Kryesore, Politika

Mesazhi i miqve të Olldashit për PD

perkujtimorjaNë një ceremoni për 1-vjetorin e ndarjes nga jeta, familja dhe mbështetësit në PD përkujtuan Sokol Olldashin. Basha, Berisha e Topalli nuk kishin ftesa. Deputetët e opozitës që ishin në Hotel “Rogner” dhe çfarë thanë miqtë e tij të afërt   

Nga Nevila Perndoj



 

Sali Berisha dhe Jozefina Topalli nuk ishin dje në ceremoninë e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të Sokol Olldashit.

Ata nuk ishin as në një kolazh të shkurtër fotosh por domethënës, që familja e tij kishte përgatitur teksa në sfond Aleksandër Gjoka këndonte këngën kushtuar Olldashit, me tekst nga dy miqtë e tij, Astrit Patozi dhe Florion Mima.

Nuk ishte as kryetari Basha, i cili në mëngjesin e djeshëm postoi një status në Facebook kushtuar Sokol Olldashit. Të tre ata nuk ishin ftuar nga organizatorët e përvjetorit, ku Olldashi u kujtua si politikan i qëndrimeve të forta.

Mbrëmja që u hap nga Majlinda Bregu mblodhi në Hotel “Rogner” miqtë e tij, por edhe  mbështetësit e profilit dhe aksionit të tij në PD. Nga demokratët dhe opozita ishin Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi, Flamur Noka, Mesila Doda, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Gjergji Papa, Igli Cara, Aldo Bumçi, Halim Kosova, Florion Mima, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Keltis Kruja dhe Arben Imami.

Nuk mungonte as Arben Ristani, i cili garon për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, por ndryshe nga deputetët e tjerë, ai qëndroi në cep të sallës.

Në këtë ceremoni nuk ishte i pranishëm garuesi tjetër për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, Eduard Selami, edhe pse ky i fundit ka pasur marrëdhënie të mira me Olldashin. Ishte edhe Shaban Memia e Agron Kuliqi, si dhe një prej ish-deputetëve të PS, Andis Harasani. Nga trupi diplomatik ishte ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu.

Ceremonia

Familja dhe miqtë e tij më të afërt ishin kujdesur që Olldashi të kujtohej si një figurë shumëdimensionale. Përveç politikës, ceremonia risolli jetën me dy djemtë e tij, miqtë, muzikën, poezinë, këngën dhe librin.

Në 90 minuta ai u kujtua për humorin e tij, batutën, cinizmin, kundërshtarin e fortë politik dhe kontributorin shumëvjeçar në PD. Jo pa qëllim, një ndër miqtë e tij më të afërt në jetë e politikë, Astrit Patozi do të shprehej se Olldashi i mungon debateve të forta televizive, por edhe tavolinave, ku jo domosdoshmërisht diskutohej për politikë.

“…Nuk besoj se do habitej njeri po të thosha se në njëfarë mënyre, i mungon edhe qeverisë, ndonëse ajo e ka një kryeministër. Dhe natyrisht që i mungon tmerrësisht shumë Partisë Demokratike, megjithëse ajo e ka një kryetar. Pa asnjë dyshim që ka lënë një zbrazëti të thellë në parlament, ndonëse aty punojnë dhe marrin rrogën shumë deputetë. Me fjalë të tjera, i mungon kësaj shoqërie, me të gjitha vlerat dhe antivlerat e saj. Sepse Sokol Olldashi nuk ishte thjesht një politikan i realizuar, ai ishte një fenomen”, – tha ai.

Patozi sqaroi se Sokol Olldashi nuk la pas një platformë politike, jo thjesht se nuk pati kohë. Megjithatë, ai e kishte një projekt. “…Të cilin e vizatoi shpejt dhe në ecje e sipër, gjatë fushatës së shkurtër të zgjedhjeve në Partinë Demokratike. Por edhe pse ishte thjesht një maket, ai aktualizohet dhe merr më shumë vlerë çdo ditë që kalon. Kam bindjen se ai i kapërcen kufijtë e një force politike, ndonëse Sokoli nuk e pati këtë ambicie. Ai thjesht dhe vetëm kandidoi për të qenë kryetar i PD-së….”, – u shpreh ai, duke shtuar se Sokoli nuk pati ndonjë llogari të pambyllur me Partinë Demokratike.

Modeli

Padyshim që politika zuri vend të rëndësishëm në jetën e shkurtër të Sokol Olldashit.

Dhe kjo u duk qartë edhe dje, ku herë pas here u shfaqën kolazhe të veprimtarisë politike, që nga batutat dhe përballjen e tij në krye të herës me Ramën kur ai drejtonte komisionin hetimor për Bashkinë e Tiranës, me pas gara e tij për kryeqytetin, debatet e tij më të forta televizive të shfaqura kryesisht në emisionin “Opinion” e deri tek gara për kreun e PD-së.

Askush në ceremoninë e djeshme nuk foli për projekte të ardhshme politike apo se si sot duhet bërë opozitarizëm. Edhe kësaj here për ta foli sërish Olldashi.

Në kolazhet e njëpasnjëshme u përcollën mesazhe të forta të deputetit të ndjerë që vlejnë edhe sot si; për një beteje të fortë opozitare në Kuvend, (gjë që aktualisht nuk po ndodh), për një PD pa aleanca apo flirtime me parti të spektrit kundërshtar, për një rikthim të PD-së drejt shtyllave ekzistenciale, (ende të pakristalizuara në selinë blu), pra më pak fjalë, siç e kishte vetë moto Olldashi: “Për një PD që bind, por pa humbur referencën”.

Jo pak herë mesazhet e tij politike u duartrokitën. Të gjithë ata dje folën përmes tij.

Megjithatë, Patozi në fund të fjalës së tij do të shprehej: “Ne nuk e kthejmë dot Mikun tonë të shtrenjtë, por modelin, shembullin dhe vizionin e tij, PO. Kush ka një gjë për të thënë, të mos heshtë. Edhe në pastë thjesht një batutë, mos ta kursejë. Kush ka një ide në kokë, të dalë në shesh dhe ta mbrojë. Por edhe në i vjen në mendje veç një motiv, le ta luajë apo ta këndojë. Kush ka një projekt, le ta zhvillojë dhe ta nxjerrë në breg. Kush ka një sfidë përpara, të mos ngurrojë, por ta kapërcejë…”.

Dimensioni tjetër

Në ceremoninë e djeshme u lexuan disa poezi të pabotuara më parë të Olldashit, u kënduan këngët e tij të preferuara, u luajt me kitarë, si dhe u përcollën kujtime të shkurtra nga miqtë dhe të afërm.

Deputeti demokrat, Genc Ruli tha se të flasësh për Olldashin nuk është aq e lehtë. “Na fal o qorr që po merremi me ty…”, – lëshoi Ruli batutën duke e kujtuar Olldashin sa melankolik e të qetë, aq edhe të paduruar e cinik.

“Cinizmi ishte forma jote më pa hile sepse nuk e duroje hipokrizinë”, – shtoi ai ndër radhë. Ruli kujtoi se  në mbledhjet e qeverise, ku vendi u kishte qëlluar të ishin ngjitur me njëri-tjetrin, shpesh atyre u qëllonte të shkëmbenin batuta kryesisht në situata jo fort të lehta e debatesh. Ruli theksoi gjithashtu se me Olldashin gjallë, shumë prej aksioneve aktuale politike do të ishin ndryshe.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas