Mapo Letrare

Të zgjedhësh një libër

Nga Arta Marku

Libra gjithandej. Në valixhen e udhëtimit, në çantën e plazhit, nën hijen e çadrës, direkt e në rërë, në freskun e pishave, në teleferik, mbi asfaltin e rrugës, në tryezën e restorantit… Në shtëpi po se po. Mbi çarçafët e rrudhosur të shtratit, mbi komodinë, mbi raftin e këpucëve në korridor, gati për ta marrë në dalje për mos mbetur asnjë çast pa librin. Dhe pastaj në autobus, në trotuar mbështetur pas murit të oborrit të kafenesë në pritje të shoqes që po vonohet pak (mëkat që biseda me shoqen në tryezën e barit me një kafe të shkurtër përpara do ta ndërpresë leximin).



Libra gjithandej. Dhe jo një e dy por grumbuj të tërë me tituj, si barrikada në rrugën tënde, që nuk të lënë mundësi të kalosh shpërfillshëm. Botuesit as në ëndërr nuk e kanë parë këtë vëmendje ndaj librave, librashitësit nuk e kanë menduar kurrë se mund t’u zbrazeshin raftet kështu e autorët as në fantazinë më të çmendur nuk e kishin parë veten papritur e pakujtuar në qiellin e shtatë duke shijuar etjen e lexuesve për krijesat e tyre.

Libra gjithandej. Rrjeteve sociale derdhen fotot që e dëshmojnë këtë lidhje të fuqishme me librin. Libra dhe vetëm libra…

***

Pastaj e lashë mënjanë celularin me të cilin shëtisja në botën virtuale të facebookut dhe instagramit dhe zbrita në realitet. Kaq shumë libra dhe kaq shumë dashuri e derdhur për to, më kishte lënë pa fjalë. Kisha zgjedhur foton më joshëse dhe kisha marrë librin që paraqiste ajo. Titulli ishte gati të më dilte në ëndërr, aq shumë sa ishte përmendur, bashkë me autoren. Dhe kështu prej një kohë te gjatë. Mos ndoshta kur e kisha shpërfillur e kisha paragjykuar? Ndodh që titujt shumë të lakuar të jenë zhgënjyes. Këtu zinte fill paragjykimi im i përhershëm. Por do ta provoja kësaj here. Këta lexues të etur diçka dinë, me siguri.

Faqet e para më çuan në Stamboll. Një grua e pazakontë për atë ambient më intrigoi. E pazakontë nga këndvështrimi im. Por ndoshta po paragjykoja sërish dhe duhej ndalur. Tani kisha rastin të njihja një botë me mënyrën e saj të ekzistencës përtej hamendësimeve. Historia, interesante. Rrëfimi nuk ishte i shtrirë në një kohë e në një vend. Kishte lëvizje, ritëm. Nga Azia shkohej në Amerikë, nga një mjedis turk kalohej në një mjedis armen, nga shekulli XXI në fillim të shekullit XX. Midis një konflikt me rrënjë të thella. Ai që e kanë quajtur Holokausti armen. Është e mrekullueshme kur historia zbulohet nëpërmjet letërsisë. Thatësia e fakteve zbutet nga limfa jetësore e personazheve dhe realiteteve të tyre. Por nuk ka vetëm histori… Ja libri i duhur, mbështetur në një sfond historik, me personazhe dhe jetë shumëngjyrëshe, shkruar me një ekuilibër mbresëlënës. Por, teksa mendoja kësisoj kisha filluar sakaq të kisha ndjesinë e rërës në gojë. Një problem e paskësh ky libër…

Në të vërtetë, sa herë e kam këtë ndjesi në rastin e një autori të huaj, e para gjë që më vjen në mendje është cilësia e përkthimit. S’ka pse të jetë doemos kështu, e megjithatë, në këtë rast këtë mendova. Nga e njëjta autore në librari, kur kisha bërë zgjedhjen time, gjendeshin edhe tre tituj të tjerë, të cilëve ua njihja përkthyesin. Mund të kisha marrë pa frikë librat e përkthyer prej tij. E atëherë kisha rastin të gjykoja autoren. Më e pakta, shija e rërës në gojë, nëse do ta kisha ndjerë, do të më bënte të mendoja se autorja nuk ishte për mua. Por ja që në këtë rast nuk njihja as përkthyesin as autoren… Pse bëra këtë zgjedhje me dy të panjohura? Ndoshta ngase i besova rrjeteve sociale ku libri që kisha në dorë kishte zënë vendin e nderit për nga numri i fotove që e kishin zgjedhur si subjekt. Tani gjendesha para një fakti të kryer: në lexim e sipër filli do të këputej dhunshëm, herë pas here…

***

…Po shikoja një maçok, një alamet maçoku me teka prej sulltani, që, siç thuhej në libër, e pëlqente shumë djathin me feta. Po po, djathin me feta. Dhe përfytyrova atë familje duke e sajdisur atë maçok sqimatar, i cili kish për ta shtyrë pjatën nëse djathin nuk do t’ia kishin shërbyer të prerë me feta. Kisha lexuar se në origjinë të emrit “feta” të djathit tipik grek, që ngjan kaq shumë me djathin tonë të bardhë, është pikërisht mënyra e prerjes me feta kur shërbehet mbi pjatancë. Por ja që ne e quajmë djathë të bardhë. Po mirë fundja, le ta quajmë djathë “feta”, por pa harruar që djathi në fjalë, edhe nëse shërbehet me kube të vogla, sërish “feta” quhet… Ky duhet të ketë qenë djathi që pëlqente maçoku aristokrat dhe jo thjesht djathë me feta…

Pak më vonë, sërish personazhet rrotull tavolinës. Njëri syresh merr në dorë një pipore. Jo se nuk e merrja dot me mend se çfarë ishte. Ama leximi u ndërpre. Filli u këput në fillim nga e qeshura. Pastaj fillova të dyshoj: po sikur mbajtësja e piperit të quhet pikërisht pipore? Se librat nuk ia fusnin kot… M’u kujtua që më parë përdornim shumë togfjalëshin “mulli piperi”, se ky ishte edhe objekt mjaft i pranishëm në kuzhinë. “Mulli bloje” në përgjithësi, përdornim. Një të madh në përmasa, me të cilin bluhej kafja e sapo pjekur dhe një tjetër më të vogël, (atë prej druri kam para syve) që bluante piperin drejt e mbi tenxhere apo mbi pjatë. Por, në këtë rast nuk bëhet fjalë për mullirin. Ajo mbajtëse piperi mbi tryezë ishte diçka e ngjashme me kriporen. Atëherë duhet të jetë piperore, edhe pse më ngjan si një fjalë që nuk e përdorim kaq shpesh në të përditshmen tonë. A thua ta kem unë gabim? Këtë punë e zgjidh fjalori. E hapa në faqen 1005 dhe lexova: Piperore – enë e vogël ku mbahet piperi; mbajtëse piperi. Atëherë, nga doli fjala pipore (disa herë e përsëritur)?

Dhe historia vazhdon. Po i lë mënjanë rastet kur duhet t’i rikthehesh fjalisë disa herë për t’ia rrokur kuptimin. Dreqi e mori po pse kaq e ndërlikuar, biseda të përditshme po zhvillojnë personazhet… Sidoqoftë, ndërpritet filli, i prishet shija leximit.

Në një moment duket sikur do të rrjedhë, qoftë edhe për pak. Jemi në kuzhinë dhe aromat ndjellëse që përshkruhen duket sikur kanë mbërritur deri tek ti. Ajo e kanellës mbizotëron sepse sapo është gatuar një ashure të cilën personazhi po e ndan në tasa qelqi. “Një lugë e gjysmë mjaftonte” për secilin tas. Po ç’racion qenka ky kështu?! I përcaktuar nga ç’dietolog zemërgur?! Në shtëpi pritet të vijë vëllai nga Amerika, ka 20 vjet pa ardhur e ata hedhin në tasa vetëm një lugë e gjysmë nga ëmbëlsira e tij e preferuar. Po ç’tasa ëmbëlsirash përdorkan në këtë shtëpi?! Një lugë e gjysmë është vëllimi i gotës së rakisë. Apo ndoshta s’ështa fjala për lugën por për garuzhdën (qepshe, lugan, lugicë, luhare, lugë qeshqeku…).

Nëse përkthyesi do të kish përdorur një fjalë të vjetër, një krahinorizëm, një fjalë të nxjerrë nga përdorimi, ndoshta sërish filli i leximit mund të ishte këputur. Ama saktësia do ta përligjte e sakaq, lexuesi që nuk do të mjaftohej me nxjerrjen e kuptimit të fjalës nga konteksti do të kishte hapur fjalorin duke përfituar një fjalë të re.

Pastaj, sërish një situatë humori. Gra të ndara në grupe, pjesëmarrëse mbrëmjesh mondane. Njëri grup janë profesionistet që nuk mjaftohen me jetën brenda mureve të shtëpisë por i japin rëndësi ngritjes së tyre intelektuale. Grupi tjetër janë bashkëshortet, të varura nga burrat dhe që interesohen më shumë për fustanet. Dy grupet shihen vëngër. Gratë e karrierës i quajnë bashkëshortet e bukura “kokoshka”. Nuk e kam shkruar gabim. Është pikërisht kokoshka e zeza mbi të bardhë. Thashë me vete se gratë me kokën plot, i mendonin ato me kokën bosh, të lehta si një kokoshkë. Por s’kaluan tre rreshta dhe kokoshkat u bënë kodoshka. Situata m’u ndërlikua shumë. Nuk jam e sigurt nëse ato gratë e lehta, hije të burrave të tyre, duhet të quhen kodoshka. Ende tani, sa herë më vjen në mendje ky pasazh i librit, më bllokon dilema: kokoshka apo kodoshka? Kjo qenkësh çështja…

***

Sidoqoftë, librin e mbarova. E mbylla faqen e fundit, e vura mbi tryezë dhe i bëra një foto. Me shijen e rërës në gojë, meqë isha edhe buzë detit, e postova në Instagram, që të rrinte në shoqëri librash. Ndërkohë mendoja se sikur i njëjti libër të kish rënë në duar të tjera përkthyesi, do të kish qenë i pacen. Tani nuk e di më nëse duhet t’i lexoj librat e tjerë të së njëjtës autore meqë takimi i parë nuk u mbyll me ndjenjën e mezipritjes së të dytit.

Sakaq, librat gjithandej vazhdojnë të hijeshojnë rrjetet sociale duke lartësuar imazhet e përdoruesve që tashmë leximi u qenkësh bërë si frymëmarrja. Kush t’i ketë përkthyer vallë?

PasPara

1 koment

  1. E VESHTIRE TE KUPTOJNE GJERAT E TE TJERVE POR KOHERAT KALOJNE CDO KUSH KA NJE HORIZONT TREGUS JO PER GJERAT QE KALOJNE POR PER NGJARJET QE KALOJNE NE JETET E TYRE . AI QE BEN NJE LIBER KA DHE NGJARJET INTERESANTE QE NJERIU
    MUND TE MESOJE DICKA TE MENCUR QE MUND TI HYNE NE PUNE PER CKA
    BEHET FJALA ,NJE QE KUPTON CFAR ESHTE NJE LIBER , APO CFAR THUHET MUND TE KUPTOJ GJITHCKA PER CFAR BEHET FJALE
    .GJITHMONE DUHET TE KEMI PARASYSH JO CDO KUSH MUND TE BEJE DICKA TE KENDSHME TREGUSE PER JETEN QE KALON ,POR PER NJE AFRIMITET MESIM ZHVILLIM NJERZOR PER NJOHURI TE JETEVE E TE GJITHVE .SPEKTE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas