Editorial

Strategjia parlamentare e opozitës është demode, dhe si pasojë jo efikase

Nga Ervis Iljazaj

Konfliktet parlamentare tashmë janë bërë ngjarje e zakonshme në Parlamentin shqiptar. Ka disa kohë që shumë nga punimet e tij nuk arrijnë dot të zhvillohen në një mënyrë normale.



Qartazi është një strategji opozitare, që prej shumë kohësh kërkon të sensibilizojë opinionin publik për çështje të ndryshme. Ka të drejtë ose jo për shumë nga çështjet që ngre opozita, është një diskutim tjetër. Por, është e dukshme që kjo strategji, me bllokime foltoresh, me konflikte dhe duke shfaqur agresivitet në Parlament, është një strategji e dalë mode, dhe në këtë kuptim nuk asnjë vlerë për aksionin politik të opozitës.

E njëjta gjë ndodhi dhe dje në Komisionin e Medias, ku prezent ishte Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. Se çfarë kërkon një Kryetar Bashkie në Parlamentin e Shqipërisë për të dhënë llogari për punën e tij, kjo është një çudi tjetër shqiptare. Sepse, pushteti i Kryetarit të Bashkisë është një pushtet i cili nuk buron nga Parlamenti, por nga vota direkte e qytetarëve, dhe, në këtë kuptim nuk i jep llogari parlamentit si shumë nga institucionet e tjera, por përgjigjet vetëm përpara qytetarëve që e kanë votuar, të cilët përfaqësohen nga këshillat bashkiakë.

Megjithatë, show politik në Shqipëri e kalon logjikën politiko kushtetuese të vendit tonë.

Përtej kësaj anomalie shqiptare, ajo që ra në sy ishte edhe njëherë strategjia parlamentare e opozitës. Në mënyrë demonstrative, disa nga deputetë e PD-së kërkuan ta nxirrnin me forcë Kryetarin e Bashkisë nga Komisioni. Në fakt nuk bën asgjë tjetër përveçse faktorizuan Erion Veliajn në sytë e militantëve socialistë, si një person luftarak, pothuajse si përfaqësuesin e tyre, gjë të cilën ai nuk e ka.

Fare mirë, anëtarët e PD-së, mund të largoheshin nga Komisioni duke e lënë të vetëm dhe duke i ulur të gjithë rëndësinë politike Kryetarit të Bashkisë. Me veprimet që bënë, krijuan totalisht të kundërtën për sa i përket peshës politike të Erion Velisë.

Dikur, mbas prishjes së Shqipërisë me Moskën, Enver Hoxha në shenjë snobizmi dërgoi Ramiz Alinë të Përfaqësonte Shqipërinë në mbledhjen e Partive Komuniste të Lindjes. Drejtuesi i mbledhjes iu drejtua dhe i tha: Shoku Ramiz çfarë bëni ju këtu ? Kjo është mbledhja e Sekretarëve të Parë të Partive Komuniste, ju nuk jeni i tillë. Aliaj u përgjigj se atë e kishte dërguar Shqipëria. Nëse ju nuk dilni, atëherë po dalim ne iu përgjigj drejtuesi i mbledhjes dhe u larguan. Ramiz Alija dhe delegacioni që e shoqëronte pritën të vetëm deri sa u mbyllën dritat e sallës dhe pastrueset hynë për ta pastruar atë.

Kjo histori shqiptare, ngjason me historinë e djeshme në komisionin e medias, pasi Erion Veliaj nuk është kundërshtari politik i opozitës, por thjesht një Kryetar Bashkie. Vetëm se, PD u soll ndryshe nga ajo që duhet të bënte.

Edhe njëherë PD, nuk arriti dot të krijonte një mesazh politik, një taktikë politike brenda punimeve parlamentare, përkundrazi, e spostoi totalisht vëmendjen nga ngjarja e ditës. E keqja është se, këtë gjë e ka bërë në mënyrë sistematike kohët e fundit. Të gjitha kauzat e drejta që ka ngritur deri më tani, i ka sfumuar me strategjinë e saj parlamentare të konfliktit, e cila duhet ta kuptojë sa më shpejt që nuk i sjell asnjë kredit politike në mënyrën se si është ndërtuar.

Ngjarja e fundit me Kryetarin e Bashkisë e tregon më së miri dështimin e kësaj strategjie. Kjo është një strategji shumë e vjetër e politikës shqiptare, dhe, për këtë arsye nuk ka më asnjë vlerë në sytë opinionit publik. Janë nga ato ngjarje, që kur bëhen normalitet, nuk kanë më asnjë efekt.

PasPara

1 koment

  1. Çarë vlen këtu tek ne? Mos vallë, vlen rregulli, ligji, norma, ideali? Jo, zotri, jo. Këtu vlen horri, pandershmëria, droga, korrupsioni, paraja, pushteti, fama, qoftë edhe për keq, për zi e më zi. Ndaj , pse duhet të kërkojmë atë që vlen , për sa kohë, më i rëndësishmi, më i pushtetshmi jep shembullin më të keq të mundshëm bashkë me 40 hajdutët dhe kriminelët që ka zgjedhur t’ i ketë rreth vetes për ta bërë Shqipërinë vend të pabanuar , të braktisur dhe të lirë për malavitën, për të ardhurit nga Siria etj. Këtu nuk vlen rregulli as ligji e aq më pak ideali. Nuk vlen ndershmëria as puna me djersën e ballit. Shqipëria është në Ditë të zezë e në pikë të hallit. Kot të thuash çfarë duhet e çfarë s’ duhet. Këtu duhet përmbysje e antivlerave që ka ngritur në sistem “ rilindasi i madh”. E shikon se me të drejtë gazetari pyet “ Mesinë” :” Si nuk gjete një tjetër ministër që të mos jetë i përfshirë në krime, në drogë, or burri i vogël në sherbim të djallit e të dreqit?” Dhe “ mesia” bllokohet e ikën , sepse habitet për guximin e gazetarit dhe se nuk mund të përgjigjet. Ikën i turpëruar pa e ndjerë turpin. Një i çmendur nuk i kupton çmenduritë e tij dhe ndihet mirë me të Kjo po ndodh tek ne, kush e kupton. Edhe çmenduria duhet luftuar me çmenduri derisa të çmendurit të thyejnë qafën, por jo me arsyetim as mençuri. Kjo nuk vlen në raste të tilla. Parregullsia duhet luftuar me një parregullsi më të madhe derisa jeta e atyre që krijuan këtë situatë të bëhet e padururshme dhe të ikin me bisht nën shalë siç iku edhe sh. velia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas