Aktualitet, Kryesore

Studimi: Një Shqipëri tjetër jashtë vendit, 40% e popullit ka emigruar

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar publikuan sot një studim mbi lëvizjet migratore të shqiptarëve, nga doli se afro 40 për qind e popullsisë së Shqipërisë jetojnë jashtë vendit.

Kështu, Shqipëria renditet midis vendeve europiane e botërore me emigrimin më të lartë për frymë të popullsisë. Ata janë kryesisht emigrantë pune, studentë, azil-kërkues e refugjatë, si dhe minorenë të pashoqëruar. Vendet me më shumë emigrantë shqiptarë janë Italia me 450 mijë dhe Greqia me 430 mijë vetë deri në 2017.



“Në 2010 afro 50 për qind e fuqisë punëtore ishte vendosur në Greqi dhe Itali. Ndërsa 5-6 vitet e fundit ka ndodhur një riorientim i emigrantëve drejt vendeve europiane si Gjermania dhe Franca” – thotë Albert Rakipi, drejtues i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

Gjermania është aktualisht vendi më tërheqës për emigrantët shqiptarë: nga 10 mijë në 2013, numri i shqiptarëve që shkuan ilegalisht në Gjermani ishte 8 herë më I lartë në 2015, ndërsa në 2016 ishte 5 herë më i lartë se sa në 2014.

Shumica e tyre kërkojnë azil dhe nuk regjistrohen si refugjatë. Në 2017 18 mijë shqiptarë qëndruan ligjërisht në Gjermani.

“Qeveria federale po e ndihmon Shqipërinë dhe shqiptarët në krijimin e kushteve më të mira të qëndrojnë e të punojnë këtu në Shqipëri. Ne po sigurojmë shkollime dhe trajnime, për punëtorët e rinj të përshtaten me tregun e punës dhe po mbështesim bizneset e reja, që të mos emigrojnë dhe përherë e më shumë të kthehen në atdhe” – tha Katia Resken nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Pas Gjermanisë, në 2017 Franca u bë shteti i dytë, ku udhëtuan më shumë shqiptarë. Aktualisht afro gjysma e rinisë shqiptare shprehet se është gati të largohet nga vendi sapo t’I jepet mundësia.

Emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve drejt vendeve të BE-së është tashmë i zakonshëm; tre vitet e fundit shqiptarët janë të tretët, pas Ukrainës dhe Marokut, për qëndrim të paligjshëm në vendet e BE-së.

Tre vitet e fundit shqiptarët ishin në krye të vendeve që kalojnë kufijtë në mënyrë të paligjshme, të ndjekur nga Pakistani dhe Afganistani.

Shqipëria u rendit e treta ndër dhjetë vende që iu refuzua hyrja në kufijtë e brendshëm europianë, pas Ukrainës dhe Rusisë, tre vitet e fundit.

Vitin e fundit ka një tendencë kthimi, kur në 6 vitet e kaluara janë kthyer afro 100 mijë shqiptarë, kryesisht nga Greqia dhe Italia, kur ato i kapën krizat ekonomike.

Shumë prej tyre kanë hapur ndonjë biznes të vogël në atdhe, ose janë ende në kërkim të ndonjë pune në atdheun e tyre, ku gjetën një papunësi të lartë.

Studimi bazohet pjesërisht në intervista me shqiptarë të kthyer nga Greqia, Italia dhe Gjermania, për të parë nga afër përpjekjet e tyre të ri-integrimit në atdhe.(voa)

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas