Kryesore, Sociale

Studentët u bëjnë thirrje edhe gjimnazistëve: Bashkohuni me ne…

Pavarësisht tërheqjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke hequr pikën 4 në VKM-në e kundërshtuar ashpër nga studentët që tarifonte çdo kredit të provimeve të bartura, të cilët prej dy ditësh mblidhen në protestë para kësaj ministrie, ata duket se nuk janë kënaqur me plotësimin e vetëm një prej kërkesave të tyre.

Në kryeqytet, studentë nga shumica e fakulteteve të Universitetit të Tiranës apo Politeknikut, kanë nisur të marshojnë për të tretën ditë me radhë drejt Ministrisë së Arsimit, me kërkesat e qarta për përgjysmimin e tarifave të studimit dhe përmirësimit të kushveve të konvikteve, sikurse edhe përfaqësimin në Bordin e Administrimit.



Në Vlorë, studentët e Universitetit “Ismail Qemali” kanë lënë sërish orët e mësimit për të protestuar jashtë ambienteve të universitetit, sikurse edhe në Elbasan, ku studentët janë mbledhur përpara “Aleksander Xhuvanit” dhe më pas do të nisen drejt Tiranës.

Edhe studentët e “Fan Nolit” të Korçës kanë hyrë në ditën e dytë të protestës. Ata kërkojnë tashmë plotësimin e kërkesave të tjera. Grumbullimi ka filluar në ambientet e jashtme të Korpusit universitar, me pjesëmarrjen e studentëve të fakulteteve të Ekonomisë, Edukimit dhe Bujqësisë.

Ndërkohë, studentët e fakulteteve të Shkencave Humane dhe atyre Natyrore kanë zgjedhur të protestojnë përpara fakulteteve respektive. Por, në Korçë, Këshilli Studentor u ka bërë thirrje edhe gjimnazistëve që t’i bashkohen protestës, edhe pse nuk kuptohet arsyeja për këtë.

Me thirrjet “Bashkohuni, sot ne, nesër ju”, studentët e Tiranës janë ndaluar për disa minuta përpara gjimnazit “Qemal Stafa” duke i bërë thirrje nxënësve që t’i bashkohen protestës së tyre.

Ata i kanë kërkuar gjimnazistëve që të pezullojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës. Ka raportime se disa gjimnazistë i janë bashkuar protestës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas