Dikur, Kryesore

Spiro Pano: Pushkatuam 6 klerikë në Shkodër, por ata po mbajnë zi, s’duhen lejuar

“Sot me rastin e pushkatimit të gjashtë kriminelëvet të klerit u mbyll Gjimnazi jezuit… Mendimi ynë është se ata e mbyllnë në shënjë zije… të mirret një masë e reptë duke u mbyllur fare ky gjimnaz…”

Kujto.al



4 marsi i 1946 në Shkodër ishte një ditë zie. Atë ditë në orën 5 të mëngjesit regjimi komunist kishte pushkatuar pranë varrezave të qytetit atë Giovanni Fausti e Atë Daniel Dajani, së bashku me nxënësin Xhakon Mark ÇuniAtë Gjon ShllakuQerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi. Gjashtë martirët e lartpërmendur, u akuzuan si sabotues e armiq të popullit, meqë ishin anëtarë të Shoqatës Bashkimi shqiptar.

Por krerët e regjimti komunsit nuk ishin ende të kënaqur me krimin e tyre. Ata nuk donin që të mbahej zi në Shkodër pas kësaj masakre. Në një telegram të shkurtër dërguar Koçi   Xoxes, po atë ditë Spiro  Pano shkruan me indinjatë se në shenjë zie ata kishin mbyllur Gjimnazin jezuit. Menëjherë pas kësaj komunistët kishin thirrur për të dhënë llogari rektorin e gjimanizit jezuit dhe sipas telegramit ai kishte thënë se ishte ditë karnavalesh dhe mbyllej çdo vit. Por komunistët nuk e besonin këtë gjë dhe siç shkruan në telegram Spiro  Pano kjo ishte bërë me siguri në shenjë zie ç’ka synonte sipas tij, të ngjallte e të forconte indinjatën e popullsisë shkodrane.  Për tu hakmarrë ndaj këtij veprimi Spiro  Pano propozonte  që të merreshin masa ta mbyllnin fare këtë gjimnaz.

Më poshte “Kujto.al –Arkiva e Viktimave të Komunizmit” sjell tekstin e plotë të telegramit dërguar Koçi Xoxes  ditën e masakrës ndaj klerikëvë katolik si dhe faksimilen e dokumentit.

Telegrami

Nr. 174

4.III.46

Koçi  Xoxe

Sot me rastin e pushkatimit të gjashtë kriminelëvet të klerit u mbyll Gjimnazi jezuit. Ku u thir nga Pushteti rektori tha se e kemi mbillur me rastin e karnavalevet dhe se kjo bëhet çdo vit. Mendimi ynë është se ata e mbyllnë në shënjë zije pse e tillë është dhe propaganta e tyre në popullsinë Katolike. Ne vazhdojmë me demaskimin e këtyre parullave e veprimeve po është mirë të mirret një masë e reptë duke u mbyllur fare ky gjimnaz.

Spiro  Pano

***

(Në foto: Klerikët duke i çuar në sallën e gjyqit)

Kush ishin 6 të pushkatuarit: 

Atë Daniel Dajani S.J.

Lindi në Blinisht (Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë. U shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua në mënyrë çnjerëzore.

Atë Giovanni Fausti S.J.

Lindi në Broco të Breshës (Itali), më 19 Tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvnor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri. Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendësprovincialit. Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: “Të shkojmë në shtëpinë e Zotit”. U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.

Atë Gjon Shllaku ofm:

Lindi në Shkodër, më 27 Korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Holandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!”.

Mark Çuni, seminarist

Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U pushkatua më 4 mars 1946.

Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë nga regjimi komunist pse deshën Krishtin.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas