Mapo Letrare

Transhendenca si trup i mendjes

vladimir-myrtezajNga Vladimir Myrtezai

 



Sot është një ditë e paharruar dhjetori. Një nga ato gjendje që të lejon të jesh edhe më optimist se duhet, bile si një prag arratie për t’u strehuar në gjëra që nuk e di se pse të vjen të flasësh edhe gjëra që ndoshta në një gjendje tjetër do i shtyje dhe ormisje diku tej si fashime malli diku në sirtarët e kujdesshëm të rrëfimeve të padala ende. Sapo kisha dalë nga një natë nga ato që përmbushin muajin dhjetor me shumicë ku festohej gjithandej, ku njerëzit deklaroheshin të nxituar në po të tilla takime për t’u ngrohur trup me trup për aq sa i kish falë fati dhe për gjendjet e tyre të hepuara dukshëm për t’u qasur në gjëra njerëzore dhe të thjeshta. Të prirur si pa vënë re dhe më shpesh për t’u përshëndetur dhe për t’u uruar gjithaq mes tyre. Në të tilla ksehasje si kontrashtysë më merr malli paq për njerëzit e vetmuar dhe për natyra që kënaqen e përkëdhelen në të tilla vetmi dimërore. Dhe pa më të voglin dyshim në të shumtë frymorë të një strukture të tillë vetmitare më shoqërohen në mendje shumë nga ata që për shkak të një lloj naiviteti të bashkëlindur me qenien shoqërohen dhe nga një lloj adoleshence e tejetzgjatur dhe nga një mënyrë ishullimi narcizist, që thënë të drejtën dukshëm e vetushqejnë dhe e shfaqin gjithandej këtë veti dhe që janë pafund e gjithmonë piktorët. Një lloj shpërndarje e ndikueshme, një lloj kompleksi përjashtues që iu ndodh këtyre të fundit në shoqëri. Duke menduar gjatë për natyra të brenda llojit të piktorëve por dhe për njëfarë skanerizimi të shenjave që ata lënë në hapësirën publike por edhe në largësi më të panjohura të tyre, e kapa veten duke kaluar nëpër mend të shumtë nga ata të degdisur në fatet e tyre por dhe të dallueshëm nga pafuqia për t’u dukur e  rënë në sy të gjindjes si shenja të veçanta që nuk e di se pse në prag të Krishtlindjes më jepnin një ndjesi engjëjsh të pafjalë që enden rreth e rrotull krejt të lexueshëm e fëminorë. Në hyrjen ku banoj ka një kthinë që duket si kurth njerëzish që, me dashje a jo, do mund të prekesh gati me trup për t’u shkalitur e ndarë në mesin e shkëmbimit të saj. Pikërisht në këtë kthinë kurth përplasesha disa herë me një femër, që shpesh e ndaja të ngatërruar me një shoqen e saj për nga ngjashmëria e stili i jetesës. Të dyja nga atdheu i pikturës. Por me narrativë të ndryshme karakteriale. Përshëndetesha dhe shkëmbenim gjithherë një përshëndetje disi të ngutur e të shpejtuar reciproke. (dihet që në mjedise të përbashkëta mes piktorësh, njëri është i mjaftueshëm). Ishte Blerta Xhomo.

Më ndalon një ditë dhe më thotë se kishte shumë dëshirë ta vizitoja në studion e saj.

I thashë po menjëherë.- Pasi më kuriozonte kjo lloj dallese që kanë piktorët ngado që shfaqen por dhe nga një lloj dëshire e fshehtë imja për të shkelur në ambiente pikture dhe për të zbuluar pelegrinë dhe qenie për mua të dobëta, se si projektojnë mbijetesën e tyre në një stil të papërsëritur, por dhe për të jetuar për pak në një atdhe ndryshe që me siguri ndryshonte paksa nga atdheu im.

Ky propozim për të marrë në konsideratë interpretuese një ekspozitë të afërt të Blerta Xhomos, qe njëfarë rikthimi nëpër stacionet e dashura të dikurshme, kur mbi kokat tona, piktura qe një brerore mbrojtëse dhe bekuese për racën e të përkushtuarve pas telajos, ose si një atdhe, të cilit i përkisnim e as që përfytyrohej të ishte ndryshe; domethënë, të ndërrohej “kombësia”.

Qe një atdhe ku u munduam të themi gjithçka në një rrugëtim të vrullshëm mohimesh të shpejta, që pak a shumë i ngjante orvatjes për t’u shfajësuar nga ngushtimi i tkurrur i mundësisë së shprehjes, si mundësi për t’u zbuluar në të drejtën e njeriut të lirë. Dhe për këtë arsye kishim edhe njëfarë qëndrimi përjashtues në verifikimin e kësaj vlere, për arsyen e thjeshtë: kishim ngut për territore dhe flamuj të rinj, që t’i vendosnim diku, në një tokë të premtuar, ose diku buzë saj. Por, pa e vënë re se nuk po bënim gjë tjetër, por me ngut, më shumë pozonim arratinë tonë dhe panikun ndaj një medium të mbipopulluar nga piktorë pafund, që gërmonin në të njëjtin terren që në dukje ngjante që nuk tingëllonte si diçka e re. Kështu që, me një shpejtësi të madhe edhe për të marrë vesh se ç’bëhej, provonim të merakosur prurjet e reja në një rreth edhe më të gjerë pjesëmarrjeje, ku pikasëm se piktura po pësonte një lloj tërheqjeje nga qendra, dhe po merrte mëvetësohej me shumë pak protagonistë që do qëndronin në atdheun e tyre, dialogun, që për ta nuk kishte shumë për të thënë si territor në ikje nga qendra.

Por, nga një qasje e re në kohë, jo për nostalgji, por për interes publik, piktura mund të jetë një shkallare komode për të zbuluar ende territore dhe karaktere pse jo në një parashikim të rikthyer. Një rast i tillë është edhe piktura e Xhomos, që vlen të merret në analizë.

Duke gjezdisur online, diku më kapi syri ca rreshta të një shkrimtareje të re, kur pak a shumë thoshte se femra duhet ta ndezë karakterin e  saj “në luftë”, duke e marrë si sfidë me veten, që më pas të bëhej pjesë e interesit në grumbullin e humanoidëve. Më ngjau si një slogan domethënës, duke e parë në pikën se si koha ka farkëtuar ndryshe karakterin e burrit e ndryshe atë femrës, ku kësaj të fundit iu dashka të jetë vazhdimisht në sfidë për të lënë gjurmë, për t’u manifestuar, pavarësisht rrethanave dhe kritereve që janë kaq relative në mënyrën se si shenjojnë, në veçanti kur është fjala për dikotomitë.

Një të tillë gjendje a përjetim më la kontakti i parë me pikturat e Blerta Xhomos, një subjekt që gjakon t’i hapë shtigje të reja karakterit të saj. E dhënë krejtësisht pas pikturës, ajo priret të ngujohet (jo vetëm të banojë) te strukturat karakteriale dhe, nga ana tjetër, njëkohësisht të arratiset andej nga ato rrezatojnë.

Në kohë dhe në gjeografitë e shprehjes, piktura është parë në shumë këndvështrime, duke u kanonizuar nëpër hulli apo shtresime në grup, gati si një mënyrë (mbi)jetese, që njëfarësoj do ishte e krahasueshme me një kalvar të zgjatur të ndërgjegjes së artistit. Ajo ka rrugëtuar drejt një përplotësimi pothuaj ekzakt, deri në zhbërjen e pafund të propozimeve të prekjes dhe mendimit, që e ka bashkëshoqëruar gjithmonë; herë si kategori e një estetike të re, herë si metaforë e shthurur e mendjes, herë si unitet material dhe herë si hapësirë kromatike ndjesish të drejtpërdrejta. Ajo është kundruar shumë rrallë si e tillë; është lidhur vazhdimisht me fenomene e çështje përjashta.

Piktura e Xhomos, më shumë se të gjitha këto nëndarje, është sublimim i një konflikti ende të pazgjidhur, gjë që të kujton Frida Kahlo-n, jo në rrafshin estetik, por në atë etik, apo semantik. Strukturat e akorduara të një plastike që afron ngërç apo tension vallëzojnë në trajtë të rregullt, si dhe po aq asimetrike kur lyp shqetësimi përbrenda, një shqetësim sa i ngulët gati në manierë, aq edhe i furnizuar me vibrimet e saj të qenies.

Nganjëherë të duket se kemi të bëjmë me një zonifikim të një identiteti i ndarë më dysh, që evokon haptazi femrën si të tillë, dhe rrugës mbështillet me një ëndërrim që kërkon përmbushje. Pra, një karakter që për muzë duket sikur ka diç të parealizuar, që përvijohet përmes simbolikave të huazuara, që bashkohen për të shënjuar të njëjtën gjë.

Piktura e Xhomos nuk është e interesuar të “sulmojë” inde të buta njerëzore, ku nuk ka interes të përfshihet, dhe as synon të ruajë një linjë narrative që shtrihet duke pritur rrëfimin kromatik të  radhës,  ajo është peng e gjendjeve të shumësishme të qenies, të cilat kulmojnë me sublimime të paparashikuara – ja pse të kujton Kahlo-n.

Po ashtu, ajo nuk është e interesuar për qasje të ëmbla e të shthurura të mjetit, për të paralelizuar e nanurisur ndjeshmërinë e saj; përkundrazi, ajo ngre struktura skrupuloze të nënvetëdijes, që i lë të përplasen në një konflikt gati melankolik me shkueshmëritë melodioze e të zbutura, mes subjektit dhe plastikës.

Në këtë qasje dallojmë qartë një aftësi karakteriale, si të thuash, të lindur, në një dialog me trupin, si një zonë me gravitet të llojit të vet. Kjo qendër arketipore ruan një formë shfaqjeje që s’të le rehat, por të vë në lëvizje, si zbulim i një sublimimi, që më së miri është shfaqje e plotë karakteri , krejt e personalizuar me ngrehinat dhe pengesat në ecje e sipër.

Piktura si pretekst gjen zona zbulimi që e bën vëzhguesin të akomodohet në këtë kontradiktë, që ndonjëherë shfaqet si tendencë që ngre në subjekt vetëm qenien femër, e herë të tjera si shtysë për të provuar, ose për të provokuar; natyrisht jo gjith’herë si qëllim më vete.

Piktura si formë reflektimi qenësor është njëkohësisht edhe terapia e autores, për t’u shfaqur në kontradiktë me anën e nëndheshme të saj. Fryn një energji, që modelohet gjithherë me arketipet dhe pleksjet e ekspresionit të saj. Pemë në seri, sense idilike që afrojnë simbolikë dhe tension gjakues, apo rreshtime femërore në një përfshirje dramatike të erosit. Gjithçka duket se udhëton përmes një nënteksti në konflikt, që i përngjan karakterit të saj shumë të veçuar. Ajo nuk ka luksin të ravijëzojë qasjet e inteligjencës e të vendoset në paradë, siç dhe ndodh shpesh me rezonime zonash kulturore e shtresash të tilla, për të na bërë të qartë thjeshtë zgjedhjen e saj; ajo na lë si të mbërthyer në pikëpyetje për t’u shfaqur si nga brenda, pa dalë jashtë territorit.

Tradhtia, fragmente trupash dhe gjymtyrësh, pemë të ngjashme me dëshirat e pamundura dhe të tjera zona të zgjedhura, na e bëjnë edhe më të pranishme këtë nënkomunikim të zgjeruar me punët e saj. Zonat e pavetëdijshme na vijnë në radhë në transe nga personaliteti i femrës, me një formë refleksi deri në adhurim; apo koka të zbuluara, sikur modelon të njëjtën përkorje pa praninë e të kundërtës, pra të mashkullit. Ose zona pikturore ku sërish sundon elementi femër, në një shpellim komunikimi si narcizist, të dhunshëm në sipërfaqe e në detaj (portrete mbinatyrale që e justifikojnë këtë epërsi).

Të gjitha këto zona të aplikuara të ndërgjegjes e bëjnë subjektin në fjalë të ketë një lidhje unike me rrugëtimin e triumfit femër. Daljet e saj nuk është se priren drejt formave estetizuese, por ruajnë në vetvete një ndërlidhje praktikash të jetuara, që i shpërfaqen si kulte, buzë të cilave gjakon të rrëfehet, ose thjesht të rrëfejë.

Rrethimi i arsyeshëm i veprës së saj mund ta dëmtojë sadopak formën e hapur që ajo e afron si lodërti të një konflikti karakterial e të brendshëm. Përfytyrimi im mbi një alternim të psikës, se si përmes saj mund të zbulojmë zona të heshtura, që do ishin me interes për publikun, mendoj se do gjeneronte përjetimin e veçantë mbi pikturën e Xhomos, si një bashkudhëtim zbulues.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas