Aktualitet

Tirana pret për herë të parë “Triathlon”. Gati për garën

Tirana do të presë për herë të parë një garë “Triathlon”-i, sporti që bashkon tre disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap. Qindra sportistë, profesionistë ose jo, do të garojnë këtë të dielë përgjatë një itinerari të mirëpërcaktuar nga Bashkia e Tiranës, në harmoni me natyrën fantastike të Liqenit të Farkës, duke promovuar njëkohësisht edhe vlerat turistike të kësaj zone.

Një ditë para kësaj gare sportive, e cila synohet të kthehet në traditë për kryeqytetin, me synim rritjen e numrit të turistëve, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët e Triathlon-it për të koordinuar detajet e fundit për mbarëvajtjen e garës. Veliaj tha se aktivitete të kësaj natyre po promovojnë çdo ditë e më shumë Tiranën dhe se qyteti po bie në sy si një destinacion fantastik në Ballkan.



“Pas organizimit të Maratonës së Tiranës për dy vjet radhazi dhe koncerteve të Rita Orës dhe Ermal Metës, nuk ka më dyshime se çfarë sjellin për qytetin tonë këto aktivitete; sjellin turizëm, promovim, ngrejnë emrin e qytetit, na fusin në harta të rëndësishme turistike dhe përmendemi në revista të tilla si Lonely Planet. Pra, të gjitha këto janë të lidhura, janë pjesë e një strategjie të madhe ku sa më shumë aktivitete të ndodhin në Tiranë, aq më shumë Tirana përmendet si destinacion turistik për Ballkanin”, tha Veliaj.

Tirana Triathlon është një mundësi e mirë promovimi e sporteve të ndryshme, aktivitetit fizik, shtimin e eventeve në natyrë si dhe promovimin e pikave turistike të kryeqytetit. Veliaj shprehu ambicien e Bashkisë së Tiranës për të organizuar aktivitete të tilla edhe në zonat periferike të qytetit, duke nxitur edhe turizmin. “Ambicia jonë është që zona rurale e Tiranës të marrë po aq vëmendje sa ka marrë edhe zona qendrore e Tiranës. Pra, filluam nga qendra, nga zonat urbane, kurse tani po shkojmë te zona rurale më e afërt. Një zonë që tashmë po ka investime në agrobiznes, ka disa ferma, disa bujtina të tipit Bed&Breakfast. Duam që të jetë një kartolinë tjetër shumë e bukur e Tiranës”, theksoi kryebashkiaku.

Ai deklaroi se aktivitete të tilla sportive, sikurse ishte edhe Maratona e Tiranës në Tetor, po i japin një impuls pozitiv ekonomisë së qytetit, duke sjellë një numër të lartë vizitorësh. “Maratona ka pasur shumë sukses në vitin e parë dhe të dytë, do të ketë më shumë sukses në vitin tretë, por kuptuam se kaq nuk mjafton. Na duhet që në mënyrë periodike të bëjmë aktivitete masive me karakter sportiv. Vitin e kaluar në Tiranë, vetëm nga Maratona kishim 3 mijë shtretër hotelesh, nga 3 vakte që ka ngrënë secili të paktën në 48 orë, janë 9 mijë vakte; e gjitha kjo është një ekonomi zinxhir që zhvillohet prej këtyre aktiviteteve”, sqaroi ai.

Për ta kthyer këtë garë sportive në një ditë feste, Bashkia e Tiranës fton të gjithë qytetarët e Tiranës që nuk garojnë, të dalin nesër dhe të mbështesin sportistët pjesëmarrës. “Aktiviteti nis në orën 10:00 dhe duam t’i ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës, edhe ata që ndoshta nuk do të garojnë në një garë që është relativisht e vështirë. por që mund të jenë amatorë, ose gjysmë-profesionistë, që në këtë fazë të parë mund shohin dhe pastaj mund të fillojnë edhe të ushtrohen. Farka ka marrë një transformim total. Ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkohen, në një piknik familjar, të respektojnë kolegët e Policisë së Shtetit dhe të Policisë Bashkiake”, nënvizoi Veliaj.

Për mbarëvajtjen e garës, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, kanë marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në datën 10 Qershor nga ora 08:30 deri në orën 13:00 nga segmentet e mëposhtme:

 

  • Rruga e “Tuneleve”, duke filluar nga kryqëzimi rruga “Tuneleve” me rrugën “Daxhit”, deri tek kryqëzimi rruga “Tuneleve” me rrugën e “Panorama Liqenit”;
  • Rruga “Daxhit”, duke filluar nga kryqëzimi rruga “Daxhit” me rrugën “Shaqir Palushi”, deri tek kryqëzimi rruga “Daxhit” me rrugën “Vrapeve”;
  • Rruga “Diga e Liqenit”, duke filluar nga kryqëzimi rruga “Panorama e Liqenit” me rrugën “Diga e Liqenit”, deri tek kryqëzimi rruga “Daxhit” me rrugën “Diga e Liqenit”;
  • Rruga “Panorama e Liqenit”, duke filluar nga kryqëzimi rruga “Tuneleve” me rrugën “Panorama e Liqenit”, deri tek kryqëzimi “Panorama e Liqenit” me rrugën “Diga e Liqenit”.

 

Për këto rrugë, qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Vrapëve”, “Elbasanit”, “Dr. Shefqet Ndroqi”, “Pjetër Budi”, “Selman Bulku” dhe “Dëshmorët e Helikopterëve”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas