Aktualitet, Kryesore

Skemë mashtrimi në celularë?! Paratë vidhen nga telefonatat me prefikse të huaja

Kompanitë e shërbimit të telefonisë celulare kanë shpërndarë këtë mesazh për përdoruesit e tyre në Shqipëri pasditen e të mërkurës.

“Kujdes! Tregoni vëmendje në kthimin e thirrjeve të humbura drejt numrave ndërkombëtarë (veçanërisht prefikse të pazakonta) që nuk i njihni, sepse mund të rezultojë në shpenzime për llogarinë tuaj. Për më shumë info na telefononi.”



Paralajmërimi vjen në një kohë kur një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh, kanë marrë thirrje nga numra të panjohur që nuk janë në listën e kontakteve të tyre. Në disa prej këtyre rasteve, kur qytetarët I janë përgjigjur telefonatave nga këta numra, apo i kanë telefonuar ata mbrapsht, kanë ndodhur tërheqje nga llogaritë e tyre bankare.

Ora News pyeti zyrtarisht në policinë e shtetit dhe në prokurorinë e Tiranës nëse janë regjistruar denoncime për këtë skemë të dyshuar mashtrimi. Burimet nga prokuroria thanë se janë informuar për faktin se shumë përdorues të telefonave celularë kanë marrë muajt e fundit thirrje nga numra me prefikse të huaja përfshirë edhe shtete të largëta.

Por sipas këtyre burimeve, nuk janë regjistruar deri tani denoncime të kësaj natyre. Ndërkohë punonjës të policisë së shtetit thanë se deri tani nuk kanë ndeshur me kallëzime të tilla nga qytetarët edhe pse thanë se vetë ata, kanë marrë thirrje në celularët e tyre nga numra të tillë. Pavarësisht se nuk ka denoncime, policia tha se do të hapë një hetim në lidhje me këtë skemë e cila evidentohet se është prezente. Një burim i strukturave të hetimit tha për Ora News se thirrjet bëhen nga një qendër kompiuterike e cila zgjedh qëllimisht prefikse nga vende të largëta si Lituania, Panamaja, Bjellorusia, Letonia, etj, pasi bisedat telefonike me këto vende kanë kosto më të lartë dhe i faturohen marrësit të telefonatës edhe pa dijeninë e tij.

Një tjetër skemë që mendohet se po përdoret në këto raste është vjedhja e të dhënave të celularëve që marrin telefonatat dhe ndërhyrja në llogaritë bankare me të cilat janë lidhur këto aparate nga pronari I tyre. Specialistët e fushës apelojnë për kujdes të veçantë në mënyrë që telefonatave të tilla të mos u përgjigjeni dhe të mos i merrni më pas.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas