Aktualitet, Kronika

Sinanaj rrëfen porositë për vrasjen e 2 ndërtuesve

julian sinanajPjesë nga dëshmia e vrasësit me pagesë, i penduar i drejtësisë. Si i prodhonte armët që i duheshin në atentate për të fshehur gjurmët? Konfliktet brenda grupit dhe motivet e porositësve: “Këta dy biznesmenë që m’u kërkua t’i vrisja, mësova se kishin një konflikt për një rrugë që ndodhej në afërsi të pallateve që ndërtonin të dyja palët”

 



Modifikimi i Snajperit

Pasi Erioni më dha automatikun tip “Scorpions”, gjatë kohës që vinte tek shtëpia ime me qira në Skelë, unë i kam kërkuar atij të më jepte tokën që më kishte premtuar për vrasjen e Sokol Veizit. Erioni u justifikua duke më thënë se për këtë gjë duhet të fliste me Gentian Mëhillin, sepse sipas tij shpërblimin do e paguanin të dy. Kujtoj se këto biseda janë zhvilluar diku nga fundi i muajit shtator, ose fillimi i muajit tetor 2012. Gjatë kësaj kohe më lindi si ide të modifikoja dhe ndërtoja një pushkë snajper me silenciator. Për ndërtimin e saj i tregoi Erion Mëhillit se me këtë armë do të vrisja djalin e Sokol Veizit, gjë të cilën ai ma kishte kërkuar që në fillim të ngjarjes që u pasua me vrasjen e Sokol Veizit. Modifikimin e armës fillova ta bëj për t’iu treguar atyre një lloj presioni indirekt, që ata ta merrnin më seriozisht problemin e shpërblimit tim për vrasjen e Sokol Veizit, pasi edhe ata mund të kishin të njëjtin fund nëse më mashtronin.

Një muaj pas vrasjes së Sokol Veizit unë kam blerë një pushkë 20-she me kalibër 7.62x39mm, të cilën ia bleva një peshkatari në Vlorë që jeton në lagjen “Çole. Këtë pushkë e kam blerë me një çmim prej 15 mijë lekësh. Pasi kam blerë pushkën kam filluar ta modifikoj pjesët e saj, ku në tornitorë të ndryshëm në qytetin e Vlorës në mënyrë të pakuptueshme për ta, kam identifikuar pjesët e ndryshme të armës. Kam bllokuar gypin e gazrave të armës. Mbi pjesën e tytës kam modifikuar shtratin e saj në mënyrë që mbi të të vendosej dylbi, ndërsa në pjesën e përparme të tytës kam bërë filetimin e saj në mënyrë që të montoja silenciatorin. Kam ndërtuar në mënyrë artizanale një pjesë tubi që do të kryente funksionin e silenciatorit, duke i futur pjesë të ndryshme brenda tij, të cilat i modifikoja te tornitorë të ndryshëm, në mënyrë që askush prej tyre të mos mësonte se çfarë po ndërtoja. Të gjitha këto modifikime dhe punime në torno i kam bërë me ndihmën e Erion Mëhillit dhe Ndriçim Gjokonës. Nga ana e Erionit është urdhëruar Ndriçimi që të kryente punimet në tornitorë të ndryshëm. Nga ana ime është bërë skicimi i punimeve që kërkoja të bëheshin në torno. Pasi kam përfunduar modifikimin e armës, e kam testuar atë në pyllin e Sodës, ku kam konstatuar se silenciatori ishte efikas, ndërsa regjistrimi i dylbive kishte nevojë për kolaudim, pasi nuk kisha gjetur ende terrenin e duhur për ta realizuar atë.

Ndërtimi i dy bombave me celular

Pas përfundimit të armës snajper, nga ana ime iu kërkua përsëri borxhi që më kishte Erion Mëhilli, por ai vazhdonte të më mbante me shpresa se do të m’i jepte më vonë së bashku me Gentian Mëhillajn. Gjatë këtyre ditëve, që ishin në muajt tetor-nëntor 2012, nga ana e Erjonit m’u kërkua që të prodhoja dy mina me celular. Në këtë rast ai më tregoi që këto dy mina të ishin më të sigurta se mina e parë me rele. Për blerjen e tyre ai (Erioni) më ofroi shumën e 10 mijë euro secila, ku fillimisht më ka dhënë 15 mijë euro dhe pasi ja kam dorëzuar më ka dhënë edhe 5 mijë euro të tjera. Për këto dy mina me celular, Erioni nuk më tregoi se përse i kërkonte ato. Për ndërtimin e tyre unë kam porositur 3-4 rele elektronike me voltazh të ulët (rele të kuqe) të cilat i kam blerë në Greqi së bashku me 2-3 bateri 8-voltëshe e sipër, pasi më parë kisha studiuar në internet skematikat e përdorimit të tyre. Kujtoj se një rele kushton 40 e ca euro. Ato ishin me përmasa të vogla si edhe bateria të tipit “Lithiy”. Këto pajisje i kam porositur nëpërmjet një shoku në internet, i cili është shtetas grek dhe jeton në Greqi. Dua të sqaroj se unë zgjodha ndërtimin në mënyrë artizanale pasi nuk doja që Erion Mëhilli apo grupi i tij shoqëror të mësonte e të dinte më shumë rreth tyre. Unë mund të blija edhe aparatura të gatshme që punojnë me kartë telefoni dhe që mund të përdoren me lehtësi dhe siguri nëpërmjet thirrjeve telefonike. Nga këto aparatura ka në shitje dhe gjenden me çmim të lirë, pasi janë multifunksionale dhe mund të përdoren edhe për shpërthimin e një bombe në distancë. Një aparaturë e tillë është edhe aparatura që më është gjetur në banesë pas kontrollit të policisë. Kjo aparaturë është në përmasa më të mëdha se të tjerat dhe ajo mund të përdoret dhe modifikohet të punojë me bateri për t’u përdorur si minë.

Këto aksesorë për ndërtimin e minave (rele dhe bateri) më janë dërguar me autobusin e linjës së Greqisë kundrejt pagesës së dërgimit të pakove që bën çdo nevojtar. Pasi kam marrë relet dhe bateritë kam blerë dy aparate celularësh me përmasa të vogla. Nuk jam i sigurt nëse ishin “Nokia” apo “Samsung”, por di se ishin pa kamera dhe të pa përdorur. Më pas kam bërë montimin e tyre, por nuk jam i sigurt nëse iu kam vendosur kartë telefoni, apo ato i ka vendosur Erjoni. Jam i sigurt se i kam treguar mënyrën e përdorimit të tyre. Unë pasi i kam dhënë dy aparatet e montuara Erion Mëhillit i kam treguar edhe për vendin ku do të bëhej lidhja e me kapsollën elektrike dhe eksplozivin. Më pas prej tij më është paguar edhe pjesa e mbetur e parave, shuma prej 5 mijë euro. Pas dhënies së tyre, unë nuk kam dëgjuar që në ato kohë të ndodhte ndonjë ngjarje me eksploziv.

Dy shpërthime me eksploziv

Dua të shtoj se gjatë verës së vitit 2013 kam dëgjuar një ngjarje në Vlorë, në të cilën bëhej fjalë për shpërthim e një motori nëpërmjet minës me celular. Me të dëgjuar për këtë ngjarje kam dyshuar se ajo mund të kishte lidhje me Erion Mëhillin. Këtë dyshim e kam krijuar sepse nga mënyra e ndodhjes së ngjarjes, të shpërthimit të motorit, ishte e njëjta me atë që unë i kisha sugjeruar Erjonit për vrasjen e Sokol Veizit. Kjo mënyrë konsiston në faktin që mina do të vendosej në një motor dhe në momentin që personi do të afrohej, motori do të shpërthente. Për këtë ngjarje kam mësuar se ajo ka ndodhur mbrapa rrugës “Transballkanike” dhe se këtij personi ose vëllait të tij i ishte bërë edhe një atentat tjerët me eksploziv, ngjarje e cila është publikuar edhe në media. Për këtë ngjarje mua më ka treguar Y. gjatë vitit 2013, në kohën që unë kisha marrë përsipër vrasjen e X. Kjo bisedë nga Y. më është bërë gjatë momentit që unë po luaja shah me të poshtë pallatit të tij, ku i pranishëm ishte edhe Ndriçim Gjokona. Për këtë ngjarje kishte dijeni Y. i cili më tregoi se personi kishte pësuar dëmtime në këmbë në momentin e ngjarjes së parë. Mësova nga Y. se ky si person ishte i lidhur me ngjarje të tjera kriminale të ndodhura jashtë shtetit.

Një nga ngjarjet që më tregoi ishte se ky person kishte plagosur dikë jashtë shtetit, të cilin e kishte lënë të paralizuar për probleme zënkash për trafiqe droge. Ky personi i paralizuar kishte qenë nga Durrësi dhe Y. kishte njohje me të. Y më tregoi se personit që i kishin vënë eksploziv në motor nuk kishte pësuar dëmtime dhe për këtë fakt ata kishin përsëritur atentatin. Herën e dytë i kishin vendosur eksploziv në makinë, ku nga shpërthimi personi kishte pësuar dëmtime në gjymtyrë. Kjo ngjarje kishte ndodhur përsëri në Vlorë në rrugën “Transballkanike”, por Y. më tregoi se në rastin e dytë ishte përdorur eksploziv amfo (amonio  nitrat). Për këtë ngjarje Y. më tregoi se ajo kishte ndodhur në rrugën “Transballkanike” në afërsi të një lavazhi makinash. Pasi dëgjova shpjegimet e Y. më bëri të dyshoja se në të dyja këto ngjarje kishte dorë Erion Mëhilli, që ishte dhe personi të cilit unë i kisha shitur dy aparatura shpërthimi, që po të lidheshin me kapsolla elektrike dhe eksplozivin do të realizonin shpërthimin.

Porosia për vrasjen e dy biznesmenëve     

Pas shitjes së dy minave me celular nga ana e Erion Mëhillit më është kërkuar që unë të bëja vrasjen e dy biznesmenëve që ishin njëkohësisht kundërshtarë të Z. dhe vëllait të tij, të cilët janë kushërinj të Genis Mëhillit. Këta dy biznesmenë që m’u kërkua t’i vrisja mësova se kishin një konflikt për një rrugë që ndodhej në afërsi të pallateve që ndërtonin të dyja palët. Unë nuk e pranova të kryeja këtë vrasje, pasi ende nuk më kishin paguar detyrimin që më kishin për vrasjen e Sokol Veizit. Këtë propozim për vrasje, Erion Mëhilli ma ka bërë tek shtëpia ime ku qëndroja me qira. Në këtë takim kemi qenë vetëm ne të dy sepse unë nuk pranoja asnjë person tjetër në shtëpi. Kjo kërkesë nga ana e Erionit më është bërë diku në muajt tetor-nëntor, përpara se unë të vija me banim në Tiranë.  Gjatë bisedave me Erjonin ai më tregoj se në vitin 1997 së bashku ne Z (…) kishin marrë një shokun e tyre me origjinë çame, dhe e kishin vrarë në një vend të fshehur. Për këtë ngjarje di se ka dijeni edhe Ndriçim Gjokona, sepse në një bisedë që kamë bërë më të,  prej tij kam mësuar se ai kishte marrë fillimisht në makinën e tij dhe më pas e kishte pyetur për lidhjet që kishte me çamët kundërshtarët e Gentian Mëhillajt. Erjoni pasi e ka marrë në pyetje personin që ishte moshatar i tij, duke e torturuar e ka goditur atë me një gur në kokë, disa herë ndërsa Z e ka qëlluar me pistoletë në gjoks dhe në kokë. Këtë vrasje Erjoni më tregoi se e kishte kryer pasi ishte shtyrë nga Gentian Mëhillaj, i cili e kishte përdorur atë në një kohë që ai ishte në një moshë të vogël. Për personin e vrarë unë kam dijeni se ai ishte shoku i Erjon Mëhillajt dhe se që të dy shoqëroheshin bashkë gjatë vitit 1997. Ky person njëkohësisht ishte lidhja e disa çamëve që ishin kundërshtarë të Y. dhe Genis Mëhillajt. Ky personi i vrarë ka qenë në një moshë të vogël 18-19 vjeç, dhe që shoqërohej edhe me Z.  Gjithashtu di se çamët, lidhje e këtij personi të vrarë, ishin kundërshtarë të Y dhe Genisit dhe gjatë vitit 1997 kishin vrarë dajën ose xhajën e Y. Këto biseda ai m’i ka bërë tek shtëpia, gjatë momentit që unë refuzova vrasjen e dy biznesmenëve që kërkonin Z me të vëllain…

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas