Aktualitet, Kryesore

Skandali me 2.5 km tokë në Spille, pesë zyrtarë të AKKP-së në pranga

Tiranë Kthimi i 2.5 kilometrave vijë bregdetare për një familje që pronat i kishte në zonë tjetër,  ka çuar në pranga ish-kreun e Hipotekës së Tiranës dhe katër zyrtarë të tjerë. Arrestimet e kryera dje erdhën pas një hetimi të Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës, e cila zbuloi skemën e tjetërsimit të 79 dynymëve tokë, të spostuar nga një fshat i Kavajës në zonën bregdetare. Gjykata e Tiranës i dha dje dritën jeshile operacionit policor për arrestimin e zyrtarëve, ndërsa kërkesa për gjashtë urdhër-arrestet është firmosur nga prokurori Valentin Preçi, i cili ka udhëhequr hetimet për këtë aferë. “Prona e spostuar” quhet operacioni, në kuadër të së cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i Bledar Dervishajt 35 vjeç, ish-drejtor i AKKP-së së Tiranës; Ali Aliajt 50 vjeç, ish-përgjegjës i Sektorit Juridik të AKKP-së Tiranë; Dhimitër Papës 49 vjeç, ish-topograf në këtë zyrë, aktualisht punonjës i Hipotekës; Merita Gjinalit, ish-topografe në Zyrën
Rajonale të AKKP-së Tiranë. Në kuadër të këtij operacioni u bë edhe arrestimi i Niazi Ademit, topograf i licencuar, aktualisht punonjës i Ujësjellësit të Durrësit, i cili akuzohet për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve dhe ekspertimit të rremë”. Prokuroria ka firmosur urdhër- arrestin edhe për një tjetër person të përfshirë në këtë skemë, i cili nuk është arrestuar ende nga uniformat blu dhe që dyshohet se ka qenë “koordinatori” i aferës me 79 dynymët e tokës. Këta zyrtarë akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përfituar nga pozita zyrtare dhe nëpërmjet falsifikimeve, u kanë kthyer trashëgimtarëve të familjes Jenisheri një pronë prej 79 dynymësh, duke e spostuar tokën e kthyer nga vendndodhja reale, fshati Gosë, në bregdetin e komunës Kryevidh të Kavajës, si dhe duke ndryshuar dhe zërin kadastral nga tokë ranishte, në arë. Po ashtu është marrë dhe masa e sekuestros për këtë pronë, për të cilën pas regjistrimit të paligjshëm të saj në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, janë kryer dhe transaksione shit-blerjeje midis personave të implikuar, me çmime shumë herë më të ulëta se vlera reale e tregut të tokës në këtë zonë. Nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë hetimet edhe për persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar se pas familjes Jenisheri mund të qëndrojnë persona të tjerë, të cilët duke shfrytëzuar lidhjet e tyre me zyrtarë të AKKP-së kanë bërë mundur spostimin e tokës në bregdet. Për t’u përmendur është fakti se asnjë nga anëtarët e familjes Jenisheri nuk është kaluar për procedim penal, për vetë faktin se hetimet kanë zbuluar se kjo familje vetëm sa ka shërbyer si koperturë për zaptimin nga ana e personave të tjerë të afro 80 dynymëve tokë anës detit, në fshatrat e quajtura Vilë-Boshtovë, Domen të komunës Kryevidh në Kavajë. Pas arrestimit të ish-kreut të AKKP-së së Tiranës dhe zyrtarëve të tjerë, Task-Forca në Prokurorinë e Tiranës po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të aferës me këtë sipërfaqe toke, si dhe të personave të tjerë të implikuar në hetimet. Tashmë pritet që zyrtarët e arrestuar të përballen me gjykatën për akuzën e “shpërdorimit të detyrës përmes falsifikimit”.

 



6
Ish-zyrtarë të kthimit dhe kompensimit të pronave janë implikuar në skemën e falsifikimit të 79 dynymëve tokë, të spostuar në bregdetin e Kavajës përmes mashtrimit

 

2.5 Kilometra vijë bregdetare i janë kthyer me vendim të vitit 2009 një familjeje të vetme, e cila tokat e saj i ka në Gosë të Kavajës. Dyshohet se familja ka shërbyer si koperturë

 

 

Dosja e pronës që u spostua nga Gosa në bregdet

Task-Forca nisi hetimet pas denoncimit të pretenduesve të tjerë të tokës që ndodhet në afërsi të plazhit të Spillesë. Mes denoncuesve, edhe kryetari i komunës Kryevidh

 

Tiranë Denoncimet e pretendentëve për 79 dynymët e tokës në afërsi të Spillesë por edhe të përfaqësuesve lokalë, sollën nisjen e hetimeve nga Task-Forca e Tiranës. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se gjithçka kishte nisur me një aplikim në AKKP-së,  ku familja Jenisheri që pronat e veta i ka në fshatin Gosë të Kavajës, kërkonte rikthimin e 79 dynymëve pronë, e cila i ishte sekuestruar kësaj familjeje në vitin 1939. Por prokuroria ka mundur të sigurojë aktin e sekuestros së pronës, e cila rezultonte pronë “tokë e punueshme” dhe kufijtë e së cilës ndodheshin në rrethinat e Gosës së Kavajës, shumë larg bregdetit ku me dokumente të falsifikuara u “spostua” kjo pronë. Jo pak, por 2.5 kilometër vijë bregdetare iu kthye familjes Jenisheri, ndërsa ky veprim është “vulosur” në AKKP-në e Tiranës, në vitin 2009. Vetë kryetari i komunës Kryevidh, Fatos Kaja, rreth katër muaj më parë ka denoncuar në media skandalin, madje duke e cilësuar familjen Jenisheri si një “identitet fantazmë”, duke shtuar se përveç kësaj familjeje kanë qenë dhe tetë pretendentë të tjerë, të cilët kanë synuar këto prona bregdetare. Sipas kryetarit të komunës, të gjithë pretenduesit në emër të tokave bujqësore kërkonin kompensim në tokë rëre pranë detit, ndërsa Kaja ka zbuluar se tokat ku janë bërë kthimet pranë detit nuk mund të kenë pasur pronarë, sepse më parë ato kanë qenë moçalishte dhe tokë publike. Ndërsa familjes Jenisheri i është dhënë tokë në 2.5 km vijë bregdetare në kufi mes tri fshatrave, tashmë gjykata ka vendosur sekuestron mbi këtë pronë të kthyer, ndërkohë që prangat janë hedhur mbi pesë zyrtarë shtetërorë, që duket se kanë kryer të gjithë procesin e manipulimit me 79 dynymë tokë anës detit. Aktualisht, prokuroria është duke hetuar të gjitha vendimet e AKKP-së për këtë sipërfaqe toke, që pas sekuestrimit pritet të kalojë në pronësi të shtetit.

 

Të arrestuarit

Bledar Dervishaj, 35 vjeç, ish-Drejtor i AKKP-së së Tiranës

Ali Aliaj, 50 vjeç, ish-përgjegjës i Sektorit Juridik në AKKP Tiranë

Dhimitër Papa, 49 vjeç, ish-topograf i AKKP, aktualisht hartograf në Hipotekë

Merita Gjinali, 49 vjeç, ish-topografe  në AKKP Tiranë

Niazi Ademi, 48 vjeç, topograf i licencuar, aktualisht punonjës i Ujësjellësit Durrës

Një person i shpallur në kërkim

 

Tetë pretendentë për tokën në afërsi të Spillesë

Për tokat e kthyera në emër të familjes Jenisheri ka pasur katër ankesa nga pretendues të kësaj prone. Në të vërtetë, numri i familjeve që pretendojnë pronësinë shkon në tetë, por këta katër persona janë marrë parasysh duke qenë se kanë pasur një dokumentacion për t’u marrë në konsideratë. Ndërkaq, sipërfaqja që i është njohur familjes Jenisheri është shumë herë më e madhe sesa ajo e kthyer. Bëhet fjalë për qindra dynymë të tjerë, për të cilat kjo familje pret kompensim financiar. Pas denoncimeve të pretendentëve, Prokuroria e Tiranës ka vërtetuar falsifikimet dhe spostimin e 79 dynymëve tokë nga fshati Gosë i Kavajës në bregdetin në afërsi të Spillesë, ndërkohë që kjo sipërfaqe është sekuestruar me vendim të gjykatës, duke u vënë në dispozicion të personave që kanë dokumente të rregullta.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas