Kryesore, Politika

Tkurren kompetencat e Nishanit për gjykatësit

nishani ruciSipas projektit të mazhorancës, Këshilli për Emërimet do të bëjë renditjen e kandidatëve për Gjykatën e Lartë, mbi të cilën Presidenti do të kryejë konsultimet me grupet parlamentare. Ligji parashikon se tanimë kreu i shtetit duhet të flasë për emra konkretë.

Zbulohet projektligji që mazhoranca ka përgatitur dhe depozituar prej një jave në Kuvend, me anë të të cilit synon t’i japë fund ngërçit të krijuar mes Presidentit dhe Kuvendit për emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Drafti përmban vetëm 6 nene, por që në fakt prekin thuajse gjithë procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të lartë.



Më konkretisht ky projektligj, që vjen si nismë e katër deputetëve të majtë, Ulsi Manja, Pandeli Majko, Vasilika Hysi dhe Silva Caka, prek nenin 3 të projektligjit bazë, ku dhe përcaktohen kriteret që duhet të plotësojë një kandidat për të qenë anëtar i kësaj gjykate. Deputetët nismëtarë propozojnë që të hiqen si kritere të pasurit gradën docent, apo të qenit drejtor i Shkollës së Magjistraturës, ashtu si dhe përcaktojnë si minimum pasjen e mesatares 8 gjatë shkollimit juridik.

Po kështu vendosin si kritere të veçanta pasjen e një morali të lartë, si dhe transparencën e plotë të aseteve dhe pasurisë së tyre. Kritere këto që më së shumti janë teknike dhe nuk prekin çështje që mund të hapin debat. Por ndryshimet që duket se do të përbëjnë debatin e ditëve në vazhdim, janë ato që prekin direkt kompetencat apo i tregojnë kreut të shtetit rrugën që do duhet të ndjekë në përzgjedhjen e kandidatëve.

Me anë të këtij projektligji krijohet Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë, i cili do bëjë verifikimin e përmbushjes nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të kushteve ligjore dhe kritereve objektive e shtesë, si dhe renditjes së tyre. Ai krijohet si organ këshillimor për Presidentin e Republikës dhe do të funksionojë pranë Gjykatës së Lartë.

Këshilli për Emërimet përbëhet nga kryetari i Gjykatës së Lartë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, i zgjedhur nga trupa e anëtarëve të kësaj gjykate.

Kryetari i Gjykatës së Lartë është edhe kryetar i Këshillit për Emërimet. Kryetari i Gjykatës së Lartë, nëpërmjet administratës së kësaj gjykate, krijon kushtet e punës për veprimtarinë e Këshillit, si dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie. Ndërkohë që nga ana tjetër, propozuesit e këtij projektligji parashikojnë që të sanksionojnë në ligj detyrimin që Presidenti i Republikës, brenda 2 javëve nga marrja e njoftimit nga kryetari i Gjykatës së Lartë për vendin vakant të krijuar në këtë gjykatë, njofton publikisht, në faqen zyrtare të internetit të Presidentit, fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve, duke kërkuar paraqitjen e kërkesës individuale, dokumentacionin e nevojshëm për vërtetimin e përmbushjes së kushteve dhe kritereve të përcaktuara, si dhe afatin brenda të cilit subjektet e interesuara duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin për t’u përzgjedhur si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Më pas, brenda 5 ditëve nga dita e publikimit të listës së kandidatëve, kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të thërrasë mbledhjen e Këshillit për Emërimet për të shqyrtuar plotësimin e kushteve ligjore dhe të kritereve objektive dhe shtesë të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Mbledhja e Këshillit për Emërimet zhvillohet brenda 7 ditëve nga dita e thirrjes së saj.

Dosjet e kandidatëve, me kërkesën dhe dokumentacionin përkatës të paraqitur nga kandidatët, duhet t’i vendosen në dispozicion Këshillit për Emërimet nga institucioni i Presidentit të Republikës. Këshilli për Emërimet, pasi shqyrton dokumentacionin për secilin kandidat, brenda 10 ditëve harton një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve ligjore dhe kritereve objektive dhe shtesë për secilin prej tyre.

Për kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj, Këshilli për Emërimet bën renditjen e tyre mbi bazën e vlerësimit të shkallës së përmbushjes së kushteve dhe kritereve të parashikuara dhe si rregull raporti miratohet me konsensus. Raporti i Këshillit për Emërimet i paraqitet Presidentit, i cili e publikon në faqen zyrtare të internetit të Presidentit.

Kreu i shtetit, bazuar në raportin e Këshillit për Emërimet dhe dosjen e secilit kandidat, zhvillon konsultime me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend për përzgjedhjen e kandidatëve. Procesi i konsultimit duhet të synojë të garantojë një përzgjedhje të përshtatshme dhe konsensuale mes kandidaturave që plotësojnë kushtet ligjore dhe kriteret objektive dhe shtesë, por duke folur për emra konkretë.

Projektligji

Neni 2

  1. Në funksion të verifikimit të përmbushjes nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të kushteve ligjore dhe kritereve objektive e shtesë, si dhe renditjes së tyre, krijohet Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë, si organ këshillimor për Presidentin e Republikës.
  2. Këshilli për Emërimet përbëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një gjyqtar i Gjykatës e Lartë, i zgjedhur nga trupa e anëtarëve të kësaj gjykate.
  3. Kryetari i Gjykatës së Lartë është kryetar i Këshillit për Emërimet. Kryetari i Gjykatës së Lartë, nëpërmjet administratës së kësaj Gjykate, krijon kushtet e punës për veprimtarinë e Këshillit, si dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie.
  4. Mënyra e funksionimit të Këshillit për Emërimet rregullohet nëpërmjet një Rregullore të hartuar dhe miratuar prej tij”.

Neni 3

Presidenti i Republikës, brenda 2 javëve nga marrja e njoftimit nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, njofton publikisht, në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës, fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve, duke kërkuar paraqitjen e kërkesës individuale, dokumentacionin e nevojshëm për vërtetimin e përmbushjes së kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 3, si dhe afatin, brenda të cilit subjektet e interesuara duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin për t’u përzgjedhur si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Brenda 5 ditëve nga dita e publikimit të listës së kandidatëve sipas pikës 4 të këtij neni, Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e Këshillit për Emërimet për të shqyrtuar plotësimin e kushteve ligjore dhe të kritereve objektive dhe shtesë të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Njoftimi për thirrjen e mbledhjes është publik dhe përmban datën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes. Mbledhja e Këshillit për Emërimet zhvillohet brenda 7 ditëve nga dita e thirrjes së saj.

Dosjet e kandidatëve, me kërkesën dhe dokumentacionin përkatës të paraqitur nga kandidatët, i vihen në dispozicion Këshillit për Emërimet nga institucioni i Presidentit të Republikës.

Këshilli për Emërimet, pasi shqyrton dokumentacionin për secilin kandidat, brenda 10 ditëve harton një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve ligjore dhe kritereve objektive dhe shtesë për secilin prej tyre. Për kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj, Këshilli për Emërimet bën renditjen e tyre mbi bazën e vlerësimit të shkallës së përmbushjes së kushteve dhe kritereve të parashikuara nga neni 3 i këtij ligji. Si rregull raporti miratohet me konsensus. Nëse nuk arrihet konsensusi, raporti miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit për Emërimet.

Raporti i Këshillit për Emërimet i paraqitet Presidentit të Republikës, i cili e publikon në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës.

Neni 4

Presidenti i Republike, përveç Raportit të Këshillit për Emërimet dhe dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët, mund të kërkojë dhëna ose informacione zyrtare nga çdo institucion shtetëror, përfshirë edhe informacione konfidenciale, në lidhje me kandidatët. Këto akte bëhen pjesë e dosjes së kandidatit”.

Neni 5

Presidenti i Republikës, bazuar në raportin e Këshillit për Emërimet dhe dosjen e secilit kandidat, zhvillon konsultime me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend për përzgjedhjen e kandidatëve. Procesi i konsultimit synon të garantojë një përzgjedhje të përshtatshme dhe konsensuale mes kandidaturave që plotësojnë kushtet ligjore dhe kriteret objektive dhe shtese, duke u bazuar në meritën dhe integritetin e tyre,  në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë.

Dekreti i Presidentit të Republikës, për emërimin c gjyqtarit të Gjykatës së Lartë publikohet në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës dhe i përcillet menjëherë Kuvendit të Republiës së Shqipërisë, i cili vijon procedurat, sipas rregullave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

Dekreti i Presidentit duhet të jetë i arsyetuar dhe të përcaktojë qartësisht arsyet e përzgjedhjes së kandidatit fitues.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas