Kronika, Kryesore

“Sinanaj kërkoi raketa me mbushje bërthamore”

Grupi-kriminalBanda funksiononte si mafia në Itali, merrte në mbrojtje bizneset që sulmoheshin nga grupet rivale. Dëshmitari thotë se kishte bërë roje 10 ditë në shtëpitë e dy biznesmenëve

Ndriçim Gjokona rrëfen si kryhej blerja dhe trafiku i armëve që përdoreshin në atentate; qendrat e grumbullimit dhe si varionin çmimet. Një minë e telekomanduar blihej sipas tij me 2500 euro në Malin e Zi, ndërsa Sinanaj i ndërtonte me 5 mijë euro copën. Shkodra identifikohet si qendra e trafikut të armëve që futeshin në vend nga Mali i Zi. Dëshmia po ashtu zbulon se Sinanaj vijonte të merrte porosi për atentate edhe nga Greqia. Çmimi i tyre, disa herë më i lartë se ai i Tiranës. Gjokona thotë se ai ishte në kërkim të një “Scorpionsi” që i duhej për një vrasje në vendin fqinj, për të cilën kishte marrë një parapagim dhe në total do merrte 150 mijë euro. Ai po ashtu sjell një panoramë të funksionimit të bandës, që ashtu si grupet kriminale në Jug të Italisë, shërbente edhe si polici kundër bandave të tjera. Ai thotë se për këtë kishte bërë roje me armë te shtëpia e dy biznesmenëve, të cilëve u ishte vënë një gjobë. “Kur kam shkuar në Vlorë, nga ana e Genis Mëhillajt më është kërkuar që unë të veja dhe të bëja roje tek dy vëllezër, pasi atyre iu ishte vënë një gjobë. Tek këta dy vëllezër unë kam qëndruar roje me automatik për një kohë prej 10 ditësh, sepse ata rrezikoheshin të goditeshin nga T dhe C”, thotë Gjokona në dëshminë e tij. Më tej ai shpjegon se kërkesat e Julianit bëheshin gjithmonë e më të mëdha dhe se ai kërkonte madje raketa me mbushje bërthamore.



 

Si i siguronte armët e vrasjeve Julian Sinanaj

Përsa i përket vrasjes së shtetasit Sokol Veizi kam dijeni se ajo është kryer me pistoletën “Makarov”, e cila është siguruar nga Andon Mëhillaj. Në këtë vrasje Juliani ka pasur si armatim të tijin edhe pistoletën “TT” dhe një granat. Përsa i përket pistoletës “TT” dhe silenciatorit, ato janë siguruar nga ana e Andonit, i cili së bashku me mua kemi shkuar tek servisi i L, që fillimisht gjendej tek fabrika e tullave, dhe më pas e bleu tek rruga “Transballkanike”. Pistoleta dhe silenciatori mbaheshin të fshehura tek servisi, të cilat me kërkesën e Andonit kemi shkuar dhe i kemi marrë ato. Përsa i përket pistoletës “TT” dua të sqaroj se në dijeninë time, është arma që Juliani ka pasur si armë të dytë në vrasjen e Sokol Veizit, armë së cilës pas vrasjes i është ndryshuar tyta, dhe është pikërisht arma që mbante me vete Juliani ditën e arrestimit. Gjatë këtyre kohëve nga ana e Genis Mëhillajt janë siguruar një armë automatike “Kallashnikov”, me qytë metalike dhe një “Scorpions” me silenciator, ku kjo armë i është sekuestruar Julianit nga policia gjatë kontrollit të banesës në Tiranë. Di se gjatë kësaj kohe Juliani mbante një pushkë automatike 20-she, të cilën ai e kishte siguruar vetë. Këtë pushkë më vonë Juliani e modifikoi duke e kthyer në armë të precizionit të lartë. Pistoleta ‘Zastava’ që iu sekuestrua Julianit së bashku me antiplumbin dhe sasinë e fishekëve gjatë kontrollit të banesës, janë siguruar nëpërmjet ndërmjetësimit tim.

Njohja me tregtarët e armëve

Për të siguruar këtë armë dhe municionet, nga ana ime nëpërmjet shoqërisë kam kontaktuar me shtetasin R, me banim në Vlorë. Nëpërmjet tij jam njohur me A., që është nga Fieri. Nëpërmjet tij jam njohur me Albin Mexhajn nga Vora. Unë duke i shprehur kërkesën A. për gjetjen dhe blerjen e një arme të tipit “Zastava”, së bashku me të kam ardhur nga Fieri në Vorë, ku jemi takuar fillimisht me D. të cilin A. e mori në telefon që kur u nisëm nga Fieri. Në Vorë, në anë të autostradës jemi takuar me D., i cili kishte marrë pistoletën me vete për të na i treguar. Pas takimit kemi marrë të dhënat e pistoletës dhe një fishek dhe kemi ardhur në Tiranë të takonim Julianin, ku do t’i tregonim të dhënat e pistoletës dhe fishekun që përdorte. Pasi morëm pëlqimin e Julianit, prej tij u kërkua që të gjendej edhe një karikator shtesë dhe pazari i tyre ishte 150 euro. Atë ditë ne dhamë pëlqimin dhe të nesërmen jemi takuar unë, Juliani dhe Albini, tek “Zogu Zi” në një lokal qofteri. Më pas unë me Albinin kemi shkuar në Vorë për të marrë pistoletën dhe një krehër rezervë. Kur vajtëm në Vorë, unë qëndrova në një lokal, ndërsa Albini shkoi tek shtëpia e tij. Mbas rreth 10-15 minutash, pashë se erdhi përsëri me motor, ku me vete kishte dhe pistoletën dhe dy krehrat. Gjatë kthimit për në Tiranë, kemi ndalur në një restorant në anë të rrugës dytësore, pasi aty Albini mori dhe një porosi tjetër për blerjen e një snajperi, ku në këtë porosi isha i pranishëm edhe unë.

Blerja e pistoletës dhe e fishekëve me shpërthim

Më pas vazhduam rrugën dhe kemi mbërritur tek “Zogu i Zi”, ku tek një lokal na priste Juliani. Brenda në lokal është bërë shkëmbimi i pistoletës dhe 1.500 eurove ndërmjet Julianit dhe Albinit, ku 1.200 euro iu dhanë Albinit, ndërsa 300 euro u mbajtën peng për të sjellë edhe 100 copë fishekë. Të nesërmen në mbrëmje unë jam takuar me Albinin, ku për takimin u njoftuam me telefona me njëri-tjetrin. Tashmë unë Albinit i kisha marrë numrin e telefonit, të cilin e kisha regjistruar në aparatin tim me emrin Albin. Po ashtu edhe ai kishte regjistruar numrin tim, të cilin nuk e kam më në përdorim. Pasi jam takuar me Albinin, i kam dhënë 300 eurot që më dha Juliani, dhe kam marrë prej tij një pako me 38 fishek kalibër 9mm, ku dy prej fishekëve ishin me shpërthim të dytë kur godisnin objektivin dhe një pako me 50 fishekë, kalibër 7.65 mm të markës “Broening”. Pasi u ndava nga Albini, kam shkuar tek Juliani, i cili më priste tek “21 Dhjetori”, ku i kam dhënë dy pakot me fishekë. Juliani mori pakot dhe më ka dhënë 100 euro sepse unë do të shkoja në Vlorë, ndërsa ai, sipas tij ato 2-3 ditë do të udhëtonte për në Greqi, ku atje do të merrte 50.000 euro për një vrasje që kishte kryer atje dhe do të kthehej mbas 10 ditësh.

10 ditë roje me automatik tek biznesmenët e ndërtimit

Nga ana e Julianit m’u tha se kur të kthehej nga Greqia do të bënim grabitjet e bankave që ai kishte planifikuar. Kur kam shkuar në Vlorë, nga ana e Genis Mëhillajt më është kërkuar që unë të veja dhe të beja roje tek dy vëllezër, pasi atyre iu ishte vënë një gjobë. Tek këta dy vëllezër unë kam qëndruar roje me automatik për një kohë prej 10 ditësh sepse ata rrezikoheshin të goditeshin nga T dhe C. Mbas 10 ditësh jam telefonuar nga Juliani, i cili më kërkoi që unë të kthehesha në Tiranë, pasi edhe ai ishte kthyer nga Greqia. Unë nuk jam kthyer në Tiranë ato ditë, pasi e dija se Juliani më kërkonte që të bënim grabitjen e bankave, dhe për këtë gjë kam nxjerrë përpara tij justifikime të ndryshme. Mbas disa ditësh që i bie nga fundi i tetorit ose fillimi i Nëntorit 2013, unë kam ardhur në Durrës së bashku me familjen. Gjatë kësaj kohe kam komunikuar shpesh në telefon me Julianin, të cilit i kam kërkuar që të më linte në punët e mia sepse isha me familjen. Nga ana e tij m’u kërkua që unë t’i bëja si nder të fundit, që të lidhesha përsëri me Albinin dhe të gjeja prej tij një krehër për armën “Scorpions”, pasi krehri që kjo armë kishte, ishte me defekt dhe mbante vetëm 10 fishekë. Gjithashtu më kërkoi që t’i gjeja edhe një antiplumb, të cilin kërkonte ta mbante për vetëmbrojtje gjatë grabitjeve të bankave.

Baza e armëve në Shkodër

Pranova t’i kryeja edhe këtë shërbim të fundit, ku kam kontaktuar me Albinin dhe jemi takuar të dy tek “Zogu i Zi”. Pasi jemi takuar, i kam treguar për problemin që kisha dhe që të dy kemi udhëtuar në qytetin e Shkodrës sepse atje Albini kishte një person, i cili e furnizonte me armatim dhe municion. Pasi kemi shkuar me furgonin e linjës, Albini gjatë gjithë rrugës komunikonte me personin, emrin e të cilit nuk e kujtoj, i cili doli dhe na priti në dalje të Shkodrës, rrugës kur shkon për në “Hanin e Hotit”. Personit i kemi kërkuar që të na siguronte një krehër dhe nja dy armë “Scorpions” të kompletuara me silenciator. Mora pëlqimin për pazarin që shkonte për krehrin 50 euro dhe për dy “Scorpions”-at nga 600 euro secila dhamë porosinë dhe personi na tha se kur t’i siguronte, do të na njoftonte nëpërmjet Albinit. Jemi kthyer në Tiranë, ku i kam treguar Julianit për veprimet që kisha kryer. Gjatë kësaj kohe ne ishim në pritje të porosisë, e cila po vononte, gjë për të cilën Juliani u mërzit me Albinin, deri në atë pikë sa u shpreh se do ta ekzekutonte atë. Juliani më tregoi se ai do të porosiste tre pistoleta “Zastava” me silenciator, ku me njërën prej tyre do të vriste Albinin dhe do t’ia linte armën mbi trup. Gjatë kësaj kohe mua më vriste ndërgjegjja se si Juliani kërkonte të vriste një person pa i patur faj, si dhe anën tjetër që ai kërkonte të më implikonte në vjedhjet e bankave ose në një vrasje, gjë të cilën ma kërkonte gjithmonë me këmbëngulje, pasi ishte në dyshim për pozicionin tim.

Armë dhe antiplumb në Laç

Pas dhënies së porosisë në Shkodër, diku mbas 10-15 ditësh, kam bërë një udhëtim të dytë me Albinin, por në këtë rast në Laç, pasi aty një shoku i tij kishte siguruar jelekun antiplumb. Kemi shkuar dhe takuar personin, për të cilin mësova se quhej A. Ky person na ka pritur në hyrje të Laçit dhe mësova se banonte po aty, në qytetin e Laçit. Pasi jemi takuar me të, kemi hipur në makinën e tij dhe në një nga ndërtesat e vjetra të fabrikave në Laç, ai na ka treguar jelekun, të cilin e kishte në makinë. Për këtë jelek, unë pasi kam folur me Julianin për pazarin e tij, kam paguar 600 euro personit që e shiste. Unë pasi mora jelekun antiplumb, e vesha atë dhe jemi nisur për në qendër të Laçit, ku më kanë zbritur nga makina sepse të dy do të shkonin tek shtëpia e tij të mermin një pistoletë “TT”, të cilën e kishte porositur Albini më përpara tek ky person, për llogari të tij. Mbas rreth 10 minutash kam parë se që të dy erdhën tek vendi ku unë i prisja. Më pas me linjën e furgonëve, së bashku me Albinin kemi udhëtuar për në Tiranë, ku aty tek “Zogu i Zi” na priste Juliani. Kur u takuam me Julianin, i treguam antiplumbin, i cili i pëlqeu. Gjatë këtij momenti pashë se Albini na tregoi edhe pistoletën që kishte blerë tek personi, e cila ishte e tipit “TT”. Më pas jemi ndarë nga Albini, ku Juliani më ka kërkuar që unë të nesërmen të shkoja përsëri në Shkodër me Albinin pasi i duhej patjetër një krehër “Scorpionsi”, sepse krehrin e armës së tij e kishte me defekt.

150 mijë euro për vrasjen në Greqi

Juliani më tregoi se me krehrin që do të blinte, atë do t’ia vendoste “Scorpions”-it, sepse atë si armë ai kërkonte ta dërgonte në Greqi, pasi atje kishte marrë një porosi për një vrasje, për të cilën ishte paguar 150.000 euro, ku gjysmat e tyre i kishte marrë paradhënie. Po ashtu Juliani më kërkoi që unë të blija edhe një “Scorpions” të ri, të cilin kërkonte ta mbante si armatim. Të nesërmen kam lënë takim me Albinin, i cili nuk erdhi në takim dhe nuk më hapi telefonin kur unë kërkova të lidhesha me të. Duke parë situatën e krijuar, i tregova Julianit se në Shkodër po ikja vetëm sepse nuk kishte ardhur Albini. Kur kam shkuar në Shkodër, jam telefonuar nga Albini, të cilit i tregova se isha në Shkodër, dhe i kërkova që ai patjetër të vinte tek unë. Albini ndërkohë ishte lidhur në telefon me shkodranin, ku i kishte treguar se unë ndodhesha aty për të takuar atë, ku ai ishte revoltuar dhe kishte refuzuar takimin me mua, gjë për të cilën kishte detyruar Albinin që ai të vinte në Shkodër. Këto biseda Albini mi tregoi pasi u takova me të, ku për këtë problem më tregoi edhe sms që kishte shkëmbyer me personin nga Shkodra. Pasi u takova me Albinin, nga ana e tij u komunikua me personin që të takoheshim, ku ai ka refuzuar takimin me mua dhe kërkoi që të takohej vetëm me Albinin, sepse dyshonte tek veprimet e mia që kisha shkuar në Shkodër pa prezencën e Albinit.

Trafiku i armëve nga Mali i Zi

Në takimin me shkodranin ka qenë vetëm Albini, ku nga ana e tij ishte kthyer përgjigja se porosia ishte dhënë në Malin e Zi dhe në momentin që ato do të vinin, ai do të njoftonte Albinin. Ai kërkoi që ne të mos e shqetësonim më me veprimet tona të ngutshme. Pas këtij takimi, jemi kthyer në Tiranë, ku për të gjitha veprimet që kisha kryer kam vënë në dijeni Julianin. Mbas tre ditëve shkodrani erdhi vetë në Tiranë ku ishte takuar me Albinin dhe i kishte treguar se “Scorpionsi” kishte mbërritur në Shkodër. Atë ditë une jam telefonuar nga Albini, ku kam shkuar dhe e kam takuar ate tek “Zogu i Zi”. Për këtë problem kam shkuar dhe jam takuar me Julianin, ku i tregova se “Scorpionsi” ishte gjetur dhe ndodhej në Shkodër i kompletuar. Juliani më tha se nuk kemi për ta marrë sepse e kishin ndryshuar pazarin nga 600 euro në 1500 euro dhe e mbanin shtrenjtë. Juliani më tha që unë t’u kërkoja atyre ta ruanin mos ta shisnin sepse do ta merrnim pak më vonë, duke më treguar se duhet të talleshim me ta sikurse ata ishin vonuar me ne. Kjo porosi nga ana jone nuk është marrë më pas.

Kush ishte Albin Mexhaj, personi që siguronte armët

Për personin e quajtur Albin Mexhaj dua të them se unë jam takuar me të 10-15 herë. Prej tij kam mësuar se ai është me origjinë nga veriu, por që banon në Vorë. Po ashtu kam mësuar se ai ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Për Albinin di se ai përdor një motor “Papaq” dhe gjatë gjithë kohës lëviz i armatosur, ku unë i kam parë si armë në një rast një pistoletë “Zastava 9” kalibër 7.65 mm dhe në një rast tjetër një pistoletë “TT”. Gjithashtu di se në Portin e Durrësit, përpara Vitit të Ri 2014, nga ana e tij më është treguar se i janë sekuestruar 50 kg hashash (kanabis-sativa). Për këtë ngjarje më ka treguar se shoferi që do të bënte transportin ndodhej i arrestuar. Gjithashtu më ka treguar se për këtë ngjarje ai ndodhej në konflikt me dy persona të tjerë nga qyteti i Durrësit, pasi sasia e drogës që do të transportonte nuk ishte 50 kg sa ishin sekuestruar por 100 kg, ku gjysma e sasisë ishte mbajtur nga ana e këtyre dy personave, ku për këtë ngjarje më është justifikuar prej tij dhe mbajtja e armëve me të cilat kërkonte të kërcënonte dy personat. Gjatë kësaj periudhe nga ana e Albinit më është kërkuar që nëse unë kisha persona që tregtonin drogë në Itali, ai më ofronte ndihmë duke më lidhur me disa klientë të fuqishëm italian nga Kalabria. Në takimet e kryera ndërmjet nesh, nga Albini kemi mësuar se kishte vite që merrej me shitblerje armësh, municionesh, ku ndërmjet tyre na tregoi se kishte shitur edhe mina me telekomandë. Këtë gjë ai e pohoj kur Juliani i ofroj atij mina për të shitur me çmimin 5.000 euro copa. Albini iu përgjigj se ky çmim ishte tepër i shtrenjtë, pasi ato ai i siguronte nga Mali i Zi me 2.500 euro copa.

Juliani, i interesuar për raketa me mbushje bërthamore

Në këtë takim Juliani i kërkoi Albinit nëse ai kishte dijeni se ku mund të kishte raketa me mbushje bërthamore, ku Albini i tregoi se ato gjendeshin në Gjadër të Lezhës. Nuk u diskutua ndërmjet tyre për ndonjë pazar për shitjen apo blerjen e tyre, por thjesht u diskutua si bisedë. Po ashtu aty nga ana e Julianit u tregua se ai kishte dijeni për snajperin që kishte kryer vrasjen nga dritarja e paraburgimit të 313 në Tiranë. Për këtë armë kishte dijeni se kush e kishte sjellë atë në Shqipëri dhe kush e kishte përdorur atë, pa i përmendur emrat e tyre. Për këtë snajper tha se kishte ardhur nga Franca. Që të dy gjatë bisedave tregonin histori të ndryshme armësh dhe vrasjesh duke u mburrur të dy ndaj njëri-tjetrit. Me Albinin dua të sqaroj se unë kam komunikuar në disa raste nëpërmjet telefonit, ku kam pasur të regjistruar numrin e tij. Gjithashtu di se Albini ka qëlluar me armë dorën e tij dhe si pasojë e kësaj plage, një gisht i dorës nuk i mbyllet kur e mbledh dorën grusht.

PasPara

1 koment

  1. Raketa me mbushje berthamore?!?!? Dhe paska ne Gjader?!?!? A me verte e keni juve, apo keshtu kallxoni perralla….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas