Kryesore

Takimi i pazakontë: Sali Berisha dhe Albin Kurti ‘bëhen’ bashkë kundër Thaçit

Në mes të furtunes që ka përfshirë prej gati një muaj Kosovën dhe jo vetëm, lidhur me idenë e korrigjimit të kufirit; pas takimit të dështuar mes presidentitit kosovar dhe atij serb, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel dhe në prag të vizitës se shumëpërfolur të këtij të fundit në Kosovë, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti takohet me ish-kryetarin e PD, Sali Berisha në Tiranë.

Në dukje një takim mëse normal mes dy politikanëve, por momenti në të cilin zhvillohet takimi si dhe e kaluara jo shumë miqësore mes Kurtit dhe Berishës, i japin një tjetër peshë këtij takimi, raporton Vizion Plus. Berisha ishte i pari politikan shqiptar, i cili u artikulua hapur kundër kësaj ideje, madje pati replika në distancë dhe me Presidentin Hashim Thaçi.



Qendrim, të cilin Berisha e përforcon edhe në takimin me Kurtin, ku i quan ata që kanë hedhur këtë ide si argatë të Beogradit në Prishtinë. Term, të cilin ish-kryeministri e artikulon tre herë gjatë fjalës së tij.

“Serbomëdhenjtë në Beograd dhe argatët e tyre në Prishtinë ia dolën të shndërrojnë çështjen e integriteit territorial të Kosovës dhe kufijtë e saj në lajm kryesor rajonal dhe botëror. Eshtë nje nga aktet më destabilizuese të rajonit përpjekja e Beogradit për Serbinë e Madhe, për aneksimin e territoreve të Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit.

U bëj thirrje qyetarëve të Kosovës, u bëj thirrje deputetëve të Kosovës, t’i japin fund kësaj situate dramatike. Nuk ka kush autoritet të diskutojë, të vërë në tavolinë integritetin territorial të Repubilikës së Kosovës. Nuk ka asnjëri tagër, cilido qoftë ai, nuk ka kush tagër të diskutojë kufijtë e Kosovës”.

Berisha shkon dhe me tej kur artikulon se kjo ide nuk është diçka e re dhe i është prezantuar dhe atij vite më parë, duke mos kursyer dhe thumbimet për Thaçin.

“Sa herë që e kanë shtruar, me dhjetëra herë, kanë marrë një përgjigje të prerë kategorike nga Tirana, për hir të së vërtetës dhe nga Prishtina, për fat të keq edhe nga këta që sot kanë marrë flamurin e tyre dhe e servirin sot si projekt. Kjo është ide e mirëfilltë e Beogradit, e shtruar tek unë në Selanik nga Vuk Drashkoviç, e propozuar në mënyrë të përsëritur, e kundërshtuar në mënyrë kategorike nga Tirana zyrtare, por dhe Prishtina zyrtare. Ndërsa tani na u gdhi si një ide shqiptare. Kjo është një ide serbomadhe, me të cilën asnjë shqiptar nuk duhet t’a mbështesë”.

Nga ana e tij, Albin Kurti vlerësoi ish-kryemnistrin Berisha për qëndrimin e mbajtur lidhur me këtë çështje si dhe ka ripërsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetvendosje lidhur me bashkimin kombëtar.

“Si Lëvizje Vetëvendosje mendojmë që kufijtë janë të padrejtë dhe korrigjimi i kufijve ka kuptim kur fillon me heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri në frymën e bashkimit kombëtar e jo pazareve me Serbinë, në krye të së cilës janë çetnikët e kohës së Millosheviçit dhe Sheshelit, si trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të politikës së tyre”.

Kurti i bëri apel të gjithë shqiptarëve që të bëhen bashkë për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës, e cila sipas tij po vihet në rrezik nga ideja e Presidentit Thaçi.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas