Editorial

T’i kthejmë vendit qeverisjen, Reforma në Drejtësi e ka bllokuar atë

Nga Ervis Iljazaj

Protesta e opozitës e së Shtunës, është treguesi kryesor se politika shqiptare, për më shumë se një vit është tërësisht e bllokuar, dhe, mbi të gjitha qeverisja e vendit.



Edhe pse Kryeministri Rama ndodhet në turin e “llogaridhënies” me qytetarët, është e qartë se, mandati i dytë i Ramës nuk ka filluar ende. Asgjë nuk ka ndodhur në planin e politikave që ka ndërmarrë kjo qeveri në mandatin e saj të dytë. Prandaj, duket e habitshme se çfarë llogarie jep Kryeministri, kur, kjo qeveri nuk as edhe një vit që ka fituar zgjedhjet. Nuk kuptohet se çfarë politikash mund të ndërmarrë një qeveri brenda një viti në këto kushte, dhe aq më tepër të japë llogari për to.

Kështu që, është urgjente që vendit t’i kthehet qeverisja, është urgjente që Edi Rama të ushtrojë mandatin personal që mori në 23 Qershor.

Pothuajse për më shumë se një vit, qeverisja e vendit ka ndaluar, për arsye të bllokimit total që ka pësuar politika shqiptare, si në planin e mazhorancës, po ashtu edhe në atë të opozitës, e cila më shumë ka harxhuar kohë për protesta, ndoshta edhe të drejta, se sa ka paraqitur alternativa.

Në këtë mënyrë, nuk ka më dialektikë politike, e cila është kusht thelbësor për një demokraci dhe zhvillimin e një shoqërie. Mungojnë politikat ekonomike nxitëse, ato shoqërore, por, sidomos reformat e lënë përgjysmë nga mandati i parë i qeverisë Rama.

Një nga arsyet kryesore të këtij bllokimi është padyshim Reforma në Drejtësi. Një Reformë rreth të cilës u vërtitën të gjitha strategjitë politike, pasi, padyshim do të ndryshojë të gjithë sistemin juridiko-politik që është instaluar përgjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

Palët politike duket sikur janë në pritje të efekteve të saj, që në disa aspekte kanë filluar që tani.

Prandaj, e gjitha dialektika politike është e bllokuar, pa të cilën të gjitha spuntot ekonomike dhe sociale paralizohen dhe mbeten në vend.

Padyshim, të gjitha palët politike për të ruajtur marrëdhëniet me organet gjyqësore, bënë ç’të ishte e mundur për të stopuar një reformë, e cila po merrte nga dora e tyre drejtësinë. Tensioni politik që ndihet në ditët e javët e fundit, është pikërisht për këtë arsye, sepse politika shqiptare e ka kuptuar tashmë, që organet e drejtësisë nuk mund t’i lërë t’i ikin nga duart.

Për këtë arsye, deri më tani dhe në vazhdim, vështirë se politika shqiptare do të prodhojë ndonjë lajm të rëndësishëm përveçse ngjarjet që do të vijnë nga drejtësia.

I vetmi lajm që mund të ndikojë jo vetëm politikën e jashtme shqiptare, por, edhe atë të brendshme, është vendimit i Qershorit për hapjen e negociatave. Me procesin e integrimit, politika shqiptare shpeshherë ka luajtur një kartë politike të rëndësishme në betejën e brendshme të saj.

Palët politike, mazhoranca e sotshme dhe ajo e djeshme, kanë bazuar shpesh suksesin apo dështimin te procesi i integrimit. Kështu që, edhe kësaj herë, vendimi për hapjen e negociatave ose jo, do të ketë një impakt të rëndësishëm për politikën e brendshme. Politika shqiptare e di fare mirë këtë, dhe, për këtë arsye kanë vënë në lëvizje çdo instrument sipas strategjive të tyre për këtë qëllim.

I gjithë ky bllokim total i qeverisjes, po kthehet në një barrë ekonomike dhe shoqërore të madhe për qytetarët shqiptarë.

PasPara

2 komente

  1. Deri tashti e hyjnizonit te ashtuquajturen “Reforme ne Drejtesi”,kur ajo permbysie bllokoi shtetin e kjo per disa vite deri ca Aliene te neokomisioneve te pastrojne Stallat e Shtetit.
    qysh ne 2013 u premtua, dhe dihej qe kontrolli I pasurise, I ndihmuar nga Agjensite e Huaja te specializuara, ne se do funksiononte, krahas permiresimit te strukturave te derejtesise, do te ndryshonte fytyren e shtetit. Asnje nepunes me cilendo rroge nuk mund te kete vila, disa apartamente e Range rovera, po nuk ka trasheguar prone e nuk merret me biznes. Keta jane pak e dihet cilet, te tjeret te shkonin ne hapsane, ku ka njerez per energjine per 2gr. ne xhep etj e tje.
    Duhet te presim vite per zyrtaret e drejtesise e pastaj ata realisht te korruptuar sepse fusin duart ne leket e shtetit e jo ne xhepat e klientave (edhe ky eshte krim).
    Ndryshe parole… parole… e ne kembe ne Evrope.

  2. Ka të drejtë autori i shkrimit kur thotë se “reforma në drejtësi ka bllokuar qeverisjen”.
    Përse ?
    Sepse kjo reformë i ka nxjerrë fare jashtë funksionit të gjitha institucionet e drejtësisë e si titullar i vetëm i saj ka marë përsipër ta bëjë detyrën e kryeprokurorit e të kryegjykatësit kryeministri.
    Më tej autori shkruan se opozita ka të drejtë të protestojë, por asaj i mungojnë “alternativat”
    Opozita jo vetëm e ka deklaruar “alternativën” e saj kryesore, por këtë protesta “të drejta” po i bën në funksion të kësaj alternative..
    Opozita po thotë se ky kryeministër nuk është i aftë të qeverisë e si alternativë për të dalë nga kjo gjendje, kërkon dorheqjen e tij..
    Për të shkuar më tej me propogandën se opozita “nuk jep alternativa”, kjo është pikërisht demagogjia që përdor Rama..
    Alternativa tjetër e opozitës, pas asaj të ligjit te dekriminalizimit që dha disa efekte, është edhe ndëshkimi i ministrave të mbrendshëm të akuzuar se kanë familjarë të tyre të përzjerë me mafien e drogës apo kanë bashkëpunuar me mafien e drogës.
    Kjo nuk është alternativë ?
    Në të gjitha paraqitjet publike e në të gjitha protestat e saj, opozita nuk ka dhënë vetëm alternativat e ndëshkimit të krimit të drogës, por edhe programet e detajuara ekonomike, politikën e taksave e prioritetin e investimeve publike.,
    Përse nuk e ndihmon z.Iljazaj opozitën duke përmendur vetë ai ndonjë alternativë që nuk e ka publikuar opozita ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas