Kronika, Kryesore

‘Toyota me euro’: Gjykata lë në burg të arrestuarit

Katër personat e ndaluar për 3.4 milionë eurot e kapura pak ditë më parë në Portin e Durrësit do të vijojnë të mbeten në burg.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për të arrestuarit: Klevi dhe Edi Lika, A. Mollaymeri dhe Agim Çekën.



Në nisje të seancës, prokurori i çështjes kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, pasi sipas tij ka të dhëna që mund të dëmtojnë hetimin, por një gjë e tillë u kundërshtua nga avokati.

Ndërkaq, për rastin e 3.4 milionë eurove në dy makina “Toyota Yaris”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letër-porosi në 3 shtete, Gjermani, Belgjikë dhe Angli, nga ku pritet të merret informacion i detajuar.

Para disa ditësh u gjetën plot 3.4 milionë euro në dy mjete Toyota në portin e Durrësit, që futeshin për herë të parë në Shqipëri.

Dyshohet se këto para burojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe po futeshin në të zezë në Shqipëri, ndërsa përveç 4 të arrestuarve, janë shpallur në kërkim edhe dy kushërinjtë Alfred Vladi, 33 vjeç dhe Elvis Vladi, 38 vjeç, të dyshuar si porositësit e parave.

Në seancën e fundit, prokuroria kërkoi arrest me burg për të gjithë të arrestuarit.

Gjykata e Durrësit vendosi të lërë pas hekurave të pandehurit dhe shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen te Krimet e Rënda, duke qenë se ndaj të arrestuarve është ngritur edhe akuza si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas