Aktualitet

Tekstet e reja, Kristiqi: Asnjë gabim me historinë

Tekstet e reja që nxënësit do të kenë në duar gjatë vitit të ardhshëm shkollor nuk do të kenë gabime, duke filluar nga ato drejtshkrimore e deri tek ato të historisë. Garancia jepet nga drejtues të Arsimit, të cilët bëjnë të ditur se tashmë po ngrihen komisionet e vlerësimit, jo vetëm për gabimet drejtshkrimore, por edhe për ato të përmasave më të mëdha, si ka ndodhur në vitet e kaluara me tema të caktuara në tekstin e Historisë, por edhe me shmangien e termave diskriminues për grupe të caktuara të popullatës.

“Po mendojmë pikërisht për komisionet e vlerësimit, në mënyrë që vlerësimi i këtyre teksteve të jetë serioz, të shmangen mangësitë e viteve të kaluara në krijimin e teksteve që mund të kenë pasur mungesa në anën profesionale. Kështu që, në mënyrë që të kemi vlerësim serioz, dorëzimi i teksteve nga shtëpitë botuese do të bëhet në muajin prill”, – shprehet këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi. Në fillim të muajt prill të gjithë botuesit e teksteve shkollore duhet të dorëzojnë titujt e rinj, si dhe programet e përgatitura për vitin shkollor 2012-2013. Autoritetet e Ministrisë së Arsimit deklarojnë se puna ka nisur nga botuesit, tekstet e të cilëve do të përzgjidhen në bazë të disa kritereve, si metodika që ato ofrojnë, teoria dhe praktika që ato kanë përfshirë. Në fondin e titujve të paraqitur për të gjithë sistemin parauniversitar, përfshihen rreth 750 tituj tekstesh, në të cilat  ka edhe libra të përkthyer nga autorë të huaj. Autoritetet e arsimit thonë se edhe këtë vit do të ketë tekste nga autorë të huaj, madje disa prej tyre do të jenë edhe online. “Sigurisht nuk janë shumë, por gati të gjitha tekstet e gjuhëve të huaja janë të autorëve të huaj. Komplet të gjitha, sidomos shkolla e mesme, por dhe në shkollën 9-vjeçare të gjitha tekstet janë me autorë të huaj”, – pohon  Kristiqi. Ndërkohë që edhe në Maturën e vitit të ardhshëm pritet të ketë tituj të rinj tekstesh. Zyrtarët e Ministrinë e Arsimit thonë se ky nuk do të jetë një ndryshim i ri kurrikulash, por një riformatim ndryshe i tyre.



 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas