Kryesore

‘Tjetërsimi i pronave’: Nis verifikimi në Vlorë, prangoset një person në Lezhë

Një ditë pas vizitës së ministrave Etilda Gjonaj e Fatmir Xhafaj dhe ambasadores Romana Vlahutin në Vlorë, Task-Forca nis verifikimet në këtë qark.

Nga burimet lokale mësohet se Task-Forca do të ketë takime në Prefekturë, ZVRPP dhe Avokaturën e Shtetit.



Ditën e martë, ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pasi kanë vizituar fillimisht Bashkinë e Vlorës, i janë drejtuar Pallatit të Kulturës teksa kanë zhvilluar një takim pa praninë e mediave me punonjës së Hipotekës së qytetit bregdetar dhe të ALUIZNI-t e më pas me qytetarë të interesuar për çështjen e pronës.

Pas takimit që ka zgjatur rreth 90 minuta, Vlahutin ka theksuar se prona private është një e drejtë themelore dhe si e tillë është e panegociueshme për BE.

“E nisëm nga Vlora takimin për pronat për shkak të problematikës që pikërisht Vlora mbart. Ky udhëtim është fakt mbledhës, ndërsa në fokus janë dëgjesat me qytetarët. Prona privat është një e drejtë themelore dhe si e tillë është e panegociueshme për BE, ndërsa gjatë 27 viteve është krijuar një kaos me pronat teksa pronarë të trojeve 300 vjeçare ende nuk mund të regjistrojnë dot pronat e tyre. Njerëzit kanë pritur gjatë ndaj ka ardhur koha që ky problem të gjejë zgjidhje”, ka deklaruar ndër të tjera ambasadorja e BE së Romana Vlahutin.

Më pas, ambasadorja e BE ka zhvilluar një takim me prokurorët dhe gjyqtarët e Vlorës. Pas këtij takimi ajo ka theksuar se, “abuzimi që ka ndodhur në 25 vjet është mjaft i rëndë”.

Ndërkohë një tjetër person është arrestuar nga policia e Lezhës për abuzim me pronat.

Në pranga u vu Nikollë Tinaj, 58 vjeç, banues në Ishull Shëngjin – Lezhë.

Arrestimi i tij u bë në vijim të operacionit “Ranishtja 4” ku u arrestuan 12 shtetas, mes tyre edhe kryetari i bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj.

“Ndaj 58-vjeçarit Gjykata e  Rrethit Gjyqësor Lezhë  me Vendim Nr.104 datë 26.03.2018, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”,” tha policia.

Mësohet se Nikoll Tinaj është përfitues i sipërfaqeve të tokave nëpërmjet dokumentave të falsifikuara.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij hetimi që lidhet me tjetërsimin e pronësisë së sipërfaqeve të konsiderueshme në Lezhë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas