Kronika, Kryesore

“Tmerri i bregdetit”, si i gjente shtëpitë që do grabiste i riu nga Tirana, dyshohet se…

Nga Tirana në Himarë për vjedhjen e banesave, të zotët e të cilave jetonin kryesisht jashtë vendit. Policia e Vlorës, pas një hetimi të nisur që në muajt e parë të këtij viti, arriti të identifikonte dhe më pas të arrestonte autorin e dyshuar, i cili është shtetasi Kristaq Andoni nga Tirana.

Të paktën 10 vjedhje të kryera prej tij në zonën e Himarës dhe të Vunoit janë të dokumentuara, por Policia e Vlorës bëri të ditur se ai dyshohet edhe për disa vjedhje të tjera, të cilat kanë mbetur pa autor.



I riu është identifikuar në sajë të një hetimi të nisur që në muajin janar, pasi kanë nisur edhe denoncimet e para nga pronarët, që kanë konstatuar grabitjet e shtëpive të tyre. Sipas Policisë, i riu nga Tirana rezultoi se ishte edhe përdorues i lëndëve narkotike, çka dyshohet se është bërë edhe shkak i orientimit të tij drejt kryerjes së këtyre veprave penale.

Grabitjet i kryente në banesa, të cilat, sipas Policisë, i kishte studiuar më parë dhe sigurohej se nuk kishte persona të tjerë brenda apo ishin të pabanuara. Por ai shfrytëzonte jo vetëm muajt e dimrit, por edhe periudhën e sezonit turistik për të kryer të tjera grabitje.

Denoncimet për ngjarjet e ndodhura në zonën e Himarës kishin mbërritur prej kohësh në Policinë e këtij qyteti, por edhe në atë të Vlorës. Është dashur një punë mbi shtatëmujore për të identifikuar dhe arrestuar personin përgjegjës të grabitjeve, ndërsa burime nga Policia konfirmojnë se po hetohet nëse 38- vjeçari kishte edhe bashkëpunëtorë të tjerë në këto vepra penale. Sipas Policisë, nga hetimi i kryer ka rezultuar se më datë 5 janar të këtij viti, ai ka kryer vjedhjen e banesës së shtetases GJ.B.

Në datë 20 mars, ka grabitur në banesën e shtetasit K.LL. Në datë 7 qershor ka kryer të njëjtën vepër në banesën e shtetases A.K. Në datë 19 qershor, në banesën e shtetases me inicialet V.B. Gjashtë ditë më pas, më 25 qershor ka kryer vjedhje në banesën e shtetasit K.P. Në datë 28 qershor në banesën e shtetasit V.A. Më tej, më 16 korrik ndodhi një tjetër vjedhje në banesën e shtetases GJ.B, autorësia e së cilës i adresohet të riut të arrestuar. Ai akuzohet edhe për vjedhjen e kryer më 30 korrik në banesën e shtetasit A.K.

Gjithashtu, sipas Policisë, 38- vjeçari dyshohet si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 17 gusht ku është grabitur banesa e shtetasit P.B. Në të gjitha këto grabitje, në shtëpi kryesisht të pabanuara, por edhe të banuara, ai ka arritur të marrë shuma të konsiderueshme lekësh, bizhuteri, sende të ndryshme me vlerë e deri edhe vegla pune.

Në momentin e arrestimit, në automjetin e tij tip “Peugeot” me targa TR 301 CTX iu gjetën dhe rreth 1.3 gramë kokainë, çka, sipas Policisë, konfirmon faktin se 38-vjeçari ishte përdorues i lëndëve narkotike.

Materialet në ngarkim të tij janë referuar në Prokurorinë e Vlorës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga nenet 283 dhe 134 të K.Penal. Mësohet se në momentin e arrestimit ai nuk ka bërë rezistencë. Blutë tashmë janë duke hetuar pasi ka dyshime të forta se këto vjedhje të kryera prej tij në Himarë dhe Vuno kanë pasur të pasur një bashkëpunëtor.

Blutë dyshojnë se bashkëpunëtori i 38-vjeçarit të jetë edhe banor i zonës, i cili ishte në dijeni të plotë se cila ishte shtëpi e banuar ose jo, dhe e kishte më të lehtë të studionte lëvizjet në çdo moment.

Dyshimi për bashkëpunëtorë

Policia ka marrë në pyetje 38-vjeçarin e arrestuar me qëllim për të zbardhur ngjarjet dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të mundshëm. Njëherazi ai është i dyshuar edhe për disa vjedhje të tjera të kryera, jo vetëm në zonën e Himarës dhe Vunoit, por edhe në disa fshatra të tjera të bregut.

Kjo pasi mekanizmi është thuajse i njëjtë, shtëpitë e shenjëstruara për vjedhje kanë qenë të pabanuara, pasi pronarët jetojnë jashtë vendit dhe kthehen kryesisht vetëm në sezonin e verës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas