Kryesore

Skandali në aeroportin e Kukësit, rroga fiktive 38 punonjësve

Aeroporti i Kukësit ka dhënë rroga fiktive për 38 punonjës për rreth një vit dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi penale, pasi sipas prokurorisë askush nuk ka bërë kallëzim penal.

 Fiks Fare ka ndjekur rastin e hetuar që para zgjedhjeve të vitit 2017, por që u mbyll në heshtje dhe pa penalizuar askënd, pavarësisht zhvatjes së buxhetit të shtetit.

Ndërtimi i aeroportit të Kukësit nisi në muajin maj të vitit 2002 dhe u mor në dorëzim nga autoritetet shqiptare në vitin 2006. Sipas projektit të ndërtimit, në këtë aeroport është parashikuar që të zbresin njëherësh deri në pesë avionë, por deri më sot nuk është vënë asnjëherë në punë. Deri pa dy vitesh, pengesë ka qenë marrëveshja koncesionare e aeroportit të Rinasit.



Më 1 prill 2016, ministri Haxhinasto, duke shpallur arritjen e marrëveshjes me Tirana-Airport, tha se menjëherë pritet hapja e aeroportit të Kukësit dhe se kjo do të krijojë rreth 200 vende të reja pune.

Por, çfarë ndodhi në të vërtetë? Menjëherë filluan punësimet e para në aeroport. Konkretisht, nga viti 2016, deri para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, u punësuan 38 persona në këtë aeroport, por edhe pse kanë kaluar dy vite, aeroporti nuk ka hapur dyert për asnjë fluturim. Pikërisht për këto punësime, që u bënë pikërisht para zgjedhjeve parlamentare, Fiks Fare nisi një investigim që në prill të vitit 2017.

Në prill të vitit 2017, Fiks Fare i kërkoi informacion Autoritetit të Aviacionit Civil sesa persona janë emëruar gjithsej në këtë aeroport nga 1 Janar 2016 – 25 prill 2017.

Për këtë informacion, Aviacioni Civil nuk tregoi numrin e të punësuarve, por tha që Aeroporti i Kukësit administrohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe që përballon shpenzimet nga fondet e veta.

Duke parë hezitimin e Aviacionit Civil për të treguar numrin e punonjësve, Fiks Fare verifikoi situatën pranë Aeroportit të Kukësit. Nga informacioni i marrë në atë kohë, rezultoi se në aeroport ishin të punësuar 38 persona, por nuk paraqiteshin ndonjëherë, duke përfituar pagat nga emërimet fiktive që ishin bërë në vit elektoral. Rojet e aeroportit tregojnë për Fiksin se në punë paraqiten 6-7 veta gjithsej dhe nuk kanë parë të tjerë, të cilët janë me mirëmbajtjen e pistës. Po ashtu, sipas tyre, në punë vjen edhe drejtori e financieri. Ata thonë se ka të punësuar të tjerë, por nuk i kanë parë ndonjëherë.

Për këtë arsye, edhe prokuroria e Kukësit kishte nisur një hetim, megjithëse ky hetim dështoi. Nga verifikimi i kryer nga Fiks Fare, rezulton se prokuroria e Kukësit ka nisur hetimin për punësime fiktive më 4 maj 2017. Në atë kohë, policia gjyqësore ka ushtruar kontroll në Aeroportin e Kukësit, ku janë gjetur tre punonjës në punë dhe zyrat ishin të mbyllura.

Nga lista e punonjësve të Aeroportit Kukës ka rezultuar se në këtë aeroport punonin 38 persona. Kështu janë sekuestruar filmimet për shtatë ditë të aeroportit Kukës. Me këto prova, prokuroria ka arritur në konkluzionin se punësimet ishin fiktive dhe ka vendosur që më 11 korrik 2017, të nisë procedimin penal për Arben Carkanji dhe Agron Xhafa për “shpërdorim detyre”, të cilët kanë qenë drejtorët e aeroportit nga janari 2016 deri në maj 2017 dhe kanë nënshkruar listëpagesat për punonjësit e aeroportit të Kukësit.

Në ndjekje penale është marrë edhe shefi i financës së aeroportit, Faredin Noka. I pyetur si i pandehur, drejtori Agron Xhafa ka deklaruar se punonjësit e aeroportit të Kukësit në periudha të ndryshme janë trajnuar në aeroportin civil Tiranë, e për pasojë nuk janë paraqitur në punë vazhdimisht në aeroportin e Kukësit, pasi ky aeroport nuk ishte funksional. Gjithsesi, kjo dëshmi nuk e ka bindur prokurorinë dhe më 31 korrik 2017, çështja u dërgua në gjykatë për shpërdorim detyre ndaj tre zyrtarëve.

Por, më 10 tetor 2016, në prag të aplikimit të ligjit të Vettingut, ish-kryeprokurori Llalla kryen disa ndryshime në Prokurorinë e Kukësit. Çështja e aeroportit të Kukësit i kalon prokurorit Edmond Kariqi. Vetëm 6 ditë më vonë, prokuroria tërheq dosjen nga gjykata, me argumentin për plotësim hetimesh.

Rreth një muaj më vonë, pikërisht më 16 nëntor 2017, prokurori dërgon sërish çështjen në gjykatë, këtë herë, jo për gjykim, por tërhiqet nga akuza dhe kërkon pushimin e çështjes. Prokurori argumenton se “fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”, duke rrëzuar gjithë hetimin e kryer nga prokurorja Lati, e cila u transferua në Tropojë. Madje, prokurori Edmond Kariqi argumenton se “nuk kemi kallëzim penal që drejtuesit e Aeroportit të Kukësit të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin”.

Por, Fiks Fare e ndoqi rastin edhe pas pushimit të hetimit nga Prokuroria. Fiks Fare iu drejtua me një tjetër kërkesë zyrtare Aviacionit Civil për numrin total të punonjësve të aeroportit të Kukësit. Këtë herë, ndryshe nga hera e parë, që nuk na u dha numri i saktë, Aviacioni Civil deklaroi se aktualisht janë vetëm 7 punonjës.

Në organikë janë 11 funksione, por 4 vende janë vakante. Pra, nga 38 punonjës që ishin punësuar që në vitin 2016 dhe sipas ish-drejtorit Xhafa janë trajnuar edhe në aeroportin e Rinasit, pasi aeroporti i Kukësit nuk ishte funksional, menjëherë pas zgjedhjeve, organika është tkurrur sërish, madje në numrin minimal të punonjësve.

Por, a shkojnë këta punonjës në punë. Fiks Fare verifikoi sërish në aeroportin e Kukësit. Nga verifikimet e bëra disa ditë rezultoi që në punë nuk shkonin më shumë se 2-3 punonjës dhe rrallë herë ishin të shtatë në punë.

Pra, pavarësisht strukturës së miratuar nga Aviacioni Civil dhe rrogave të dhëna, qofshin ato 7, 8, apo 38, në aeroportin e Kukësit nuk mund të gjesh asnjëherë më shumë se 2-3 punonjës ose asnjë. Kjo e verifikuar si nga Fiks Fare, ashtu edhe nga Prokuroria. Por dhënia e këtyre rrogave fiktive, derisa nuk ka kallëzim penal nuk përbën shqetësim për organet e drejtësisë.

Por përballë fakteve të dala, që nga mbyllja e dyshimtë e hetimeve nga prokuroria e Kukësit, hezitimi i Aviacionit Civil për të dhënë detaje mbi 38 punonjësit “e trajnuar”, të cilët asnjëherë nuk rezultonin në punë, Fiks Fare iu drejtua me kërkesë edhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se kryeprokurorja Arta Marku, pas vënies në dijeni të faktit të mbylljes së hetimeve për aeroportin e Kukësit ka ngritur një grup pune për verifikimin e procedurave të ndjekura për këtë procedim penal dhe pritet dalja e konkluzioneve për këtë çështje.

Top Channel

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas