Kryesore

“Si mund ta zgjidhë PD çështjen e sondazheve që i mëshojnë dualitetit të pazgjidhur Basha-Berisha”

Analisti Preç Zogaj, në një koment të publikuar nga Panorama, merr në analizë një sondazh të publikuar nga Eduard Zaloshnja, ku thuhet se popullariteti i kreut të PD, Lulzim Basha është i ulët, qoftë në krahasim me kryeministrin Edi Rama, qoftë edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Zogaj shkruan se ngjitja dhe dalja e PD-së në krye varët nga disa faktorë, por ai thekson se Partia Demokratike duhet të bëjë dy gjëra.



“E para, të ndajë njëherë e mirë qëndrimet e saj ndaj sondazheve të porositura nga kundërshtari politik për të krijuar diversion dhe tollovi (apo për ta rënduar edhe më shumë problemin e pazgjidhur të dualizmit, faktit të lidershipit – Basha apo Berisha – që i ka kushtuar e do të vazhdojë t’i kushtojë elektoralisht Partisë Demokratike derisa të zgjidhet) me qëndrimet ndaj disa qendrave dhe kompanive brenda dhe jashtë vendit, që i kanë gjetur pak a shumë rezultatet e zgjedhjeve dhe janë kredituar për këtë shkak relativisht të besueshme, ose të besueshme.

Kjo ndarje nuk është e vështirë të bëhet. Zakonisht, sondazhet me karakter diversionist nuk kanë autorësi, lëshohen me parimin hidh gurin e fshih dorë. Ose kanë autorësi pa histori, pa metodologji profesionale. Kurse kompanitë serioze janë tjetër. Edhe kur gabojnë e marrin përsipër gabimin. Që nga viti 2013, për shembull, Instituti “IPR marketing” në Itali me të mirënjohurin doktor Notto, që kontrakton televizioni “Ora News”, i gjen me një marzh të pranueshëm gabimi rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri,” shkruan Zogaj.

“Ndërkaq, gjëja urgjente që duhet të bëjë tani dhe në vazhdimësi është të ketë sondazhet e veta reale. Që mund të bëhen ose nga njerëz të besuar e me integritet që shkojnë atje ku është votuesi dhe nuk kanë as drojë, as interes të fshehin të vërtetën, ose t’u porositen, kundrejt rregullave të tregut, kompanive apo individëve të sprovuar për seriozitetin e tyre. Me sondazhet reale në dorë mund të ndërtohen qëndrimet më të mira, mund të korrigjohen gabime, mund të nxirren blof diversionet e kundërshtarit. Nuk mund të vazhdohet me një refren, që dëgjohet rëndom për çdo sondazh që nuk pëlqehet, sikur e porosit apo i blen kundërshtari.

Koha ka treguar e tregon se jo të gjithë i porosit dhe i blen kundërshtari. E vërteta në këtë fushë është objektive në ndryshueshmërinë e saj nga një ditë në tjetrën, nga një legjislaturë në tjetrën. Sondazhet vetëm e fotografojnë atë në momentin e dhënë. Këtu, pra, është fjala për një gjë më të madhe, që ka të bëjë me njohjen, ashtu siç janë, e zhvillimeve në fushën e lojës politike dhe me ndërtimin e qëndrimeve në vartësi të perceptimeve dhe mbështetjes që jep publiku. Është një milion herë më keq të ngushëllohemi në padituri (të gënjejmë veten, thotë populli) se sa t’i qëndrojmë të vërtetës përballë, edhe kur nuk na pëlqen. Kështu mund ta ndryshojmë atë me punë. Kjo, sipas meje, është po aq e rëndësishme sa edhe futja në lojën politike e arsyes (ratio), për të cilën kemi shkruar e duhet të vazhdojmë të shkruajmë sa të mundemi”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas