Aktualitet

Thaçi: Jo ndarje, por korrigjim të kufijve. Presheva t’i bashkohet Kosovës. Por politikanët…

Pas tezave të hedhura këto ditët e fundit për ndarje të Kosovës dhe shkëmbim territoresh me Serbinë, Hashim Thaçi flet publikisht me një term të ri.

Presidenti i Kosovës thotë se, është i gatshëm për korrigjim të kufijve. Me këtë ai thotë se kupton kërkesën e Luginës së Preshevës që t’i bashkohet Kosovës, ndërsa nuk përmend se çfarë do të kërkojë dhe çfarë do t’i jepet Beogradit.



Në këtë verë të nxehte po artikulohet publikisht më shumë se asnjëherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, për ndarjen e saj apo shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Madje liderët në Prishtinë duket se i kanë dhënë hapësirë dhe e kanë mediatizuar këtë çështje. Më protagonisti është presidenti Hashim Thaçi.

Ai thotë se është kundër ndarjes së Kosovës, por është i hapur për të diskutuar “korrigjimin” e kufijve gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Madje termin korrigjim kufijsh, ai përmendi në një interviste për agjencinë e lajmeve Asocciated Press, por edhe në një postim në faqen e tij në Facebook, pas takimit me kreun e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ish-kryeparlamentarin nga radhët e LDK-së, Nexhat Daci.

“Pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ketë sukses, është i papranueshëm. Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të punojmë që përfundimisht të ndodhë njohja e ndërsjellë formale, de facto dhe de jure, midis dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në.

Pra, nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”,- tha Hashim Thaçi.

Zyrtarë të lartë ne Beograd kane hedhur idenë e ndarjes tokësore të Kosovës, që nënkupton shkëputjen e veriut të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe, por edhe atë të shkëmbimit të mundshëm të territoreve, veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës ne jug të Serbisë, ku shumica janë shqiptare.

Thaçi deklaron se “nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve”, por nuk e saktëson nëse kjo nënkupton edhe ndryshimin e kufijve ne veriun e Kosovës.

Ne shtator dy vendet do të hyjnë në një faze finale të përmbylljes se dialogut mes dy vendeve, ndërsa kjo vere po hedh ne tryeze disa skenare.

Thaçi thotë se është besimplotë që korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi dhe marrëveshja finale e njohjes reciproke që do të ndodhë./TCH/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas