Ekonomi, Kryesore

Taksat u shtuan, por të ardhurat po rriten me ritmet më të ulëta që nga 2013-a

Administrata fiskale muaj pas muaji po ul rendimentin fiskal, jo vetëm duke mospërmbushur detyrimet në lidhje me planin, por rritja faktike nga viti në vit sapo vjen e shuhet.

Sipas shifrave zyrtare nga Ministria e Financave totali i të ardhurave buxhetore shënoi rritje faktike me vetëm 1.8 për qind gjatë 5-mujorit (me bazë vjetore), një ritëm shumë më i dobët krahasuar me vitet e tjera dhe më i ulëti që nga viti 2013, i cili nuk ishte i zakonte për nga zhvillimet pasi ndodhi rrotacioni politik.



Të dhënat tregojnë se nga muaji në muaj ritmet e rritjes po bien gjithashtu. Të ardhurat e grumbulluar në muajin maj 2018 ishin vetëm 0.6 për qind më të larta se në muajin maj 2017. Ky rendimet i ulët vjen në një kohë ku rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar (3.84%) ishte më e larta që nga viti 2008, ndërsa papunësia ka shënuar rënie në rekorde historike.

Nga ana tjetër barra fiskale ka ardhur në rritje dhe tatimet janë në kulmin e një aksioni antinformalitet, por duket se qeveria po vuan nga sindromi i mandatit të dytë ku konsumimi politik shfaqet fillimisht tek përformanca buxhetore, sidomos në të ardhurat.

Rritja e arkëtimeve me vetëm 1.8% në janar-maj nuk reflekton rritjen e parashikuar ekonomike (4.2% ) dhe as inflacionin që për pesëmujorin që ishte 2%. Vetëm nga rritja ekonomike dhe inflacioni pa marrë në konsideratë miradministrimin fiskal, rritja e të ardhurave buxhetore duhet të ishte së paku 6%.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se qeverisë i mungojnë rreth 6.5 miliardë lekë (ose 50 milionë euro) në pesë muajt e parë të vitit në raport me planin nga të cilat 2.8 miliardë lekë nga TVSH-ja dhe 1.1 miliardë lekë nga tatimfitimi dhe 1 miliard lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Në vijim të ardhurat buxhetore mund të ndikohen negativisht nga detyrimet e prapambetura të akumuluara në vitin 2017, sidomos për TVSH-në, ku shteti duhet t’u kthejë rreth 100 milionë euro TVSH tre kompanive të mëdha, Bankers Petroleum, TAP dhe HEC i Devollit. Shifra u bë e ditur nga FMN në raportin e parë të programit të post monitorimit për Shqipërinë. http://www.monitor.al/dyfishohen-detyrimet-qe-shteti-ka-ndaj-bizneseve-arrijne-ne-205-milione-euro/

Financat kanë rënë dakord me kompanitë e mëdha që t’i shlyejnë me këste pagesat e prapambetura të TVSH-së, por kjo do të sjellë automatikisht ulje të të ardhurave të këtij viti, duke rrezikuar arritjen e planit të të ardhurave që synon të sjellë për gjithë 2018-n rreth 260 milionë euro më shumë të ardhura, sipas planifikimit fillestar të buxhetit.

Shqipëria u rendit e dyta pas Rumanisë për nivelin më të ulët në Europë të mbledhjes së taksave në raport me PBB në vitin 2016 sipas institutit EUROSTAT./monitor

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas