Arkiva 2

Tirania e teksteve shkollore si zanafillë e analfabetizmit funksional

Edhe njëherë për tekstet shkollore apo zanafillën e analfabetizmit funksional… Para pak kohësh, tekste shkolloreshifrat e studimit në “favor” të analfabetizmit funksional në Shqipëri na alarmuan, por paradoksalisht alarmi nuk lidhej me treguesin e lartë të pranisë së fenomenit, por me çorodinë që solli deshifrimi i këtij koncepti të ri, me një emër mjaft armiqësor në dukje. Duket se disa, të paktën disa, sot e kanë të qartë analfabetizmin funksional. Po ku zë fill e ku fle analfabetizmi funksional? Shpjegimet teorike, megjithëse të rastit, nuk mund të mishërojnë kurrë një model të bartjes dhe përcjelljes së analfabetizmit funksional sa e mëshirojnë përmbajtjet e teksteve shkollore, të paktën deri në klasën e tretë, cikël i ulët.

Fragmentet e mëposhtme janë një pasqyrë modeste, por domethënëse e brumit që gatuhet çdo ditë në maxhën e dijes shqiptare. Këto tekste janë pjesë e detyrueshme e programit të përditshëm në institucionet arsimore publike e private. Krijoni një ide personale pa u ndikuar dhe pastaj vijon komenti dhe arsyeja e artikulimit të tij:



Tekst 1. “Shuplaka“ e pakuptimtë (diçitura e autorëve të shkrimit)

Titulli i origjinalit: SHUPLAKA

Ndoshta një ditë

Do të marr gjërat e mia e do të iki!

Ndoshta një ditë, ndoshta një mot,

por jo sot.

 

Ndoshta një natë,

do të takoj Hënën, do të flasim gjatë.

Ndoshta një natë

Mund të ndodhte,

Por jo sonte!

 

Ndoshta një natë…

Ndoshta një ditë…

Do të flas me hënën,

Ose do të shkoj,

Por, tani për tani, përtoj!

 

Sfida e vërtetë qëndron në rubrikën që vijon në tekstin shkollor Pyetje rreth tekstit.

Ajo çfarë ju kërkojmë është të viheni në rolin e fëmijëve tuaj (niveli: klasa e tretë, cikli i ulët) dhe përgjigjuni pyetjeve rreth tekstit

1.      Si titullohet vjersha? Pse?

2.      Çfarë mund t’i ketë ndodhur djalit të kësaj vjershe?

3.      Pse ai do që të ikë nga shtëpia? 

Në thelb të çështjes

Para tri vitesh, kur vajza jonë filloi klasën e parë, në një artikull në gazetën Mapo patëm stërholluar një analizë për tekstin bazë të kësaj klase. Përjashto komentet mes miqsh – shqetësimit, pikëpyetjeve, mundësive për ndryshim – çështja ngriu në kohë, por jo makina e prodhimit të teksteve të tilla. Pas tri vitesh – ndërkaq kemi humbur Ardian Klosin, i cili pat folur i vetëm dhe i pari për problematikën e teksteve shkollore – çdo natë kalvarit të detyrimeve shkollore i shtohet edhe një tekst pervers në formë e përmbajtje. Rezultati është një kryq tepër i madh për të mos e ndarë me të tjerët. Ky është kryqi i dy prindërve, që besojnë se përmbajtja  e teksteve shkollore, të paktën deri në klasën e tretë të ciklit të ulët është dy sojesh: o djallëzore, o mjerane, megjithëse dy karakteristikat nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

S…, vajza jonë nëntëvjeçare frekuenton klasën e tretë dhe ka krijuar bindjen se shkolla është e shenjtë. Për këtë arsye nuk po i bindej lajthitjes së dy prindërve të saj që po e kanë këshillonin të mos përmbushte detyrat e shtëpisë, në shenjë proteste kundër një teksti të tillë:

Tekst 2. Sikur të isha lopë ose statusi i munguar….(diçitura e autorëve të shkrimit)

Titulli i origjinalit: Lopa që shkoi në qytet

Një ditë lopa qetë-qetë

Vendosi të shkonte në qytet,

U ngjit ngadalë në trotuar,

por pa që nuk kishte hambar.

 

Në mbrëmje shkoi në hotel për të fjetur,

Por shtrati u thye me një të prekur.

E kuptoi që nuk shtyhej më në qytet

Dhe u kthye e gëzuar në stallën e vet.

Si u rehatua mirë, lëshoi një muuuuuuuuuuuu…

Edhe unë po të isha lopë, do të veproja kështu.

Kjo lajthitje (këshillimi për të mos iu bindur tekstit dhe detyrave përkatëse), e pazakontë për llojin e prindit është gjesti i dëshpëruar  për t’u bërë “zëri në shkretëtirë“ kundër “pragmatizmit të pamoderuar“ të hartuesve të teksteve shkollore. Hamendësimet për përmbajtjet e papërballueshme të teksteve shkollore – gjuhë shqipe klasa e dytë e tretë, në veçanti) shkojnë nga mungesa e aftësisë së hartuesve deri tek djallëzia e tyre në përzgjedhjen e teksteve për qëllime nënshtrimi. Nuk nevojiten hulumtime të veçanta, as sy të stërvitur për të vënë re çorodinë e pashoqe që sjellin këto përmbajtje tekstore tek fëmijët.

Nëse kemi nevojë për një reformim të arsimit, së pari ajo është e lidhur ngushtë me reformimin e mendimit, që Morin e vlerëson si “kapitalin më të çmuar për individin dhe shoqërinë”. Por këtyre anëve, mendimet pak kanë vlerë dhe priremi nga bindja që mjafton një Harvard a Oksford për të na kthyer në binarë. Atë, që po mbruhet në maxhën e dijes shqiptare nuk ka ekuivalentim diplomash e as përshtatje sistemesh arsimore a edukuese që ta përballojë.

E vetmja dëshirë dhe nevojë që kemi është që ky shqetësim të bëhet sërish i pranishëm dhe të bëhet shqetësimi i shumë prindërve, nxënësve, mësuesve, medias si agjenci shoqërizmi e edukimi, politikanëve, megjithëse e kuptojmë që politika është një piacë tepër e lartë, por vetëm në dukje e paprekur. Sado të mira të jenë shkollat e Perëndimit që do të mund t’i siguroni, t’u sigurojmë fëmijëve tanë në të ardhmen, nuk ka shkollë perëndimorë që të pranojë brumin që sot po gatuhet në maxhën e dijes shqiptare.

Nuk presim që grupet e interesit të dalin përpara: mësuesit, që megjithëse i ankohen çdo ditë prindërve për vështirësitë e punës me tekste surrogato e kanë kafshatën të lidhur fort me heshtjen e tyre publike, nxënësit (sidomos në një stad të caktuar) nuk kanë krijuar akoma një vetëdije kritike – dhe as që kanë gjasa të krijojnë një të tillë me mbruajtjen që i bëjnë tekstet – që të mund të dinë se cilat janë efektet afatgjata të përmbajtjeve që ua servirin si bar lopësh. Prindërit, të vetmit që mund të flasin LE TË BËJNË VËRTETË DIÇKA! Qoftë edhe këtë që po bëjmë ne, a të mblidhen rreth një Komiteti prindërish e t’i imponohen institucioneve përkatëse për mbikëqyrjen e përmbajtjeve me të cilat mbruhet çdo ditë vetë jeta e fëmijëve të tyre. Politika, po e dëshiroi mund të realizojë vërtetë diçka historike, të paktën këtë, që nuk është aspak PAK  dhe është për të gjithë.

Të nxënit është një e Mirë Publike dhe si e tillë nuk mund të bëhet pre e interesave të ngushta që mbushin xhepin e disave në dëm të të gjithëve. Reforma në edukim e arsim fillon nga reforma e mendimit, thotë Morin. Mendimi këtu është “pronë” dhe mbahet në frè nga të të paktët, se konsiderohet si element i rrezikshëm shoqërisht. Por, si prind edhe në mbetshim krejt vetëm, s’do të lejojmë të vjedhin mendimin e dy fëmijëve tonë, të paktën. Si do bëjmë? Ashtu sikur mund të bëni edhe ju. Filloni duke këshilluar fëmijët tuaj të paraqiten pa detyra, ta shpërfillin tekstin kur është hartuar pa respekt dhe pa kriter. Paraqitini një tekst alternativ duke shfuqizuar tekstin zyrtar.  Çlirojini fëmijët tuaj nga tirania e teksteve shkollore! Kjo është drejtësi sociale, ky është mendimi kritik, kjo është qytetaria aktive, të tjerat janë fjalë, a vepra që duhet akoma të ndodhin…

PasPara

2 komente

  1. Jane kaq skandal sa nuk gjen fjale per t’i pershkruar. Jashtezakonisht te dobet nga permbajtja por dhe me shume gabime drejtshkrimore. Autori i tekstit duhet te kete punuar mbi 20 vjet mesues si dhe te njoh shume mire anglishten dhe nje gjuhe evropiane. Asnje mesues qe nuk i permbush keto kritere nuk duhet te jete autore teksti. Tekstet e Ciklit te Ulet duhet patjeter te behen nga mesues te Ciklit te Ulet. Boll me me miqesi dhe militante sepse ka shkuar ku nuk mban me. Autoret e meparshem ju qe nuk duhet te perfshihen me por duhet te pergjigjen per demin qe i kane sjelle shkolles dhe femijeve. Duhen konkurse te ndershme per autoret e teksteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas