Kryesore, Mapo Format

Si u arrestua Arbër Çekaj: Detaji që “tradhtoi” pronarin e bananeve të kokainës

Interpoli ra në gjurmë të Arbër Çekajt vetëm pasi ai i bëri telefonatë familjes së tij në Tiranë. Pronari i bananeve të kokainës 20 ditë më parë kontaktoi familjarët nëpërmjet rrjeteve sociale.

Një telefonatë me familjarët ka zbuluar vendndodhjen e Arbër Çekajt në Gjermani. Interpoli ka mundur të zbulojë se ku ai fshihej prej më shumë se dy muajsh, vetëm 20 ditë më parë. Çekaj, siç raportoi dje Report.tv telefonoi familjen e tij nëpërmjet rrjeteve sociale. Aq është dashur që ekspertët policorë të marrin të dhënat për të cilat në mënyrë të menjëhershme janë përcjellë për te partnerët gjermanë të cilët në më pak se tre javë kanë bërë të mundur arrestimin e tij. Tashmë pronari i kontejnerit me banane në brendësi të cilit ishin fshehur 613 kilogramë kokainë është në pritje të përfundimit të procedurave për t’u deportuar në Shqipëri ku do të përballet me drejtësinë.



Telefonata
Ai i ndërronte shpesh numrat e celularit, por në këtë rast nuk e bëri. Policia Shqiptare, e cila po përgjonte familjen e Arbër Çekajt në kryeqytet, i çoi të dhënat e kësaj telefonate tek autoritetet gjermane. Këto të fundit nëpërmjet kodit “IMEI”, arritën të gjenin vendin ku ishte Arbër Çekaj, në një krahinë të Dyesldorfit. Pikërisht ky “gabim” bëri që të arrestohej pronari i kompanisë ‘Arbri Garden’, ku në kontejnerin e ardhur nga Ekuadori u gjetën 613 kg kokainë.

Për të identifikuar Çekajn, në Gjermani kanë shkuar edhe dy oficerë të Krimeve të Rënda, të cilët kanë konfirmuar se bëhej fjalë për personin kryesor të shpallur në kërkim, për sasinë prej 613 kg kokainë të zbuluar në Maminas në 28 shkurt. Në Gjermani, Arbër Çekaj mbante një dokument identifikimi me mbiemrin e bashkëshortes së tij, Jansen. Me këtë dokument ai ka udhëtuar edhe drejt Holandës.

Ndryshimi i mbiemrit

Çekaj në momentin e ndalimit i është prezantuar oficerëve të policisë me gjeneralitetet Arber Jansen, mbiemër të cilin ai e përdor që pas martesës me bashkëshorten e tij daneze. 48-vjeçari shqiptar i cili akuzohet se qëndron pas trafikut të 613 kg kokainë nga Kolumbia në Maminas fshihej prej dy muajsh në qytetin e Wiesbaden në Gjermaninë qendrore. Pas ndalimit në Wiesbaden agjentët e Interpol e kanë dërguar atë në Duseldorf aty ku dhe ka dalë para gjykatës duke u njohur me kërkesën për ekstradim. Prej disa javësh agjentët shqiptarë të policisë kriminale ndodheshin në qytetin Heesen të Gjermanisë aty ku dhe ishte lokalizuar vendndodhja e fundit e Arber Çekajt. Pas kësaj, vëzhgimet në terren me policinë gjermane, njësinë e Interpol dhe zyrën federale të kriminalistikës në Gjermani u arrit që ai të prangoset në Uiesbaden ditën e djeshme duke mos bërë rezistencë. Nëse gjykata në Dusseldorf do të aprovojë kërkesën e ministrisë shqiptare të Drejtësisë, atëherë pritet që brenda 40 ditëve Çekaj të ekstradohet drejt Shqipërisë për t’u përballur me drejtësinë në lidhje me akuzat për trafik ndërkombëtar droge.

“Last snow”

Për arrestimin e Çekajt në Gjermani pati një bashkëpunim të ngushtë mes policisë shqiptare e asaj gjermane. Policia njoftoi se “Në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë e huaja ligjzbatuese dhe konkretisht ato gjermane u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Arber Çekaj, pronari i firmës Arbri Garden ku u sekuestruan 613 kg kokainë në kuadër të operacionit “last snow”. U shkëmbye informacion në kohë rekord midis Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda”. Arrestimi i Çekajt u bë publik vetëm pak minuta pasi ministri i brendshëm Xhafaj deklaroi në Lezhë: “Jo më larg se sot, unë besoj pasdite, ndoshta kur ta finalizojë, policia e shtetit ka dy operacione shumë të suksesshme me Spanjën e Gjermaninë, që kanë të bëjnë me aktivitet të rëndë kriminal”.

“Peshk-banania i madh”

“Nga çdo këndvështrim, Arbër Çekaj është një peshk i madh. Kompania e tij importoi një ngarkesë bananesh që përmbante sasinë më të madhe të kokainës në historinë e Shqipërisë. Ai është hetuar më parë për trafikim kokaine nga prokurorët shqiptarë. Ne përgëzojmë punën e prokurorëve të Krimeve të Rënda që kërkuan urdhër-arrestin për zotin Çekaj. Shqipëria ka një histori të gjatë arrestimesh të ngjalave dhe injorimi të peshqve të mëdhenj. Kjo gjë merr fund sot”, deklaronte pas arrestimit të Çekajt ambasada amerikane. Ambasada Amerikane e ka përshëndetur arrestimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku nuk është kursyer në metaforë e humor. “Bravo Gjermania! Bravo Shqipëria”, shkruhet shkurtimisht në postimin e një karikature, ku shfaqet një krijesë, gjysmë banane, gjysmë peshk.

Akuzat

613 kg kokainë, e kapur në kontejnerin e porositur nga Çekaj, është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe vlera e saj në tregu shkonte deri në 200 milionë euro. Destinacioni i kokainës ishin tregjet europiane, ndërkohë që mendohet se Çekaj ka bashkëpunuar edhe me disa persona të tjerë për transportimin e drogës nga Kolumbia drejt Shqipërisë. Ambasadori amerikan Donald Lu e kishte kërkuar shprehimisht arrestimin e tij duke e quajtur si “peshk të madh” të krimit. Menjëherë pas arrestimit ambasada amerikane reagoi duke i falënderuar forcat policore për operacionin e suksesshëm për arrestimin e tij. Arbër Çekaj ishte shpallur zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar prej datës 10 mars të këtij viti. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Çekajn. Sipas organit të akuzës ai dyshohet se është pjesë e këtij trafiku të lëndëve narkotike pasi sasia e kokainës u gjet në kontejnerin që po transportonte bananet në magazinën e tij në Maminas, ku mendohet që është edhe destinacioni final i ngarkesës. Deri tani të arrestuar për çështjen janë shoferi i kamionit Armano Pezaku dhe menaxheri i magazinës Donaldo Lushaj, të cilët nuk e kanë pranuar se kanë patur dijeni për drogën. Ata janë lënë nga gjykata në masën “arrest me burg”. Ngarkesa prej 613 kg kokaine kolumbiane u sekuestrua mbrëmjen e 27 shkurtit në magazinat e Maminasit në Durrës. Kjo është sasia e kokainës më e madhja e kapur ndonjëherë në Shqipëri. Droga e ardhur nga Kolumbia, ishte e fshehur në një kontejner me fund të dyfishtë që ishte mbushur me banane, dhe kishte destinacion tregun europian. Droga mbërriti në port më 19 shkurt 2018.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas