Kryesore, Politika

Të hënën, sesioni i ri parlamentar. Ja çfarë pritet nga partitë politike dhe “vija e kuqe”

Sesioni  i ri parlamentar do të nisë këtë të hënë.

Seanca e parë plenare, që është vetëm ceremoniale, pritet të nisë rreth orës 17:00.



Megjithatë, lëvizjet në selitë e partive politike pritet që të nisin që në orët e para të ditës.

Socialistët do të mbajnë në orën 9 të mëngjesit një mbledhje Kryesie, ku në fokus do të jenë përgatitjet për garën e ardhshme elektorale.

Kryeministri Rama mendohet se në këtë mbledhje do të vendosë përfundimisht nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, ndonëse burimet e Top Channel-it nga PS-ja tregojnë se ka pak gjasa që kjo të ndodhë.

Nga ana tjetër, grupi parlamentar i PD-së do të mblidhet rreth orës 10. Kreu i kësaj force politike nuk ka pranuar të tregojë se cila do të jetë qasja e demokratëve me Parlamentin.

Mesditën e së hënës, Partia Demokratike do të bëjë të ditur nëse do të shkojë apo jo në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku do të miratohet edhe kalendari i punimeve të Kuvendit.

Sipas një draftkalendari që ka dalë në media, mazhoranca parashikon që më 13 shtator të kalojë në seancë dekretin e presidentit Meta, që ktheu për rishqyrtim ligjin që i hap rrugën projektit të ri të Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë që mazhoranca e ka bërë publike që në korrik se do ta rrëzojë dekretin presidencial, opozita ka paralajmëruar se e konsideron këtë kapërcim të një “vije të kuqe”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas