Editorial, Kryesore

Të gjithë janë me studentët, për krizën perfekte të universitetit shtetëror

Nga Ervis Iljazaj


Si asnjëherë më parë, protesta e studentëve ka marrë një konsensus të përgjithshëm. Këdo që takon në rrugë e kudo tjetër, shpreh mbështetjen për këto protesta. Ndoshta, për faktin se, ato përbëjnë një leksion dhe një ngjallje të gjendjes së mpakur të shoqërisë shqiptare.

Dhe, në këtë kuptim, ato po shërbejnë si një lloj kuraje për të treguar se këtu, në vendin tonë, edhe mund të protestohet për problematika të ndryshme.

Dhe, përtej çdo debati ato duhen përshëndetur, qoftë edhe vetëm për këtë arsye, si një shërbim që po i bëjnë shoqërisë shqiptare për të zgjuar ndërgjegjen shoqërore në raste të tilla.

Por, për çfarë po protestojnë në thelb studentët shqiptarë?

Për dy arsye kryesore. E para, për krizën perfekte të universitetit shtetëror, e cila është në këtë gjendje gjatë 30 viteve tranzicion, duke iu dhënë studentëve një “mall” skarco që nuk vlen për asnjë gjë. Pra, arsyeja kryesore është pikërisht fakti i një cilësie të dobët të arsimit publik. Në këtë aspekt, kjo protestë nuk është aspak një çështje tarifash.

Sepse, përgjysmimi, apo edhe zerimi i tyre, nuk ka asnjë ndikim në përmirësimin e arsimit në Shqipëri. Për shembull, nëse Kryeministri del të nesërmen dhe në mënyrë populiste deklaron se tarifat do t’i bëjë zero dhe do të aplikojë arsimin publik falas. A ndryshon gjë në problematikat që ka sot universiteti shtetëror!?

Prandaj, kjo protestë duhet të shërbejë si një lloj momenti për të reformuar me themel problematikat e arsimit dhe rritjen e cilësisë së tij. Në të kundërt, studentët ndoshta edhe mund të kënaqen me arsim falas, por, në të vërtet do të marrin po njësoj, si 30 vite, një arsim pa asnjë vlerë dhe që si duhet askujt. Jo vetëm kaq por, taksapaguesit shqiptarë po harxhojnë para për këtë nivel arsimi, me arsimi falas, thjesht sa do të paguajnë disa para më shumë akoma, për të njëjtin nivel të dobët arsimi.

Kështu që, çështja është më thelbësore se sa përgjysmimi i një tarife apo edhe heqja e saj, e cila për përfitime politike apo populiste një Kryeministër mund ta bëjë fare kollaj. Diskutimi duhet te orientohet më gjerë se kaq. Studentët duhet të protestojnë fortë, për një arsim cilësor dhe mënyrat se si do të arrihet ai. Kjo është më e rëndësishme për ata, se sa thjesht një tarifë që nuk ka asnjë ndikim real në cilësinë e arsimit ose jo.

Ndër të tjera, arsimi publik falas, jo vetëm që nuk zgjidh cilësinë e arsimit, por është edhe i padrejtë. I padrejtë për faktin se, mundëson njësoj që familjet e pasura të mos paguajnë për arsimin e fëmijëve të tyre, njësoj si familjet e varfra.

Në radhë të dytë, konsensusi dhe përkrahja ndaj studentëve vjen pikërisht për frikën nga e ardhmja që ata kanë. Kjo nuk është një nga parullat, shumë kreative dhe të gjetura të tyre por, forca dhe revolta e tyre e brendshme vjen pikërisht dhe nga kjo pasiguri e madhe për të ardhmen . Një frikë e cila po bëhet gjithmonë e më shumë prezente, jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë shqiptare. Prandaj, protesta e studentëve, nuk është thjesht çështje teknike dhe realizimi i disa kushteve, por është një protestë që theksoi në mënyrë përfundimtare dështimin e universitetit publik në 30 vite. Ky është momenti për të hapur një diskutim të gjerë se arsimi në Shqipëri, jo vetëm të ofrohet , por të jetë cilësor. Në të kundërt, mund të aksesohet nga të gjithë, por që në të vërtet nuk do të ketë asnjë vlerë dhe do të vazhdojë po njësoj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas