Kronika, Kryesore

Terrori në Shkodër… katër të vdekur dhe dy të zhdukur në 3 muaj, vrasjet ende pa autorë

Qarku i Shkodrës është kthyer gjatë muajve të fundit në një prej më problematikëve sa u takon krimeve kundër personit. Seria e vrasjeve u çel me ekzekutimin misterioz të pronarit të një servisi për makinat më 18 qershor.

Mehdi Kavaja u qëllua me plumb në kokë, ndërsa autori ende nuk është zbuluar. Më pas erdhi ekzekutimi mafioz i ish-policit Boran Bërçanës dhe bashkëshortes së tij, Silvana Ndoci, më 15 korrik, të cilët u vranë me breshëri plumbash brenda në makinë, në një kohë kur aty ndodhej dhe djali i tyre vetëm 2 vjeç.



boran-bercama-lamtumire-933x445-770x433

Edhe për këtë ngjarje, ndonëse vrasja u regjistrua nga kamerat e sigurisë, nuk ka ende asnjë të dyshuar dhe arrestuar. Automjeti i përdorur nga autori ishte vjedhur në Kosovë, ndërsa u dogj pas vrasjes në periferi të qytetit të Shkodrës. Vetëm pak kohë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, erdhi vrasja e kunatit të fortit të Shkodrës, Lulzim Kulla, më 10 gusht. Fatbardh Lici u ekzekutua me breshëri plumbash në një lokal.

kulla

Automjeti i përdorur nga autorët ishte vjedhur në Tiranë. Rasti i parafundit është ai i Prendush Fushës, më 27 gusht, që është e vetmja ngjarje e zbardhur nga Policia deri tani. Ai u vra nga fqinji i tij, të cilin e akuzonte se i kishte vjedhur një shumë prej 70 mijë lekësh. Ngjarjen ai e denoncoi në Polici, por pas kësaj, Alfred Pllumbaj u hakmor duke e vrarë me thikë.

Përveç vrasjeve, prej 10 ditësh në Shkodër rezultojnë dhe dy persona të zhdukur. Gëzim Hysaj nga Postriba dhe nipi i tij, Agron Mollaj nga Dobraçi, janë denoncuar në polici nga familjarët si të zhdukur prej datës 23 gusht. Ngjarja është denoncuar si kriminale, por deri tani Policia nuk di asgjë për fatin e këtyre dy personave.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas