Sport

Skënderbeu humb sfidën me borën, kundër Flamurtarit luhet në Pogradec


Megjithëse drejtuesit e klubit të futbollit kishin marrë përsipër të ndërhynin në stadiumin e Korçës për ta kthyer atë në gjendjen optimale për ndeshjen e kupës këtë fundjavë kundër Flamurtarit, kjo nuk është mundur të realizohet. Arsyet kanë qenë thjesht klimaterike, teksa ditët e ftohta me borë dhe me akull janë rikthyer sërish në Korçë. Në këto kushte ndërhyrja me borëpastruese në stadiumin e kampionëve të vendit e bënte situatën më të rënduar, madje dëmtonte dhe fushën e blertë. Ndërkaq, gjatë natës së kaluar termometri ka regjistruar –11 gradë celsius, çka do të thotë se heqja e akullit e bën dhe më të pamundur kthimin në identitet të fushës së stadiumit. Duke nisur nga kjo gjendje, por dhe parashikimi për ditë të tjera me borë dhe temperatura të ulëta deri të shtunën, ka bërë që drejtuesit e klubit “Skënderbeu” të ndërmarrin një tjetër veprim. Kjo ka ardhur dhe pas këmbënguljes së vlonjatëve për të gjetur kushte me parametra të duhura për një lojë të rregullt për një sfidë të rëndësishme mes dy skuadrave. Kështu gjatë paradites të së enjtes drejtuesit e klubit bardhekuq i kanë kërkuar FSHF-së zhvendosjen jo të datës së ndeshjes, por të zhvillimit të saj në një tjetër fushë. Kështu është vendosur tashmë zyrtarisht që takimi të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në stadiumin “Gjorgj Kyçyku” të qytetit të Pogradecit. Njoftimi i është bërë zyrtar gjithashtu dhe ekipit dhe trajnerit Levi, sipas të cilit e rëndësishme është të luhet në kushte të duhura për një ndeshje si kjo. Duket se korçarët janë lehtësuar pas miratimit që kanë marrë edhe në federatë për këtë ndeshje me rivalët e tyre për Kupën e Shqipërisë, pasi Korça po kalon një gjendje të vështirë për shkak të temperaturave të acarta. Ndërkaq puna e bardhekuqve vazhdon të jetë me ritme të larta, ndonëse planet ndryshuan krejt ndryshe nga sa ishin parashikuar. Madje korçarët kishin programuar që ndeshja e parë që i takonte për këtë vit të ishte ajo për kupën të zhvillohej me drita në mbrëmje, për ta kthyer të shtunën korçare në një mbrëmje të madhe futbolli. Gjithsesi, vendasit synojë patjetër një kualifikim dhe fitoren në këtë takim që për të ka po aq vlera sa dhe ndeshjet e kampionatit.

Irena Vreto 



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas