Kryesore

Skemë mashtrimi me ilaçet, dy mjekë dhe 1 farmaciste nën hetim

Leonard Bakillari

Tiranë Dy mjekë dhe një farmaciste janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet se janë përfshirë në një skemë mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve. Pas një kallëzimi penal të bërë nga disa farmacistë, Prokuroria e Tiranës ka vënë nën hetim një farmaciste, e cila nga të dhënat e para dyshohet se në bashkëpunim me dy mjekë të poliklinikës nr. 1 jepnin receta fiktive për pacientët, duke përfituar kështu rimbursimin e ilaçeve në shuma të konsiderueshme. Informacionet e para i orientuan hetimet drejt një farmacie në zonën e 9-katësheve në kryeqytet, ku pas një kontrolli të ushtruar me vendim gjykate, policia sekuestroi rreth 50 libreza shëndetësore që u përkasin pacientëve të ndryshëm. Ligji parashikon se të gjithë pacientët që përfitojnë nga lista e barnave të rimbursueshme duhet të paraqiten në farmaci me recetë të mjekut përkatës. Por në rastin konkret, ka qenë farmacistja ajo që ka mbajtur librezat shëndetësore të pacientëve, duke hedhur kështu dyshime se ato mund të jenë mbushur në mënyrë fiktive me qëllim përfitimin e ilaçeve të rimbursueshme. Lidhur me këto dyshime policia ka marrë në pyetje edhe pacientët, librezat e të cilave janë gjetur gjatë kontrollit të ushtruar në farmaci. Pacientët kanë deklaruar se farmacistja u ka thënë të lënë librezat aty, pasi ajo është në dijeni të barnave që ata përdorin dhe në këtë mënyrë do i plotësonte vetë librezat e tyre shëndetësore. Por policia dyshon se një skemë e tillë lë vend për abuzime, pasi në libreza mund të shënohen edhe ilaçe të tjera që janë pjesë e listës së rimbursimit nga ISKSH. Për këtë arsye janë administruar me qëllim verifikimin e mëtejshëm të gjitha rimbursimet që farmacia në fjalë ka përfituar gjatë një periudhe prej rreth 9 muajsh. Nga verifikimet rezulton se kjo farmaci ka një mesatare rimbursimi prej rreth 8.5 milionë lekë në muaj, shifër kjo që rezulton relativisht e lartë nëse krahasohet me aktivitetin që ushtrojnë farmaci të të njëjtave përmasa në Tiranë. Tashmë prokuroria ka nisur verifikimin e të gjitha librezave shëndetësore të sekuestruara në ambientet e farmacisë, duke i krahasuar me diagnozat e secilit prej pacientëve dhe recetat e lëshuara nga mjekët. Aktualisht janë në proces verifikimi rreth 50 libreza shëndetësore, të cilat do t’i nënshtrohen hetimit për të parë nëse në to janë shënuar ose jo ilaçe që nuk kanë lidhje me diagnozat e pacientëve që përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim. Sipas burimeve mësohet se farmacistja së bashku me dy mjekë që kanë ndjekur një pjesë të mirë të pacientëve janë aktualisht nën hetim. Vendimi për ta pritet të merret pas përfundimit të procesit të verifikimit. Kallëzimi penal për këtë çështje është depozituar pak kohë më parë në prokurori nga një grup farmacistësh, të cilët kanë hedhur dyshime se vlera e lartë e rimbursimit mund të ketë lidhje me një skemë të mundshme mashtrimi duke përdorur pikërisht librezat shëndetësore që përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim. Sipas tyre, në këtë proces dyshohet se janë përfshirë edhe mjekë. Të gjitha këto pretendime aktualisht janë në fazë hetimi dhe verifikimi nga ana e policisë dhe Prokurorisë së Tiranës.



50 Libreza shëndetësore të pacientëve të ndryshëm janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe po verifikohen, bashkë me dëshmitë e personave që përfitonin nga ilaçet me rimbursim

8.5 Milionë lekë në muaj fitonte nga rimbursimi farmacia nën hetim, shifër kjo e lartë krahasuar me të tjerat e të njëjtave përmasa. Denoncimi është bërë nga një grup farmacistësh, të cilët implikojnë edhe mjekë në skemë

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas