Shkëlqim Mustafa ka vendosur “arrest në shtëpi” për tre të akuzuarit, duke pohuar se nuk provohet që pistoleta që ka qëlluar mbi Faik Myrtajn të jetë tërhequr me firmë nga komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Ky konstatim është hedhur poshtë nga kryeprokurorja Ina Rama, e cila gjatë një konference për shtyp përkrah ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu tha se provohet përtej çdo dyshimi se komandanti i Gardës ka qëlluar për vdekje Faik Myrtajn, e më pas është përpjekur të manipulojë armën.

Vrasja e Myrtajt



Kryeprokurorja Ina Rama tha dje se ekzaminimi balistik i kryer në laboratorin e FBI-së vërtetoi se Faik Myrtaj është vrarë me pistoletën Beretta të kalibrit 9 mm të komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. “Nga aktet e ekzaminimeve balistike, të kryera si në  laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë, ashtu edhe në laboratorët e kriminalistikës së FBI në SHBA, rezulton e provuar tej çdo dyshimi se nga arma personale e shtetasit Ndrea Prendi, pistoletë tip Beretta e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z, janë realizuar 11 qitje në drejtim të turmës. Një nga predhat që është qitur nga arma e shtetasit Ndrea Prendi ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj”- deklaroi dje Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Sipas saj, Komandanti i Gardës së Republikës ka tentuar më pas të pengojë zbardhjen e së vërtetës, duke tentuar edhe manipulimin e provave. Hetimet kanë mundur të zbardhin skemën që Prendi, në bashkëpunim me shoferin e tij, Margarit Kume kanë mundur të realizojnë për manipulimin e armëve të shërbimit, me qëllim ngatërrimin e hetimeve.

Manipulimi me pistoletën

“Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, ky person, duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij, me tytën e pistoletës së personit tjetër nën hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht, ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke patur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij”-  tha kryeprokurorja, e cila konfirmoi se modifikimet e bëra në armën e komandantit të Gardës së Republikës pas ngjarjes janë provuar plotësisht nga ekzaminimet më të specializuara të kryera nga ekspertët e FBI. Kjo, sipas kryeprokurores, është dhe arsyeja që shtetasi Margarit Kume, me detyrë shofer i komandantit të Gardës, procedohet për akuzën “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Mësohet se disa prej predhave të qitura nga arma pistoletë tip “Beretta” e komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, janë gjendur në pemët dekorative që ndodhen pranë Kryeministrisë, si dhe në muret e zyrave të UNHCR, të cilat janë në krahun tjetër të bulevardit, mes Kullave Binjake dhe Gjykatës Kushtetuese. Kryeprokurorja tha se “nisur nga pasojat tepër të rënda të kësaj ngjarjeje, veprimet e këtyre personave konsiderohen me rrezikshmëri tepër të lartë  shoqërore dhe për këtë arsye, masa e sigurimit arrest në burg  e kërkuar nga ana jonë, është masa më e përshtatshme. Në ndryshim nga vlerësimi ynë si prokurori, gjykata ka vendosur që ndaj shtetasve të mësipërm të merret masa e sigurimit arrest shtëpiak”.

 

 

Ndrea Prendi në Prokurori: Qëllova në ajër

Komandanti i Gardës ka mohuar përgjegjësinë për vrasjen, duke thënë se qëlloi në ajër. Shoferi Kume: Më 21 janar s’kam qenë pranë Kryeministrisë

Tiranë Në zbatim të vendimit të Gjykatës, komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, është paraqitur ditën e djeshme në Prokurorinë e Tiranës, për t’u pyetur rreth rolit të tij në demostratën e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër demostrues dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë. Por ndryshe nga dëshmia e parë, Prendi ka deklaruar mesditën e djeshme se ka qëlluar në ajër dhe nuk ka asnjë përgjegjësi për vrasjen. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se ish-komandanti i Gardës nuk ka pranuar të japë shpjegime të detajuara, duke shfrytëzuar kështu të drejtën që i rezervon ligji, edhe pse menjëherë pas ngjarjeve të 21 Janarit ai kishte deklaruar se nuk kishte qëlluar me dorën e tij. Ndrea Prendi është marrë rreth orës 13:00 në zyrën e tij, në Gardën e Republikës, nga oficerë të policisë gjyqësore, të cilët pasi e shoqëruan në Prokurori ku qëndroi për rreth një orë, e larguan drejt banesës me një patrullë të Policisë së Shtetit. Gjeneral Prendi hyri në Prokurori me makinën e Gardës, qëndroi për më shumë se një orë dhe doli prej zyrave të prokurorisë së Tiranës i shoqëruar nga makinat e policisë. Po dje, është paraqitur në prokurori për t’u njohur me masën e sigurimit “arrest shtëpie” edhe shoferi i tij Margarit Kume, i cili akuzohet nga prokuroria se ka shkëmbyer tytat e pistoletës me shefin e tij. Gjatë marrjes në pyetje, Kume ka deklaruar së më 21 Janar të vitit të shkuar, ai nuk ka qenë i pranishëm pranë Kryeministrisë dhe jo më të ketë qëlluar. Sipas prokurorëve, kjo deklaratë është e verifikuar dhe rezulton e vërtetë. Më herët në prokurori është paraqitur edhe specialist i IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj, i cili dyshohet se ka konsumuar akuzën e kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Gjatë deklarimeve në prokurori, Kasaj ka thënë se ai ka kopjuar vetëm pamjet e një prej kamerave që më 21 Janar ndodhej në tarracën e Kryeministrisë, pamjet e të cilës janë vënë në dispozicion të hetimit. Specialisti i IT-së është shprehur se nuk ka asnjë dijeni për pamje të fshira, apo server të riformatuar, pasi detyra e tij ka qenë ajo e mirëmbajtësit së rrjetit.

 

Ndrea Prendi

“Kam qëlluar në ajër, nuk kam përgjegjësi për vrasjen”. Kaq ka pohuar dje në Prokurori komandanti i Gardës, duke refuzuar të japë më tej shpjegime për akuzën.

Margarit Kume

“Më 21 Janar të vitit të shkuar nuk kam qenë i pranishëm pranë Kryeministrisë, dhe jo më të kem qëlluar”. Dëshmia e shoferit të Prendit është verifikuar nga grupi hetimor.

Armando Kasaj

Specialisti i IT-së në Kryeministri ka pohuar para grupit të hetimit se ka kopjuar vetëm pamjet e një kamere që ndodhej në tarracën e godinës. Ai ka mohuar të kishte akses në server.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas