Kryesore, Sport

Takaj: Dua të dy trofetë, fitojmë në CAS dhe luajmë në Europë

Me titullin në kasafortë prej javësh, humori te Skënderbeu u prish pas dy humbjeve radhazi të pësuara ndaj Kukësit dhe Laçit. Në një mbledhje urgjente të presidentit Ardjan Takaj me stafin teknik dhe lojtarët, është kërkuar fitimi i titullit prej ndeshjes së radhës. Drejtuesi i klubit korçar analizon arsyet e rënies së ekipit, por beson te reagimi në fushë.

Moralisht, të gjithë ne edhe tifozët ishim përgatitur për t’u shpallur kampionë. Titulli është i hipotekuar, por pas një sezoni shumë të lodhshëm ndodh rënia. I ndodh të gjitha ekipeve europiane, ndaj ishte e nevojshme një mbledhje me ekipin dhe stafin, sepse në këto momente problem shumë i madh është motivimi. Kërkuam të shpallemi kampionë prej kësaj jave dhe morëm si përgjigje gatishmërinë e të gjithëve”, tha Takaj.



Humbja me Laçin ishte ajo që trazoi ambientin te Skënderbeu, duke nxitur spekulimet rreth mundësisë së dorëheqjes së trajnerit Daja, por u shoqërua edhe me pakënaqësitë e tifozëve.

“Absolutisht Daja gëzon besimin tim të plot, por, janë çaste nervozizmi, sepse edhe trajneri është përgatitur ta mbyllë sa më shpejt kampionatin. Skënderbeut nuk i falet të bëjë paraqitje si ato dy të fundit. Edhe tifozëria ishte përgatitur të festonte dhe korçarëve po u preke festën, i ke prekur aty ku nuk mbajnë dot”, thotë Presidenti i korçarëve.

Me një fitore në mesjavë ndaj Lushnjës dhe nëse Kukësi frenohet nga Teuta, Skënderbeu do të festonte titullin. Por, në një sezon tejet të gjatë me 54 ndeshje në total, nga të cilat 14 në Europë, 32 në kampionat dhe 8 në Kupë, sipas presidentit Takaj, për festën do të mendohet vetëm kur gjithçka të ketë përfunduar, me triumfin, që do të cilësohej i plotë edhe me fitimin e Kupës.

Kampionatin e kemi në duart dhe këmbët tona, dhe nuk shohim aspak se çfarë do të bëjnë rivalët. Nga ndeshja e radhës ekipi do përgjigjet dhe do të kthehet në paraqitjet e bëra gjatë këtij viti të suksesshëm. Jemi pranë titullit dhe luajmë finalen e Kupës së Shqipërisë. Federata e Futbollit e dorëzon trofeun vetëm në fund, kur të ketë mbaruar gjithçka dhe ajo do të jetë dita e festës për ne. Pastaj Kupa do të ketë festë tjetër nuk diskutohet, sepse do të ishte për herë të parë. Kemi qenë shumë afër, por na ka munguar fati. Mendojmë që sivjet është viti i duhur për ta marrë edhe atë trofe”, shprehet Takaj.

Një çështje tejet e rëndësishme në kampin korçar është edhe beteja në CAS për dënimin e UEFA-s, me Skënderbeun që është gati dhe kërkon pafajësinë e plotë.

“E prisnim vendimin e Apelit, ishim të përgatitur, por kjo dha ndikimet e veta edhe te skuadra në paraqitjet e ndeshjeve të fundit. Studioja jonë ligjore po përgatitet fort për në CAS, aty është beteja jonë e vërtetë. Ne kërkojmë vetëm pafajësinë, asgjë tjetër. Këtë kërkojmë nga CAS-i: pafajësinë sepse jemi të pastër. Kemi përgatitur gjithçka përsa i takon dosjes dhe jemi gati”, tregon Presidenti Takaj.

Projekti i Skënderbeut vazhdon paralelisht me betejën ligjore, duke u përgatitur për edicionin e ardhshëm të kampionat dhe arenën ndërkombëtare, me besimin se klubi nuk do të dënohet.

“Jemi gati edhe me merkaton, edhe në dalje edhe në hyrje. Punët janë të ndara te Skënderbeu, sa i takon çështjeve ligjore me CAS apo edhe merkatos. I kemi bërë dy blerje, edhe pse Abazaj do të transferohet jashtë, kemi Bregun. Gjithashtu kemi shumë lojtarë të huazuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, por edhe alternativa për ekipin. Gjithçka do të vazhdojë normalisht, nuk e mendojmë asnjëherë dënimin e Skënderbeut”, deklaroi Ardjan Takaj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas