Editorial

Si mund të hapen negociatat për një shtet pa pushtet gjyqësor?!

Nga Ervis Iljazaj

Vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë është shtyrë për në Qershor 2019. Ky është verdikti i fundit i Institucioneve të Bashkimit Europian. Është e qartë se këtë vendim palët politike do ta interpretojnë sipas këndvështrimit të tyre. Do të dëgjojmë deklarata të tipit se qeveria ngeli në klasë, apo të tjera nga mazhoranca se, Bashkimi Europian tregoi mbështetjen për Shqipërinë për reformat që ka kryer deri më tani.



Megjithatë kjo është beteja politike e pritshme politike. Fakti është se, Shqipëria në këtë moment që po flasim nuk e meriton hapjen e negociatave. Këtë gjë nuk mund ta mohojë askush, në të kundërt Bashkimi Europian do të jepte dritën jeshile që tani, dhe nuk do ishte nevoja të shtyhej ky vendim pozitiv.

Por, mund të ngushëllohemi me faktin se ky vendim ishte i njëjtë edhe për Maqedoninë  e Veriut. Gjë e cila tregon që vendimi i BE, është një vendim politik më tepër se sa teknik. Nuk duhet të harrojmë situatën në të cilën gjendet politika europiane në këtë moment. Kriza e refugjatëve dhe kontrolli i kufijve është një nga temat më të nxehta sot në vendet e Bashkimit Europian. Aq e rëndësishme është kjo temë, sa që po vë në rrezik pozitën e qeverive atje, duke filluar që nga ajo e Gjermanisë. Në këtë kuptim, vendimi për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian, nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë, pasi ka kosto elektorale për shumë nga liderët politikë europianë.

Por, përtej kontekstit të jashtëm, që nuk favorizon hapjen e negociatave, arsyeja kryesore për një vendim të tillë, është me siguri konteksti i brendshëm shqiptar.

Të pretendosh të hapen negociatat për një vend si Shqipëria që praktikisht është pa pushtet gjyqësor, është në kufijtë e çmendurisë.

Sepse, sot që flasim, një nga tre shtyllat e shtetit, pushteti gjyqësor mungon. Ende nuk është kryer vettingu për të gjithë trupën gjyqësore, shumë nga gjykatat, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese, janë të bllokuara për shkak të procesit të Reformës në Drejtësi, organet e reja që parashikohen nga kjo Reformë ende nuk janë ngritur.

Në këtë kuptim, është absurde të mendosh se Bashkimi Europian mund të hapë negociatat me një vend që është duke krijuar një pushtet gjyqësor të ri, dhe ky proces nuk ka përfunduar ende. Pra, në një vend ku pushteti gjyqësor mungon. Kështu që, vendimi për të shtyrë hapjen e negociatave për Qershorin e vitit tjetër, nuk është asgjë përveçse një pritje deri sa kjo Reformë të shkojë deri në fund, në të kundërt nuk ka asnjë mundësi.

Jo më kot në vendim theksohet zbatimi i Reformës në Drejtësi, është një nga kushtet kryesore të hapjes së negociatave, bashkë me luftën kundër korrupsionit që pa të parin nuk mund të zhvillohet.

Një nga arsyet se përse Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave ishte pikërisht fillimi i Reformës në Drejtësi. Mirëpo që nga ai moment dhe deri sot nuk u bë asnjë hap përpara. Procesi i Reformës në Drejtësi po ecën me ritme të ngadalta, dhe në shumë raste ka penguar funksionimin e shume prej hallkave të tij. Kështu që, duke parë këtë situatë, BE nuk mund të jepte një vendim pozitiv për momentin.

Po të shtosh këtu dhe sjelljen e qeverisë, që në shumë raste nuk ka treguar vullnet për luftën e korrupsionit, por, përkundrazi me skandalet që kanë parë si protagonistë disa nga ministrat e saj, i ka marrë në mbrojtje, atëherë panorama negative bëhet e plotë.

PasPara

5 komente

  1. Argumentimi eshte mjaft i sakte ; por ” ngushellimi ” me Maqedonine nuk ka lidhje fare me vendin tone …???!!!

  2. Po te pakten Iljazaj e parashikoi se nuk do te hapeshin negociatat. Se gjithe te tjeret e benin pune te mbaruar. Po ja qe doli qe nuk ishte aq e mbaruar.

  3. Pasi ke bërë pohimin realist se nuk mund të zhvillohen negociata të pranimit në BE, me nje shtet ku pothuajse janë shkrirë fare institucionet drejtuese të drejtësisë e segmente të kësaj drejtësie të kapur apo të mvarur krejtësisht nga qeveria, përpiqen të mbulojnë bëmat e disa ministrave për lidhjen me trafikun e drogës, është e kotë të flasësh më tutje për “akuza politike” midis opozitës e mazhorancës..

  4. iljazaj esht shpirterisht i shkaterruar se ky ka qen i vetmi pos muq nanos,luu,vllahutin,mero bazes,vasjarit,sokol palles vangjelit ,mingjozit qe ka perkrahur arta markun ,me falni harrova lu e vllahutin.me kokain e kanabis nuk ka be e as drejtesi.drejtesi me ramen,lu e vllahutin nuk ka.me falni harrova ngjelen ngjal te rames,po tash ku e ka luuu.

  5. Jo vetëm pa gjyqësor, por edhe pa seriozitet e përgjegjshmëri. Mungon siguria dhe ndershmëria. Mun gon ideali. Një vend si yni , ku krimi i organizuar bën kerdinë, Kjo klikë e pangopur po e çon kombin drejt shpërbërjes. Qeveritarë të pashpirt dhe aventurierë. Ka mijëra arsye që ne nuk meritomë të bëhemi pjesë e Evropës, pavarësisht se gjeografikisht jemi brënda aksidentalisht.

Leave a Reply to ari Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas