Editorial

Spektakël i nivelit botëror me paratë e një shteti të varfër

Nga Ervis Iljazaj

Në këtë fillim Qershori qytetarët e Tiranës kanë shijuar koncertin e dy këngëtarëve të famshëm, duke qenë edhe me origjinë shqiptare, atmosfera ka qenë elektrizuese dhe pjesëmarrja e madhe. Në këtë pikëpamje Tirana në ato ditë nuk kishte asnjë dallim nga kryeqytet më të rëndësishme të Europës dhe Botës, të cilat janë mësuar me nivele të tilla spektakli.



Mirëpo, edhe pse atmosfera e spektaklit ishte po e njëjtë me ato të kryeqyteteve më të rëndësishme të Europës, ekziston një detaj që bën diferencën midis nesh dhe Europës.

Nuk është parë dhe dëgjuar asnjëherë në Paris, Romë, Berlin apo Londër që një Kryetar Bashkie të thërrasë dhe të paguajë nga taksat e qytetarëve këngëtarë, dhe të organizojë spektakle të tilla kaq të kushtueshme.

Bashkia organizon evente argëtimi apo koncerte që kanë të bëjnë me promovimin e kulturës lokale, me produktet e saj, apo për të krijuar një tërheqje turistike nëpërmjet këtyre eventeve, por asnjëherë spektakle pa një qëllim të tillë.

Nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë që një Kryetar Bashkie të organizojë evente komerciale. Për ato kujdesën kompani të ndryshme private, organizata të ndryshme që argëtojnë dhe fitojnë para nga këto punë.

Aq më tepër kur bëhet fjalë për një spektakël të nivelit botëror, me paratë e një shteti të varfër siç është Shqipëria.

Kush e di se sa para nga taksat e qytetarëve të Tiranës kanë kushtuar këto koncerte? Përse, për të organizuar ahengje janë rritur taksat e qytetit të Tiranës?!

Askush nuk di ta thotë, sepse askush deri më tani nuk na e ka thënë. E megjithatë qytetarët e Tiranës kanë të drejtën absolute të dinë se si i përdor Bashkia paratë e tyre. Kjo është një e drejtë themelore e demokracisë.

Deri më tani kishim dëgjuar që politika të bëjë drejtësi, politika të gjejë punë, politika të ndikojë në ekonomi. Por, që politika do arrinte të na merrte edhe argëtimin dhe ta përdorte për qëllime të saj, kjo nuk ishte dëgjuar ndonjëherë.

E gjitha kjo histori, ngjan si historia e njerëzve që kanë halle, dhe për t’i harruar ato, i fusin ndonjë aheng dhe ngrenë ndonjë gotë. Por, hallet fillojnë e kujtohen përsëri sapo efekti i muzikës mbaron, dhe kthehesh menjëherë në realitet. Në realitetin e një shteti të varfër, që nuk e ka luksin të paguajë koncerte të shtrenjta me paratë e qytetarëve.

Ndoshta politika e ka kuptuar, që kurimi i shpirtrave të njerëzve që kanë shumë halle është një pjesë e rëndësishme e propagandës. Dhe këtë gjë po e zbaton në të gjitha strategjitë e saj të marrëdhënieve me popullin. Ndoshta dikush mund të mendojë që dhe shpirti do pjesën e tij. E drejtë, por është e patolerueshme që kënaqësia individuale të merret në dorë nga politika. Deri këtu jo! Këtë gjë nuk duhet ta lejojmë për asnjë arsye në Botë.

Prandaj, koncertet e organizuara në Tiranë, janë koncerte totalisht të përdorura nga Bashkia për efekte elektorale. Kjo është e qartë si drita e diellit. E pranojmë apo jo një gjë të tillë, mbetet në reflektimin e gjithsecilit.

Shpeshherë harrohemi nën tingujt e muzikës dhe të haresë, dhe nuk arrijmë as ta mendojmë një çështje si kjo.

P.s. Ermal Meta dhe Rita Ora janë të mrekullueshëm!

PasPara

1 koment

  1. nuk the veçse nje, gje qe organizimin dhe fitimet i merr vllai i Er Velit (sic do i thuhej emri ne Rome), çka duhej

    ndjekje penale e menjehershme……..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas