Kryesore, Mapo Format

Teknologjia mobile, një zgjidhje e natyrshme për problemet e biznesit

Këto mjete japin mundësinë e shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit dhe gjithashtu ato janë të përdorshme pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë. Informacioni mund të shfaqet në mënyra të ndryshme duke filluar nga një email i thjeshtë deri në programet app që e sjellin materialin të ndarë në fusha dhe në kategori.

Nga Erdet Këlliçi



Informacioni është çelësi që një organizatë të arrijë përmbushjen e misionit të saj dhe krijimin e avantazheve konkurruese. Kur flasim për informacion kemi parasysh larmishmërinë e tij, saktësinë e tij dhe shpejtësinë e marrjes së informacionit në nivelet e ndryshme të organizatës. Organizata e cila ka në përdorim një informacion të pasaktë dhe të papërditësuar e ka shumë të vështirë të mbijetojë në një ekonomi globale. Liria e kryerjes së një ose disa proceseve pune për punonjësit në kushtet e operimit jashtë zyrave të organizatës është një aspekt tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe rritjes së performancës së vetë punonjësit, si dhe të organizatës. Organizata duhet t’iu vendosë në përdorim punonjësve të vetë mjetet më të përshtatshme dhe informacion të përditësuar për një gamë të gjerë variablash të cilët konsiderohen si elemente çelës për zhvillimin proceseve të punës së përditshme ku ndër të cilat mund të përmendim nivelin e inventarit të produkteve, vendimet e rëndësishme operacionale, informacion i detajuar për produktin i cili mund të jetë një shërbim apo një mall. Informacion i detajuar për disa nga variablat çelës të përmendur më sipër mund të ofrohet vetëm nëpërmjet mjeteve teknologjike siç janë kompjuterat, televizioni, radioja, telefonat e zgjuar ose jo, dokumente të printuara apo shkruara etj. Mënyra e ofrimit të informacionit është vetëm një pjesë e vogël e mozaikut të madh të një procesi pune. Mënyra e ofrimit të informacionit te përdoruesi fundor dhe në rastin e këtij punimi te punonjësi në fushë dhe jo vetëm, duhet të jetë sa më i thjeshtë dhe efikas. Një mënyrë e thjeshtë dhe efikase e ofrimit të informacionit te punonjësi është teknologjia mobile. Këto mjete teknologjike janë të përmasave të vogla, pra të lehta për t’u mbajtur me vete, lejojnë një nivel të lartë modelimi, pra informacioni mund të shfaqet në mënyra të ndryshme duke filluar nga një email i thjeshtë deri në programet app të cilat e shfaqin informacionin të ndarë në fusha dhe në kategori. Këto mjete japin mundësinë e shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit dhe gjithashtu ato janë të përdorshme pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë. Teknologjia mobile është një mjet shumë i përshtatshëm i cili përmirëson dukshëm sistemet e planifikimit të burimeve të organizatës duke përdorur gjerësisht funksionalitetin e saj të dërgimit dhe përditësimit të informacionit në kohë reale çka lehtëson parashikimin e shitjeve të produkteve si dhe përmirësimin e sistemeve të marrëdhënieve me klientin, duke shfrytëzuar funksionalitetet si pozicionimi gjeografik, regjistrimi i kohës së shërbimit, prova e firmës elektronike, fotografimi, filmimi dhe ndërveprimi në kohë reale me sistemet e informacionit të organizatës.

 

Studimi

Ky studim ka për qëllim të kryejë një vëzhgim mbi organizatat të cilat ofrojnë shërbime në vendin tonë dhe të cilat përdorin teknologjinë mobile për kryerjen një pjesë të caktuar procesesh pune. Në këtë studim gjithashtu janë përfshirë edhe dy organizata të cilat nuk përdorin teknologjinë mobile, por mund të përmirësojnë disa procese pune të cilat janë voluminoze por kanë ngjashmëri me organizatat e studiuara. Studimi ka si objektiv kryesor të nxjerrë në pah të mirat që vijnë nga përdorimi dhe integrimi i teknologjisë mobile në organizatë duke i analizuar ato në lidhje me përfitimet financiare dhe operacionale që rrjedhin si rrjedhojë e përmirësimit të proceseve specifik të punës. Ky studim synon që të vlerësojë specifikisht teknologjinë mobile dhe të nxjerri në pah funksionalitetet të cilat këtë teknologji e kthejnë në zgjidhjen më të mirë për disa prej problemeve të mprehta të biznesit siç mund të jetë mbledhja, shpërndarja dhe përditësimi i informacionit, kontrolli i proceseve të ndryshme të punës, kontrolli i punonjësve dhe mjeteve teknologjike. Në këtë studim një pjesë të veçantë zë edhe siguria e informacionit i cili gjendet jashtë zyrave të organizatës në pajisjet mobile dhe praktikat më të mira të cilat duhet të ndiqen në mënyrë që informacioni në këto pajisje të jetë sa më i sigurt dhe i vështirë për t’u aksesuar nga persona apo pajisje jashtë vetë organizatës.

 

Rastet

Duket qartë se dy kompanitë të cilat kanë futur në Shqipëri Mobile Pyment janë duke konkurruar seriozisht produktet e ngjashme bankare të calt janë në tregun tonë prej kohësh. Në vitin 2013 bankat e nivelit të dytë kanë regjistruar 41341 klientë ndërkohë kompania M-Pay e cila filloi të operoj në treg duke filluar në 10 Prill 2013 ka regjistruar 32021 klientë të rinj pra vetëm 23% më pakë se të gjitha bankat e nivelit të dytë së bashku. E njëjta gjë vlen edhe për numrin e transaksioneve të realizuara. Studimi tregon se numri i lexuesve është ulur me 17% si pasojë e implementimit të teknologjisë mobile dhe gjithashtu printohen 56.8 herë më pak fletë në muaj duke kursyer letër dhe bojë si dhe duke u sjellë si një organizatë e përgjegjshme ndaj ambientit pasi redukton ndotjen. Vodafone Albania ka ulur me 50% kostot për rimbushjen e numrave me parapagesë duke përdorur shërbimin M-Pay, ka rritur besnikërinë e klientit nëpërmjet aplikacionit myVodafone[11] duke ofruar funksionalitete për kontrollin e llogarisë telefonike si dhe oferta për produkte të cilët mund të blihen nëpërmjet këtij aplikacioni, ka eliminuar konfliktet midis shitësve ruralë duke ndarë zonat gjeografike nëpërmjet shfrytëzimit të funksionalitetit GPS. Interbrands Sha ka bërë të mundur kursimin e karburantit me rreth 15% për çdo shitës në terren duke kontrolluar shpejtësinë e mjetit në kohë reale si dhe duke paracaktuar një rrugë ditore për çdo shitës.

 

Përfitimet

Përfitimet operacionale: konsistojnë në parapërcaktimin e saktë të një plani pune ditor të mirë përcaktuar për shitësit/punonjësit në terrenet, nivel më të ulët inventari si pasojë e përdorimit të teknologjisë mobile, si në mjetet e transportit ashtu edhe në magazinat qendrore, rritje e eficiencës për punonjësit në bazë të mirë përcaktimit dhe përpunimit të shpejte të informacionit, gjithashtu për arsye se punonjësit ndihen të vëzhguar pasi pajisjet mobile në momentin e kryerjes së transaksionit regjistrojnë orën ekzakte si edhe pozicionin gjeografik çka bën që punonjësit të ndihen të vëzhguar dhe studimet kanë treguar se në këto raste ata performojnë më mirë se në rastin kur nuk ndihen të vëzhguar nga eprorët. Regjistrimi i pozicioneve gjeografike gjatë procesit të punës me pajisjet mobile lejon krijimin e një harte GIS e cila përmban informacione të nevojshme të cilët mund të përdoren për të gjetur rrugën më të shkurtër për të shkuar pranë klientëve si dhe shërben si një hartë për punonjësit e rinj të kompanisë të cilët nuk janë ambientuar me zonën e shërbimit. Përfitimet financiare: Ulje të kostos së magazinimit si pasojë e uljes së nivelit të inventarit në magazinë dhe në mjetet e transportit. Ulje e kostos së printimit si pasojë e uljes së nevojës për dokumente të printuara për punonjësit të cilët zhvillojnë procesin e punës jashtë ambienteve të zyrave. Ulje e kostos së përgjithshme të cilat vijnë nga rritja e performancës dhe maksimizimi i kohës së punës për punonjësit. Ulje e kostos si pasojë e reduktimit të disa hallkave për një proces pune duke sjellë për rrjedhojë më pakë ngarkesë për person dhe reduktim stafi në zyra. Kursim i energjisë elektrike si rrjedhoje e përdorimit të teknologjisë mobile çka sjell uljen e përdorimit të printerave si dhe vetë pajisjeve kompjuterike.

Siguria është një nga elementet kryesore ku bëhet fjalë për informacionin e organizatës dhe në rastin e teknologjive mobile një pjesë e informacionit gjendet në pajisje te cilat ndodhen jashtë zyrave të organizatës dhe në pajisje të cilat mund të humbasin ose vidhen lehtësisht. Për këtë arsye organizatat të cilat një pjesë ose gjithë informacionin e përpunojnë dhe e mbajnë në këto pajisje mobile duhet të marrin masa për minimizimin e rreziqeve të sigurisë duke implementuar sisteme të sigurta dhe të përditësuara në mënyrë periodike.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas