Mapo Letrare

“Testamenti” i Skënder Drinit

Skender-DriniNga Dr. Gëzim Puka

 



“Të vdesësh në këmbë”. Nuk e di pse me erdhi në mendje ky titull filmi, kur mora vesh për vdekjen e Skënder Drinit. Pak kohë më parë, ndërsa pinim një kafe mëngjesi me shkrimtarin që tashmë nuk është më midis nesh, m’u ngulit një shprehje e tij në mendje: “Unë nuk e kam luksin që të sëmurem”. Për ne që e njihnim stoicizmin e tij përballë vuajtjeve që jeta i kishte ofruar, kjo shprehje nuk dukej paradoksale. Mbase ishte lodhur shkrimtari?! Po, Po! Kishte një shfaqje të lodhjes. Çuditërisht nuk e kisha vënë re këtë lodhje midis rreshtave ironikë të “Testamentit” të Skënder Drinit, publikuar pak kohë më parë. Ishte një testament brilant, i një artisti të lodhur nga mungesat që jeta i kishte dhënë.

Sot më shumë se kurrë më ngjajnë të vërteta teoritë letrare formaliste, të cilat i besojnë tekstit dhe shmangin me neveri çdo lloj analize letrare që mbështet në komente biografike apo sociale. Arti i fjalës që prodhoi Skënder Drini gjatë jetës së tij, i ngjante shumë pak personales. Për ata që kanë prekur me sy libra gjatë jetës së tyre, si dhe për ata që vazhdojnë të lexojnë, Skënder Drini është një emër që mbart përmbajtje letrare edhe për lexuesit që do të vijnë. Ai e ka thelluar horizontin e pritjes për lexuesit, që sigurisht në të ardhmen do ta shfletojnë veprën e tij edhe më me pak paragjykime.

Nuk është qëllimi i këtyre rreshtave që të prezantoj në paradë letrare krijimtarinë e larmishme të Drinit, thjesht dua të përcjell një emocion që më ngjall “Testamenti” i tij. Më duket se brenda këtij teksti strategjisë së tij autoriale nuk i ka rrëshqitur dot personales, dhe ka bërë mirë. Poshtë atij personazhi “instrumentistit të trombës” duket se qëndron zemërata më botën tonë shqiptare. Është ky rrethim shoqëror që më pak se kurrë po e kupton artin e vërtetë dhe prodhuesin e tij. Arti si sferë e lirisë është një punë e vështirë në këtë hapësirën shqiptare, ku shpesh për të bërë tekst letrar duhet t’i qasesh qoftë emrave të përveçëm, qoftë emrave të përgjithshëm. Pikërisht këtë bën Drini kur na ndërmend Migjenin, Rreshpen, Hygoin, Balzakun, Ekon. Nuk më duket se është ngushtuar fantazia e shkrimtarit për të trilluar personazhe si të prozës së tij të mëparshme. Ka një arsye që “Testamenti” operon me emra të përveçëm dhe pseudonime si: Kali Arab, Dhelpra, Kokëforti Aktiv, Pacuku, të cilët nuk e dobësojnë tekstin artistik.

“Do t’u lutesha të jeni shumë të vëmendshëm dhe të mos lejoni të më kooptojë ndonjë parti politike, siç ndodh kur ndahet nga kjo botë një figurë e veçantë. E para herë që më jepet rasti të tregoj që nuk kam bërë pjesë në asnjë parti politike, dhe se nuk kam qenë i përkëdheluri i asnjë pushteti. Kjo, jo se unë kam qenë një snob që doja të bëja të veçantin, por sepse nuk ishte e mundur të gjeja një lidhëse që ta mbante të bashkuar politikën me artin.”

Pa asnjë mëdyshje autori e di se arti i tij kërkon ta shpjerë njeriun në botën e lirisë. Tek “Testamenti” shkrimtari Skënder Drini na ka rikonfirmuar atë që Jurij Llotman e sheh si nocionin e artit të lidhur me realitetin në raportet tekst / kufi tekst të pandara nga jeta / vdekja.

“Testamenti” është një përpjekje “dinake” për t’i dhënë edhe njëherë fitoren tekstit letrar mbi prozaizmin e kohës sonë. Autori me këtë tekst të shkurtër letrar pohon thjesht atë që ne të gjithë e dimë, se vdekjes nuk i shmangësh dot, por në anën tjetër na propozon një formë të veçantë të kapërcimit dhe fitores së tij mbi vdekjen.

“Më në fund, dëshirën time më të fundit, më të rëndësishmen dhe më kapitalen: Do t’u përgjërohem të gjithëve, që të bëni të pamundurën dhe të mos më lini të vdes”.

Ja pse m’u kujtua ky titull filmi “Të vdesësh në këmbë”, pa e pasur luksin e të qenit i sëmurë, por me luksin e pasjes së një lexuesi anembanë nëpër shqiptari.

*Dega e Kulturës dhe e Botimeve, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas