Kryesore

Sipërmarrësit nga Shqipëria rrisin investimet në Ballkan: 300 mln USD vetëm në Maqedoni

Rreth 300 milionë euro pritet të investojnë 5 vitet e ardhshme në Maqedoni, një numër i vogël investitorësh nga Shqipëria. Dy projekte investimi, kanë parashikuar tashmë një angazhim prej 200 milionë euro investim, dhe hapjen e mijëra vendeve të punës. Grupet më të mëdha investitore në Shqipëri, me planet e tyre afatgjata, nuk përjashtojnë mundësinë e të qenit faktor në rajon.

Nga Albana Muçaj, BusinessMag



Ndërsa disa grupe shqiptare investimi po rriten, tregu vendas bëhet gjithnjë e më i vogël. Të pranishme në rajon prej disa vitesh tashmë, kompanitë shqiptare kanë plane ambicioze investimi në rajon përgjatë vitit 2018.

Në një intervistë për Businessmag, përfaqësuesit e ‘’Balfin’’, pranojnë se grupi do të bëhet investitori më i madh i huaj në Maqedoni. Eris Kasmi, Drejtor i Komunikimit dhe PR, thotë se, “Grupi Balfin ka zgjeruar gamën e investimeve në Maqedoni, duke u bërë pronar i një sipërfaqe toke prej 155,000 m2, të ndodhur rreth 1.5 km larg qendrës së Shkupit. Në synime është investimi në projektin e parë të zhvillimit të pasurive të patundshme, sipas një koncepti multifunksional me mbi 250,000 m2 sipërfaqe ndërtimi bruto. Ky vlerësohet të jetë investimi më i madh privat i këtij lloji në Maqedoni, me një vlerë të llogaritur prej 180 milionë eurosh’’. 

Pjesë e këtij investimi do të jetë një qendër e re tregtare, një zonë e madhe rezidenciale si dhe një park zyrash. Investimi prej 180 milionë eurosh, është i ndarë në disa faza, në një afat kohor prej 5-7 vjetësh. “Investimi fillestar do të jetë rreth 100 milionë euro dhe do të krijojë me mijëra vende pune në qytetin e Shkupit. Qendra tregtare do të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti’’, thotë Kasmi. Qendra do të ndërtohet në 2 nivele me rreth 2500 vende parkimi nëntokësore. Vendndodhja dhe madhësia e saj do të bëjnë të mundur, sipas përfaqësuesve të grupit që, krahas markave ekzistuese në treg të ketë edhe marka të reja të huaja.

Këtë vit “Balfin” do të zgjerojë njëkohësisht edhe rrjetin e dyqaneve Neptun në Maqedoni.

Plane të lakmueshme për Maqedoninë ka edhe kompania farmaceutike Sagen Dooel me bazë në Tiranë. Drejtuesi i kësaj kompanie së fundi ka vendosur të investojë në një zonë të lirë ekonomike në Maqedoni. Sipas Drejtorisë Maqedonase për Zhvillimin e Zonës Teknologjike, Sagen pritet të investojë rreth 20 milionë euro dhe të punësojë rreth 300 persona. Kompania pritet ta zhvillojë investimin në tri faza dhe për këtë ka marrë një parcelë në zonën e lirë në shkup prej 28 000 m². Plani i investimit të kësaj kompanie parashikohet të përmbyllet brenda 5 vitesh.

Agna Group, do të jetë një tjetër investitor i madh shqiptar në Maqedoni dhe në rajon. Përfaqësuesit zyrtarë të grupit, thonë për Businessmag se, zgjerimi në disa vende të rajonit të Ballkanit, si në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni erdhi natyrshëm. ‘’Kjo ishte pjesë e vizionit të Agna Group për të qenë një ndër kompanitë lider në këtë rajon’’.

Aktiviteti i biznesit të Agna Group në këto vende është i njëjtë me atë në Shqipëri, vëren kompania, duke theksuar se bëhet fjalë për shpërndarje ekskluzive të brandeve ndërkombëtare dhe lokale. Në të gjitha vendet ku operon, Agna implementon të njëjtën mënyrë të të bërit biznes, “Agna Way”.

Drejtuesit e saj, thonë se ndërkohë që Agna vazhdon në mënyrë të pandërprerë përpjekjet për të rritur biznesin në Shqipëri, si tregu kryesor, që mbart edhe fokusin kryesor, Agna Group është e hapur për të parë mundësi të mëtejshme në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë: Për drejtuesin e kompanisë Vasil Naçi, ‘në këtë mënyrë, Agna përfaqëson denjësisht edhe Shqipërinë në çdo vend ku operon përmes projekteve të saj të biznesit’’.

Industria përpunuese, drejt shtrirjes në rajon

Prej vitesh tashmë, industria përpunuese, kryesisht ajo agro ushqimore has vështirësi për eksportin e prodhimeve. Certifikimet e munguara e bëjnë të pamundur eksportin edhe në Ballkan. Megjithatë, disa sipërmarrës në këtë sektor, janë duke vlerësuar mundësinë e blerjes së lëndës së parë në rajon, përpunimit në Shqipëri dhe eksportimit të prodhimeve përfundimtare po në këto tregje. Për, produkte ushqimore, disa prej tyre po vlerësojnë ngritjen e magazinave të grumbullimit. Një nismë që edhe në këtë rast, ka pikësynim të parë Maqedoninë.

Zgjerimi rajonal i Balfin theksohet që në 2017

Vitin e kaluar, Grupi Balfin ka diversifikuar portofolin e tij të investimeve në Austri me praninë në tregun e zhvillimit të pasurive të patundshme me fokus zhvillimin e projekteve të reja në prona të patundshme në segmentin e mesëm të tregut të shitjeve në Austri si dhe ka vijuar me eksportin e ferrokromit nëpërmjet shoqërisë Albchrome (tashmë e certifikuar globalisht si një nga 5 markat më të mira të ferrokromit në botë).

Përmes kompanisë Kidzonë- partner zyrtar i ‘’Jumbo’’, Balfin u fut vitin e kaluar për herë të parë në tregun e Bosnje Hercegovinës me dy dyqane të mëdha në Sarajevë dhe Banja Luka, një nga qendrat ekonomike më të zhvilluara në këtë shtet. Në vitin 2018 planet për investime janë të mëdha dhe për këtë arëyse. Eris Kasmi tregon se, grupi do të vijojë të investojë në Bosnje Hercegovinë me Jumbo me hapjen e planifikuar të disa dyqaneve të reja në qytete të tjera të këtij shteti, si dhe zgjerimin e mëtejshëm në Kosovë. Me Jumbo, Balfin planifikon të futet edhe në Mal të Zi.

Njëkohësisht, në fushën e pasurive të paluajtshme do të zgjerojë investimet në Austri dhe do të fillojë investimet në Angli, kryesisht në Londër, përmes partnerëve të tij në këtë vend.

Në një intervistë për Businessmag, drejtuesit e grupit, bëjnë të ditur se krahas eksportit të ferrokromit dhe përveç tregjeve ekzistuese, ‘’Grupi synon zgjerimin dhe futjen edhe në tregje të tjera përfshi dhe ato vende, pjesë e Bashkimit Europian, në ato fusha të investimeve, për të cilat kemi fituar eksperiencën e duhur për të qenë konkurrues me lojtarë të tjerë ndërkombëtarë në tregje shumë më të konsoliduara sesa tregu vendas siç janë ekspansioni në Slloveni dhe në Kroaci’’.

Po investimet e reja në Shqipëri?!

Nuk kishte mëdyshje që turizmi të mos tërheqë financime në kushtet e lehtësive fiskale. ‘’Këtë vit, fokusi ështe tek turizmi elitar, ku do të synojmë të ofrojmë cilësi dhe shërbime të pa aplikuara më parë në Shqipëri në projekte tona, të cilat kanë marrë statusin e investitorit strategjik’’. Ato janë: ‘’Vala Mar Residences’’ ne Hamallaj dhe ‘’Green Coast’’ në Palase, por dhe identifikimin e mundësive të reja të projekteve turistike në vend dhe më gjerë’’, thonë përfaqësuesit e Balfin.

Për të qenë më afër me konsumtarët në qytetet kryesore në Shqipëri, këtë vit Balfin do të fillojë të aplikojë një koncept të ri, të dyqaneve Jumbo, me një format pak më të vogël se ai me të cilin jemi mësuar deri tani. Grupi planifikon investime edhe në e-commerce, ‘’pasi mendojmë që zhvillimi i teknologjisë tashmë mundëson që dhe tek ne kjo fushë të fillojë të aplikohet njëlloj si në vendet më të zhvilluara në perëndim’’, thotë Kasmi.

Rrjeti i supermarketeve Spar, së bashku me partnerët lokalë do të vijojë zgjerimin me dyqane dhe pika të tjera shitje për të ofruar shërbime dhe produkte cilësore në çdo qytet.

Një risi për Shqipërinë, do të jetë koncepti i retail park – një koncept i ndryshëm nga qendrat e sotme tregtare, por që do të ofrojnë një gamë të gjëre produktesh dhe shërbimesh për qytetarët në qytetet kyçe të vendit.

Arsyet e investimit në rajon?!

Nga komunikimet me sipërmarrësit duket se arësyeja është ‘biologjike’ për zgjerimin e kompanive.

Përtej pengesave, ata po e shohin Ballkanin si një të tërë. Por mes arsyeve, sipërmarrësit theksojnë se, shumë vende të rajonit kanë politika fiskale dhe ekonomike më lehtësuese, programe të ndryshme incentivimi për investimet e huaja, taksa më të ulëta. Mes arsyeve ata rendisin edhe informalitetin, i cili vlerësohet më i ulët në vende të tjera të Ballkanit krahasuar me Shqipërinë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas