Aktualitet, Kryesore

Teknologjia që po “lë” pa punë shqiptarët; Ja kush janë sektorët më të rrezikuar…

Revolucioni i 4-t teknologjik ka filluar të bëhet i prekshëm edhe për Shqipërinë. Përfaqësues nga sektorë të ndryshëm që kanë filluar të përdorin teknologjinë e fjalës së fundit dhe të automatizojnë proceset, flasin për rritje të produktivitetit, ulje të marzheve të gabimit dhe rritje të cilësisë. Si ndryshimet teknologjike po rikonfigurojnë tregun e punës? Bankat, sektori më i prekur..

Nga Ledina Loga



“Center Shqiptare Group”, me qendër në Berat, e specializuar për çantat e letrës dhe veshjet e punës, me sistemin material porositësi, është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Kompania ka rreth një mijë punonjës dhe është ndër 30 punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Për efekt zgjerimi, drejtuesit e saj ishin në kërkim të rreth 300 punonjësve për repartin e ri. Por, teksa nuk arritën të gjenin fuqi punëtore të kualifikuar dhe nuk gjetën mbështetje për trajnimin e tyre, Lumir Osoja, drejtuesi i kompanisë thotë se vendosi të blinin një makineri të sofistikuar në Gjermani, që kushtonte rreth 1 milion euro, që me një të rënë të lapsit zëvendësoi punën e 300 punonjësve.

Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve, tha për “Monitor” se “ajo që kemi dëgjuar të flitet në Forumin Ekonomik Botëror për Revolucionin e Katërt Industrial, ndonëse duket si e largët, po zbatohet instinktivisht dhe nga sipërmarrësit shqiptarë”.
“Tashmë industritë tona, ose ekonomia jonë, janë të orientuara drejt rajonit dhe botës. Gjithçka që ndodh në ndryshimet teknologjike në mos për dy apo tre muaj, brenda gjashtë muajve fillon të adoptohet edhe në Shqipëri, tha Shkodra për “Monitor”.

Megjithatë, sipas tij, qasja që kanë kompanitë shqiptare me teknologjinë lidhet, së pari me mungesën e krahut të kualifikuar për punë cilësore dhe me kosto të ulët dhe, së dyti, me kopjimin e teknologjive që përdorin kompanitë partnere jashtë.

Edhe për Rezart Priftin, profesor i lëndës së inovacionit në Fakultetin Ekonomik dhe kërkues shkencor, Shqipëria është ende larg zhvillimeve teknologjike në botë. Sipas profesorit, në Shqipëri, edhe pse shumë firma kanë tentuar që të fusin teknologjitë e fjalës së fundit, të investojnë, të blejnë makineri, të rrisin eficencën, jo detyrimisht kanë ulur vendet e punës. Ai thotë se problemi qëndron se kompanitë nuk kanë aq kapacitete absorbuese kur vënë në përdorim teknologji të re dhe nuk janë eficente në përthithjen e saj. “Në rast se investimi nuk përkthehet në të ardhura më shumë, atëherë nuk ka eficencë”, – tha Prifti për “Monitor”.

Si fillim, procesi i automatizimit nisi si masë për reduktimin e kostove, por më vonë u kuptua se automatizimi i proceseve rriste produktivitetin e kompanive, përmirësonte cilësinë e punës dhe reduktonte detyra rutinë, duke eliminuar edhe gabimet njerëzore.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Revolucioni dixhital në banka

Në vitin 2009, ProCredit kishte 867 punonjës dhe 42 degë, sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Në fund të vitit 2017, numëronte 202 punonjës dhe 7 degë. Banka ka qenë një nga pionieret në automatizimin e proceseve në sektorin bankar shqiptar.

ProCredit vuri për herë të parë në përdorim teknologjinë e fundit, me anë të së cilës kanë arritur të zëvendësojnë tërësisht pozicione pune që merreshin me punë rutinë dhe që nuk kërkojnë një shkallë të lartë përfshirje, si numërim cash-i, apo kryerje detyrash të thjeshta operacionale.

“Përdorimi i teknologjisë na ka dhënë mundësi të shumta për të arritur pritshmëritë tona të biznesit, si përmbushja e nevojave të klientëve tanë me eficencë dhe ofrimi i mundësisë për të përdorur shërbimet bankare 24/7”, thotë znj. Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Bankës ProCredit Shqipëri. Ajo shton se ProCredit, falë përdorimit të teknologjisë, ka automatizuar rreth 99% të transaksioneve të saj, gjë që demonstron qartë fokusin për kanalizimin e transaksioneve në pajisjet elektronike dhe online.

Edhe bankat e tjera po e shikojnë si një sfidë përballjen me ndryshimet teknologjike. “Transformimi ynë dixhital do të vazhdojë përmes ofrimit të më shumë produkteve dhe shërbimeve online, duke i bërë veprimet bankare më të përshtatshme për klientët tanë”, pohon Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri, e dyta më e madhe në vend.

Për z. Maltin Korkuti, drejtori i Credins Bank, sfida teknologjike në shërbimet bankare është e madhe, pasi nuk mjafton investimi, por ka një kontekst rregullator dhe ligjor të ndërlikuar, si dhe një konkurrencë në rritje nga institucionet jo banka. “Por është një domosdoshmëri që brezi aktual konsumator e ka prioritet dhe ne, si bankë, synojmë të propozojmë zgjidhjet tona”, shton ai.

Z. Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania, pohon se në afatin e mesëm, sistemi bankar do të duhet të përballet me Revolucionin Dixhital. “Ne tashmë kemi hyrë në një epokë të re, veçanërisht sa i përket banking-ut me pakicë. Çdo bankë duhet të përditësojë modelin e saj të biznesit, duke pasur parasysh se gjeneratat e reja do të kenë qasje në shërbimet bankare, kryesisht ose vetëm nëpërmjet kanaleve dixhitale.

Është e parashikueshme domosdoshmëria për të rishikuar praninë e rrjeteve fizike dhe integrimi i të gjitha kanaleve dixhitale, në një platformë të vetme, duke u mundësuar klientëve të marrin gjithë shërbimin, duke përdorur një pikë hyrjeje të vetme. Nuk duhet të nënvlerësohet fakti që teknologjitë e reja lejojnë lojtarë të tjerë të hyjnë në arenë. Gjithnjë e më shumë banka do të përballen me kosto jashtëzakonisht të larta për t’u përshtatur me realitetin e ri”, pohon CEO i Intesa Sanpaolo.

I gjithë ky revolucion dixhital pritet që ta bëjë më pak të kërkuar kapitalin human, teksa një pjesë e tij do të zëvendësohet nga automatizimi. Sipas Shoqatës së Bankave, numri i punonjësve në sistemin bankar ishte rreth 6,900 persona në fund të 2017-s dhe ka mbetur pothuajse i pandryshuar në tre vitet e fundit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Profesionet që rrezikohen në Shqipëri

Në teori, ndryshimet teknologjike kanë ndikuar po aq shumë në tregun e punës, sa edhe në formim. Rezart Prifti, pedagog dhe kërkues shkencor, sjell si shembull se nëse do të aplikosh për një vend pune gazetar duhet të dish së paku disa baza të programimit. Të kesh njohuri bazike në informatikë.
Megjithëse, në teori, thuhet se teknologjia mbyll vendet e punës, për profesorin ajo shton disafish më shumë dhe njëkohësisht konfiguron nevojat e tregut të punës.

Ndërsa Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, thotë se sektori që do të preket më shumë, do të jetë industria, por nuk përjashton as shërbimet. Ai sjell si shembull shërbimin nga call center.

Me zhvillimet teknologjike, nuk do të jetë më e nevojshme të jetë një operator pas telefonit, por një robot do të përgjigjet duke përkthyer të gjitha të dhënat që ka në databazë në tingull. Ai parashikon edhe uljen e vendeve të punës në sektorin bankar.

“Bankat do frekuentohen më pak dhe do të ketë më shumë automatë. Shumë nga zanatet në industritë prodhuese do të zëvendësohen nga krahu robotik”, – u shpreh Arben Shkodra.

Teknologjia lehtëson fshatin, por ul nevojën për punonjës

Bujqësia është burimi kryesor për furnizimin me ushqim të çdo vendi, qoftë ky i zhvilluar ose jo. Me rritjen e popullsisë, por edhe të urbanizimit, duke qenë se më shumë njerëz po jetojnë në qytet, automatizimi i proceseve dhe teknologjia ka qenë domosdoshmëri. Eduard Istrefi, përfaqësues i Istrefi Company, që sjell për tregun shqiptar pajisje që automatizojnë procese të ndryshme në ferma, thotë për “Monitor” se teknologjia ka lehtësuar fshatin nga punët e rënda të mëparshme, ka rritur produktivitetin në ferma, por edhe cilësinë e produkteve bujqësore. Bazuar në shkencë, sot një fermë, blegtorale apo bujqësore, mund të ketë rendiment më të lartë prodhimi.

Si rast suksesi për automatizimin e fermave, Eduard Istrefi solli rastin e pularive, ku teknologjia ka përparuar aq shumë, ku për një fermë me 25 mijë krerë nuk kërkohen më shumë se dy persona për ta menaxhuar të gjithën. E gjithë pularia është e automatizuar duke filluar që nga linja e ushqimit, e ventilimit, dërgimi i ujit, sistemi i ngrohjes, si dhe linja e ushqimit. I gjithë ky sistem menaxhimi komandohet nga një kompjuter, ku vendosen paraprakisht të gjitha të dhënat. Sistemi menaxhues llogarit të gjithë parametrat teknikë në bazë të numrit të krerëve të pulave.

Pasi vihet në përdorim e gjithë teknologjia e fjalës së fundit, kompjuteri dërgon vazhdimisht komanda. Istrefi shton se stafi, i përbërë vetëm nga dy persona, nuk ka aspak nevojë që të jetë i kualifikuar, madje edhe nuk janë të nevojshëm, duke qenë se në këtë industri, gabimet njerëzore kanë rezultuar më të shpeshta se ato nga kompjuteri.

Thuajse të gjitha pularitë që operojnë në tregun shqiptar kanë vendosur t’i automatizojnë fermat e tyre. Kostot për një pulari tërësisht të automatizuara me 25 mijë krerë pulë dhe me një sipërfaqe prej 1400 m² llogaritet të jenë 100 mijë euro. Ndërsa për pulari gjysmë të automatizuara, kostot llogariten deri në 85 mijë euro.

Si ndikon teknologjia në bujqësi

Sipas Eduart Istrefit, automatizimi ul kostot e prodhimit. Te një fermë e paautomatizuar kërkohen 10-15 të punësuar, proceset janë manuale, ndërsa faktori njerëzor është problem për gabime në industri. Edhe fermat e gjedhëve janë bërë automatike, dikur mjelja bëhej me dorë, sot me makineri. Me kalimin e kohës fermat po bëhen më moderne.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Sistemi i dobët arsimor, larg me nevojat e tregut

Sistemi arsimor duhet të përshtatet me ndryshimet në teknologji dhe të jetë i përditësuar, i përshtatshëm, modern dhe domethënës në mënyrë që të përftojnë aftësitë e nevojshme që kërkon shekulli i 21-të. Rezart Prifti, i cili jep lëndën e inovacionit në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës, thotë se sot ata i mësojnë studentët për një të ardhme të paparashikueshme.

“Kemi dëgjuar shpesh se ka shumë ekonomistë…, se të gjithë po mbarojnë juridikun…., nuk ka rëndësi se kush mbaron çfarë. Stoku i njohurive që një student merr sot është i vlefshëm 3-6 muaj. Nëse nuk i vë në përdorim, ai duhet të rikualifikohet. Sot nuk kemi të bëjmë thjesht me ekonomi, por me ekonomi të bazuar mbi njohuri, -thotë profesor Rezart Prifti duke sjellë si shembull edhe përvojën e tij në arsim.

Sa vlejnë diplomat

Diplomat që merren nga shkollat tona janë zero të vlefshme. Duke parë tregun se si funksionon jashtë, nëse një profesion mbyllet për shkak të ndryshimit të tregut, të jepet mundësia për t’u rikualifikuar. Ndërsa në Shqipëri është e vështirë që të kualifikohesh, ndërsa rikualifikimi nuk merret në konsideratë. Kjo vjen prej sistemit të ndërtuar gabim. Universiteti është një sistem jashtë tregut, studentët pas tre viteve dalin nul, dhe sipas profesorit, nuk është faji i tyre, por i një sistemi që nuk formon.

Sipas tij, diplomat që merren nga shkollat tona janë zero të vlefshme. Duke parë tregun se si funksionon jashtë, nëse një profesion mbyllet për shkak të ndryshimit të tregut, të jepet mundësia për t’u rikualifikuar. Ndërsa në Shqipëri është e vështirë që të kualifikohesh, ndërsa rikualifikimi nuk merret në konsideratë. Kjo, sipas tij, vjen prej sistemit të ndërtuar gabim. Universiteti është një sistem jashtë tregut, studentët pas tre viteve dalin nul, dhe sipas profesorit, nuk është faji i tyre, por i një sistemi që nuk formon. Cilësia e dobët e studentëve që dalin nga auditorët e universiteteve apo shkollave profesionale në Shqipëri është problem madhor edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.

“Ne nxjerrim studentë shumë të dobët. E fillojmë mësimin me mënyrën e vjetër dhe e vijojmë deri në universitet me mënyrën e vjetër. Shkollat profesionale dhe universitetet janë pjesa fundore e arsimimit, nuk përgatisin punonjës të kualifikuar, janë lëshues diplomash. Kemi një çudi me universitetin. Universitetet që duhet të ishin të profilizuar kanë filluar që të bëjnë gjithçka që bëjnë universitetet e tjera, sepse janë në garë për studentë dhe për të ardhura”, argumenton Shkodra.

Teknologjia po kërcënon Call Center në vendet në zhvillim

Call Center kanë krijuar mijëra vende pune në botën në zhvillim. Teknologjia kërcënon t’i eliminojë sërish ato …

Rrallëherë gjen ndonjë vend që ka ndryshuar aq shumë nga një industri, si Filipinet nga call center, shkruan The Economist. Vendet e para të punës “në transferimin e procesit të biznesit” u shfaqën në vitet ‘90: ky term mbulon detyra nga përgjigjet e telefonatave e deri te përpunimi i faturave dhe animimi i shfaqjeve televizive, kryesisht për firmat dhe qeveritë e botës së pasur. Kjo industri tani punëson rreth 1.2 milionë persona dhe llogaritet për rreth 8% të PBB-së së Filipineve. Vendi ka kaluar tashmë Indinë, edhe pse India ka rreth 12 herë më shumë njerëz.

Megjithatë, Filipinet kanë gjithashtu mundësi të përfaqësojnë fundin e linjës. Teknologjitë e reja do të eliminojnë shumë vende pune në call center dhe të ndryshojnë të tjerë. Në rastin më të mirë, vendet e punës do të krijohen më ngadalë në Filipine dhe Indi; në rastin më të keq ato do të zhduken. Dhe ka mundësi që në asnjë vend tjetër nuk do të jenë në gjendje të dalin nga varfëria sikundër kanë bërë. Aty nuk mund të ketë kurrë një tjetër Manila.

Në përgjithësi, përhapja e call center ka qenë një ndihmë kolosale për filipinasit, të cilët flasin mirë anglisht. Me kaq shumë punëdhënës në dispozicion, ata mund të kërkojnë punë në palestra, kafene dhe dhoma me lojëra kompjuterike, si dhe paga më të larta. Punëtorët me përvojë shpesh mund të gjejnë punë menaxheriale.

Por ata ka të ngjarë të jenë të pakënaqur, sepse industria e call center është në prag të një ndryshimi të thellë. Kompanitë perëndimore inkurajojnë gjithmonë e më shumë konsumatorët që të krijojnë kontakt me anë të email-it ose chat online. Robotët software shpesh mund t’i trajtojnë këto kërkesa. Sistemet më të zgjuara, të tilla si “Celaton”, një tjetër firmë britanike, ka ndërtuar për “Virgin Trains”, referon pyetjet më komplekse për personat operatorë dhe mëson nga përgjigjet. Sa më gjatë të drejtojnë, aq më mirë performojnë.

Robotët software po bëhen thjesht më të shpejtë, më të mençur dhe më të lirë. Punëtorët e call center do të duhen ende, jo për detyra të përsëritura, por për të bindur konsumatorët në blerjen e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Kjo është një punë më e vështirë që kërkon aftësi më të mira gjuhësore.

Punëtorët robotë, shtetet me numrin më të lartë të tyre

Epoka makinave dhe robotëve duket se ka filluar vërtet. Të dhënat nga Federata Ndërkombëtare e Robotikës tregojnë se ritmi i automatizimit industrial po përshpejtohet në pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara, ku shifrat tregojnë se për çdo 10 mijë të punësuar në të gjithë botën, janë instaluar 66 robotë industrialë në 2016-n. Një vit më vonë, ky raport ishte 74. Europa ka numrin më të madh të robotëve për 10 mijë të punësuar, me 99 njësi, ndërsa Amerika dhe Azia ka respektivisht 84 dhe 63.

Në 2016-n, Koreja e Jugut kishte të instaluar 631 robotë për 10 mijë të punësuar. Kjo kryesisht për shkak të instalimit të vazhdueshëm të robotëve në sektorët e elektronikës dhe prodhimit. 90% e robotëve industrialë në Singapor janë në industrinë elektronike. Vendi renditet i dyti për sa i përket densitetit të robotëve për 10 mijë banorë. Gjermania dhe Japonia janë të njohura për industritë e tyre të automatizuara dhe kanë një densitet mbi 300 robotë për 10 mijë të punësuar. Japonia është një prej aktorëve kryesorë në industrinë e robotikës, dhe përgjigjet për 52% të furnizimit global.

Në Shtetet e Bashkuara, ritmi i automatizimit është më i ulët, vetëm 189 për 10 mijë punëtorë. Kina është e prirë për të rritur nivelin e automatizimit në vitet në vazhdim, për të kapur objektivin e të qenët në dhjetë vendet e para për densitet të lartë robotësh deri në 2020. Norma e densitetit ishte 25 njësi në 2013 dhe u rrit në 65 njësi në 2016-n. India është ende pas vendeve fqinje në automatizimin e proceseve dhe ka vetëm tre robotë industrialë për 10 mijë të punësuar në 2016-n.

 

 

 

 

 

 

 

 

Automatizimi mund të eliminojë 73 milionë vende pune deri në 2030

Evolucioni i shpejtë i Inteligjencës Artificiale mund të eliminojë deri në 73 milionë vende pune deri në 2030 në Amerikë, sipas një raporti të fundit nga Instituti McKinsey. Kërkimi shkencor ka dalë në përfundimin se humbjet mund të amortizohen nëpërmjet rritjes së produktivitetit, rritjes ekonomike, si dhe faktorëve të tjerë. Sidoqoftë, mbajtja e punësimit të plotë ka gjasa të jetë sfiduese duke qenë se ekonomia dhe tregu i punës do të kërkojnë konfigurim masiv.

Një automatizim i ndërmjetëm (jo i plotë) mund të çojë në një humbje prej 39 milionë vendesh pune, ndërsa një proces i shpejtë automatizimi mund të ketë një kosto prej 73 milionë vendesh pune. Pavarësisht humbjeve të mundshme, rreth 20 milionë njerëz të zhvendosur nga puna mund të shkojnë në vende të ngjashme pune, ku do të përballen me detyra pak të ndryshme. Megjithatë, një pjesë e madhe do të duhet të trajnohet tërësisht, jo vetëm në shtetet e Bashkuara por edhe shumë vende të zhvilluara. McKinsey raportoi se një e treta e forcës punëtore në Amerikë ka nevojë që të ritrajnohet, si dhe thuajse gjysma e forcës punëtore në Japoni.

Automatizimi i shpejtë gjithashtu mund t’i kushtojë Kinës dhe Indisë respektivisht 236 dhe 120 milionë vende pune deri në 2030. Në Japoni, skenari më i keq parashikon një humbje prej 30 milionë vende pune. Meksika do të ketë rreth 18 milionë punëtorë të zhvendosur deri atëherë, ndërsa Gjermania parashikon rreth 17 milionë. Më të kërcënuar prej automatizimit janë punëtorët në sektorin e ushqimeve të shpejta ose operatorët e makinerive dhe pajisjeve. Punët më të sigurta janë menaxherët, inxhinierët, shkencëtarët, mësuesit dhe hidraulikët.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas