Media

Si po zhduket Tirana e romaneve të Kadaresë?

Nga Armand Shkullaku

Në debatin e madh mbi fatin e godinës historike të Teatrit Kombëtar, ka munguar zëri i atyre që njihen si autoritete morale të shoqërisë, të papërfshirë në interesa të ngushta politike dhe lidhje oportuniste me pushtetin e radhës.  Me disa përjashtime të çmuara, pjesa më e madhe e atyre që mëtojnë të jenë elita iluministe e vendit, ka heshtur. Nuk kanë folur akademikë, mbrojtës të trashëgimisë kulturore, profesorë, filozofë apo artistë me renome edhe ndërkombëtare. Mes tyre, një zë që do të kishte vlerë të dëgjohej në mënyrë të veçantë, do të ishte ai i shkrimtarit tonë më të shquar, që jeton në Paris. Ismail Kadare, do duhej të fliste. Pro ose kundër shëmbjes së kësaj godine. Tirana dhe ajo çka ka mbijetuar nga memoria e saj, janë në konstrukt të shumë prej veprave të tij.



Fama dhe mosha janë të mjaftueshme që shkrimtari të ndihet mospërfillës ndaj çdo paragjykimi për të thënë të vërtetën e tij. Tirana, ashtu si Gjirokastra apo Parisi, është gjithashtu qyteti i tij. Për të ka shkruar, në rrugët e tij ka ecur, në kafenetë e tij ka qëndruar për orë të tëra, brenda tij ka përjetuar rritjen, famën, ankthin, dramat, romancat, lindjen e fëmijëve, flirtet, xhelozitë, frikën nga një pushtet që mund ta godiste në çdo kohë. E ndoshta të gjitha këto ndjenja njëherësh mund t’i ketë provuar edhe tek një kafene e vetme, ajo e lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, pikërisht tek godina që sot duan t’i vënë kazmën.

Megjithatë, Ismail Kadare ende nuk ka folur. Qyteti i vizatuar me detaje në shumë vepra të tij, po vdes çdo ditë. Lexuesi i sotëm nuk mund ta gjejë dot më Tiranën kadareane. Një nga një ranë të gjitha “skenat” ku gjallonin personazhet e tij. Nuk është më lulishtja e poshtme pas Skënderbeut, ku dikur bëheshin foto nën bredhat madhështorë. U zhdukën me radhë kinematë, ku adoleshntët prisnin fikjen e dritave për të prekur duart nën ethet e dashurisë së parë. Nuk janë as kinema Republika, as 17 Nëntori, aq pranë ish shtëpisë së shkrimtarit. U përçudnuan rrugët, u fshinë ndërtimet e vogla dhe, kullat e betonit kanë murosur brenda tyre rrëfimet bashkë me personazhet që dikur i jepnin shpirt edhe një qyteti të varfër por që kishte botën e tij.

Nuk janë më sheshet përpara pallateve ku luhej me top, lulishtet e vogla ku putheshin në errësirë të dashuruarit, kopshtet, shkollat, parqet e lodrave, shtëpitë e rinisë, rrugicat e ngushta… të gjitha ato vende ku duhet të gjendeshin rrënjët e së shkuarës sonë.  Edhe stadiumi, ku përjetoje dy orë pasion në një vend të zymtuar, nuk është më. Eshtë një vend i shkretë, pa të shkuar, siç thoshte një shekull më parë Montanelli.

Pas fare pak kohe, këtij qyteti do t’i zhduket përmasa e Tiranës me të cilën na ka mbrujtur Kadareja.

Njerëzit nuk mund të kenë plotshmërinë e një qënie njerëzore në një vend të tillë. Ata rriten pa e ushqyer shpirtin e tyre, bëhen agresivë, materialistë, oportunistë, duan të jetojnë sot për sot, nuk kanë një rrëfim për fëmijët e tyre, janë me rrënjë të shkulura dhe pandërprerë zhvendosen me shpresën për të hedhur rrënjë diku tjetër. Atyre nuk u flasin as shkrimtarët e tyre, ata që të paktën në letër e kanë të ruajtur një pjesë të memories tonë të vrarë.

Mjafton të lexosh “Stambollin”, apo “Muzeun e pafajësisë” të Pamukut (pa përmendur shkrimtarë të tjerë e vende të tjera) dhe të vizitosh atë qytet sot për të kuptuar sa e fortë është lidhja që vendi, godinat, parqet, rrugicat, krijojnë me njerëzit. Se si kjo lidhje i bën ata nostalgjikë, të ndjeshëm, krenarë, njerëzorë.

Në Tiranë vështirë të gjesh imazhe për të rindërtuar librat e Kadaresë. Sot ato janë dëshmi të një qyteti që nuk e njeh më askush. Si mund të  jetë ndjenja e një shkrimtari kur lënda e veprës i vdes në të gjallë të tij?

Godina e Teatrit nuk është një vend i huaj për Ismail Kadarenë. Ajo gjendet shpesh në librat dhe kujtimet e tij. Aty nuk janë luajtur vetëm pjesë teatri, aty është luajtur edhe fati njerëzor i qindra njerëzve. Mbi të do të ngrihet një “teatër modern”. I cili mund të mahnisë ata që lidhje kanë vetëm me materien të shprehur në formën e saj më të lartë, paranë. Ose ata që brohorasin për çdo vendim të partisë në këmbim të një projekti, pensioni, donacioni apo thjesht vetëm për t’i rënë në sy udhëheqësve të rinj. Por a është aq madhështor ky projekt sa mund të lërë pa prekur ndjeshmërinë e shkrimtarit?

Dikush mund të mendojë se ai është lodhur me banalitetet e kësaj ane. Ismail Kadare në fakt, nuk ka qenë rasti i shkrimtarit të izoluar nga bota dhe vendi i tij. Ai ka folur në momente delikate për fatin e shqiptarëve në tri dekadat e fundit. Nuk ka ngurruar ta lëshojë fjalën edhe për tema të nxehta politike si zgjedhjet e vitit ’96 apo përplasjen Rama- Basha në 2011. Dhe parreshtur ka gjetur vullnetin të replikojë me çdokënd që ka hedhur dyshime për rolin e tij gjatë diktaturës komuniste. Fati i godinës së teatrit prek historinë e tij dhe historinë tonë të përbashkët, pra përbën një çështje ku mbi të gjitha do të vlente fjala e shkrimtarit.

Eshtë debatuar shumë për rolin e tij si shkrimtar gjatë komunizmit. Askush nuk ka të drejtë sot t’i thotë atij se përse nuk bëri heroin dhe të dilte hapur kundër regjimit. Ai zgjodhi të shkruante. Dhe mirë bëri, një Kadare i gjallë ishte një shpresë më shumë në një vend të shkretuar. Por nëse heshtja e tij ishte e kuptueshme përballë marrëzisë së diktaturës, a duhet të flasë tani përballë marrëzisë së kllounëve? Nëse atëherë rrezikonte gjithçka për të shpëtuar asgjë, po sot që nuk riskon kurrgjë për të shpëtuar shumëçka? / Lapsi.al

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas