Teknologji

Teknologjia, “miku” apo “armiku” ynë?! – është mirë ta dini se më kë shoqëroheni

Teknologjia është kthyer tashmë në domosdoshmëri për pjesën dominuese të shoqërisë, kryesisht për pjesën më aktive të saj.  Sistemi arsimor, ai shëndetësor, komunikacioni, transporti, çdo hallkë e ekonomisë, janë  sot të varura thuajse plotësisht nga instrumente të teknologjisë, çka padyshim ka sjellë benefite në çdo sektor ku është aplikuar.

Jeta jonë është transformuar tërësisht  në saj të përdorimit të teknologjisë, zhvillimi i së cilës nuk ka të ndalur dhe natyrshëm të gjithë e lexojmë si jetë më të lehtë. Të mirat që burojnë nga stadet ku ka arritur sot teknologjia janë të prekshme nga kushdo, kudo.



Por, a ka një anë tjetër të medaljes “pushtimi” teknologjik?

Duke besuar e pranuar se teknologjia e ka bërë jetën më të lehtë se kurrë, sidomos në aspektin praktik të të mbaruarit punë në përditshmërinë tonë, ne nuk e dimë që, dëmi që na shkakton bashkëjetesa me të, shpeshherë është më i madh se përfitimi. Një raport i tillë kurrsesi nuk mund të hidhet poshtë, nëse pasojat e përdorimit të saj, prekin shëndetin tonë.

Qëndrimi gjatë para monitorëve dhe navigimi në kanalet pa fund të informacionit global që na ofrohet tashmë jo fort kushtueshëm, më së shumti janë parë si problem social, sidomos për kategorinë minorene. Raporti me teknologjinë shihet edhe si shkaktar dominues i obezitetit nga i cili burojnë një sërë problemesh të tjera shëndetësore.

Por në fakt, ndër rreziqet më serioze që i kanoset shëndetit të çdonjërit prej nesh, është rrezatimi jo-jonizues.

Antenat e telefonisë celulare, përcjellëse të këtij rrezatimi, janë parë e trajtuar si dëmprurëse për jetën e njerëzve dhe jo vetëm, ndaj pozicionimi i tyre në raport me zonat e banuara, është i rregulluar me ligj.

Një tjetër rrezik që siç duket ende nuk është evidentuar, është prezenca e aparaturave të transmetimit që përçojnë rrezatim jo-jonizues në ambientet e banimit apo ato të punës. Thuajse në çdo zyrë e familje prezenca e këtyre aparaturave, sot është e pashmangshme.

Kryetari i Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimet pranë Institutit të Shëndetit Publik, Rrustem Paci, në një prononcim për portalin “tesheshi.com”, bëri me dije se niveli i rrezatimit të këtyre aparaturave është në varësi të fuqisë së transmetimit të tyre. Por sipas tij, ky dimension i rrezikut nuk është trajtuar në aspektin ligjor asnjëherë në vendin tonë.

Madje sipas tij, në këtë drejtim, nuk ekziston ndonjë praktikë ndërkombëtare. Ai sqaron se lidhja kabllore e internetit nuk përbën asnjë rrezik, ndërkohë që këshillon përdoruesit të fikin aparaturat e warles-it gjatë kohës që ato nuk përdoren, sidomos gjatë natës.

Ligji  Nr.10469, datë 13.10.2011 “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”, ka për qëllim vetëm kontrollin e ekspozimeve të publikut dhe të punonjësve, si dhe monitorimin  e rrezatimeve jo-jonizuese, duke shfrytëzuar të mirat që vijnë nga përdorimi i tyre.

Gjithashtu ky ligj përcakton masat që synojnë mbrojtjen e publikut dhe të punonjësve nga efektet dëmtuese në shëndet, si rezultat i ekspozimit të tyre ndaj rrezatimeve jo-jonizuese në intervalin e frekuencave 0-300 GHz.

Në nenin 3 të këtij ligji, termi “Efektet dëmtuese shëndetësore” përkufizohen efektet biologjike, që kanë pasoja dëmtuese në gjendjen fizike, mendore ose të përgjithshme të njerëzve të ekspozuar, qofshin ato afatshkurtra ose afatgjata, ndërsa “Ekspozim ndaj rrezatimit jojonizues” përkufizohet,  rrezatimi i një individi nga fushat elektrike, magnetike ose elektromagnetike. /tesheshi.com/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas