LAJMEKALENDARI / REZULTATE
Editorial

Suksesi apo dështimi për hapjen e negociatave është i qeverisë

Nga Ervis Iljazaj

Ditët e fundit po zhvillohet një betejë politike me vendimin për hapjen e negociatave që pritet të marrë Shqipëria. Sa më shumë afrohet dita, aq më shumë ndihet dhe tensioni politik këtu te ne, si në opozitë, po ashtu edhe nga ana e mazhorancës. Sepse, është e qartë se, ngjarja më e rëndësishme që pritet për politikën shqiptare është ky vendim. Jo vetëm për politikën e jashtme të saj, por edhe për atë të brendshme. Duke qenë se integrimi europian është një nga gjërat më të dëshiruara për shoqërinë shqiptare, atëherë, politika ka luajtur shpesh më këtë proces për ta përdorur si fushë betejë.



Në fakt, edhe ditët e fundit ka një retorikë politike për të akuzuar në mënyrë të ndërsjellë në rast dështimi. Opozita akuzon qeverinë se me skandalet që i kanë plasur asaj, është e pamundur të hapen negociatat, ndërsa mazhoranca akuzon këtë të fundit për përpjekje për të bllokuar negociatat duke rritur konfliktualitetin politik.

Pyetja që ngrihet në këtë rast është se, a mundet që një opozitë të bllokojë hapjen e negociatave në këtë moment?

Për të qenë të sinqertë deri në fund, duke njohur realitetin politik shqiptar, opozita edhe mund ta tentojë një gjë të tillë. Duke qenë se marrja e negociatave do të kapitalizohej nga mazhoranca, atëherë, opozita sot, por edhe ajo e djeshmja, nuk është për t’u fshehur që shpeshherë janë bërë pengesë për këtë proces.

Por, praktikisht dhe teknikisht marrja e negociatave varet më së shumti nga puna e qeverisë. Sado konflikte politike të krijojë opozita, përtej rasteve kur kërkohen reformat e përbashkëta, në fund të fundit, ajo që vlerësohet nga Bashkimi Europian është puna e qeverisë.

Aq më tepër kur, nuk ka asnjë reformë e cila kërkon një votim bipartisan, i cili të jetë kusht i vendosur nga Bashkimi Europian.Prandaj, merren ose jo negociatat, kryesisht është sukses ose dështim i qeverisë.

Pa dashur të reduktojmë rolin e opozitës për frymën dhe mesazhin që ajo përcjell, i cili luan një rol të rëndësishëm, Bashkimi Europian është një mënyrë qeverisjeje interqeveritare. Për këtë arsye, roli kryesor i mbetet qeverisë.

E megjithatë, përtej këtij debati, edhe kësaj here politika shqiptare nuk zhgënjeu. Palët politike nuk arritën dot të dalin mbi interesin partiak dhe politik për një arsye kombëtare, siç është procesi i integrimit të Shqipërisë.

Ndonjëherë, politika shqiptare dhe opinioni publik bie preh e iluzionit se, Bashkimi Europian do të na pranojë për faktin se ka interesa gjeopolitikë në Shqipëri dhe Ballkan. Kjo është e vërtetë, por BE është një organizatë e ndryshme nga NATO. Nëse NATO, është një organizatë ushtarake dhe diplomatike, dhe, për këtë arsye anëtarësimi është gjeostrategjik, Bashkimi Europian është tjetër histori. Bashkimi Europian është një sistem politik dhe një mënyrë qeverisje e përbashkët. Si e tillë, ka ekonomi të përbashkët, ligje të përbashkëta dhe parime të përbashkëta. Nëse ne nuk arrijmë dot të përafrojmë të gjitha këto standarde me BE, integrimi është i pamundur.

Prandaj, historirat se Shqipëria dhe Ballkani kërcënohet nga Rusia, dhe lipset një integrim i shpejtë në BE për evituar një influencë rusë, është një histori që nuk ngjit. Ky kërcënim është i vërtetë, por Bashkimin Europian nuk mund ta bindësh me këtë qasje. E vetmja mënyrë për ta bindur është drejtësia e pavarur dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, parametrat ekonomikë dhe zbatimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

E megjithatë, për hapjen e negociatave ose jo, duhet të kemi parasysh se jo çdo gjë varet nga ne. Ka dhe një kontekst të jashtëm europian, që nuk është nga më të favorshmit për zgjerimin e mëtejshëm, që nuk është për t’u nënvlerësuar.

PasPara

2 komente

  1. Hapja e negociatave, nëse kërkohen kritere, kryerje detyrash, arritje në luftën kundër krimit, korrupsioonit, reforma në drejtësi, kapja dhe dënimi i Peshqëve të Mëdhenj dhe qindra probleme të tjera si: varfëria, papunësia, siguria, emigrimi i paligjshëm etj, etj, kur ato nuk janë arritur të plotësohen,por janë djallosur më keq, hapja e negociatave nuk mund të quhet sukses i Qeverrisë tonë mafioze. Po qe se qeverria dështon, ajo e meriton plotësisht, sepse gjithnjë ka bërë të kundërtën e atyre që i kërkonte BE-ja. Suksesi do të ishte paradoks, i blerë apo i shitur, siç shiten e blihen notat apo diplomat në Shqipëri edhe kur nuk merr pjesë në mësime, kur nuk di asgjë. Mbase edhe si dhuratë surprizë, kur nuk pret asgjë. Dështimi i merituar dhe suksesi i pamerituar, për mua janë vetëm dështime spektakolare ose turpe ndaj atyre që u mungon skuqja e fytyrave, që e kanë humbur këtë aftësi, sepse promovojnë antivlerat. Sidoqoftë, KM ka planin B: do t’i shtrijmē dorën Erdoganit dhe Putinit. Kjo është zgjidhja, sipas tij, që vlen edhe si presion për të marrë diçka që nuk na takon, që nuk e meritojmë. Piktori ka marrë furçën dhe të gjitha të zezat që ka bërë, do t’i fshijë me ngjyrën e bardhë si me magji. Piktor i dështuar hesapi! Shijojeni këtë bukuri!

  2. Hapja e negociatave eshte vetem edhe nje shkalle ne rrugen e integrimit.Komisioni i BE-se dha vleresimin pozitiv per hapjen e negociatave pa kushte dmth qeveria ka arrite sipas ketij vleresimi shkallen e hapjes se negociatave.Gjithe pjesa tjeter eshte politike.Ketu hyne vendet ku per shkake te rrethanave te brendshme politike ku perdite po ngriten partite populliste qe jane kunder zgjerimit dhe emigrimit,madje ka edhe tendenca te daljes nga BE e deshen nuk deshen qevverive te ketyre vendeve nuk mund te injorojne keto tendenca.Ketu nuk mund te ndikoje as qeveria as partite politike shqiptare.
    Ajo qe eshte apsurde e qe nuk ka qene prezente ne asnje vend eshte qendrimi i opozites shqiptare dhe autoparlanteve mediatik te saje.Thithe kjo zhurme e rremuje,uluritje perplasje duke filluar ne pengimin e funksionimit normal te parlamentit e deri tek perplasjet fizike e tymnajes ne sallen e Parlamentit.Inskenimi i skandaleve me babale e babole, lobimi i hapur dhe i fshehte me kancelarite e deputetet e vendeve te BE-se kunder hapjes se dekleratatve.Njollosja edhe nxirja e Shqiperise kudo shkojne.Krijimi i nje gjendje abnormale para eshte nje precedent te cilen nuk e ka pare Europa ne asnje vend qe ka kaluar shkallet e integrimit.
    Opozita haptazi e konsideron hapjen e negociatave ne fund te ketij qershori si katastrofe per Shqiperine.Ne vend qe te kontribojne ne arritjen e ketij qellimi kryesor ata nuk lene gure pa levize ,nuk lene te zeze pa thane e bere per te penguar hapjen e negociatave.Prandaj hapja e negociatave jete fitore e qeverise dhe disfate e opozites sepse ata vete e konsiderojne te tille.Me siguri fitorja duhet te jete e shqiptareve dhe Shqiperise .Moshapja e negociatave do te jete fitorja e opozites dhe ata do te marrin me siguri nga shqiptaret frytet e kesaj “fitorje” ne zgjedhjet lokale e me pastaj ne vitin 2021 edhe ne ato parlamentare.Nuk mund ti hudhin askujt hi syve me genjeshtra ata kane vene qellimin kryesor moshapjen e negociatave sepse nuk qajne koken per qytetaret atyre ju intereson vetem pushteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE