Sociale

Si guxojnë këta njerëz….?

Replikë me gazetarin z. Alfons Al Zeneli.

Shkrimi juaj “investigativ” z. Zeneli me titull: “KLERIK PEDOFIL NE FIER’ hedhur në statusin e profilit tuaj në facebook në datën 20 maj 2018 që u përhap me shpejtësi virale në disa portale online mediatike, duke tërhequr pas edhe disa nga më kryesoret, fillon me një denoncim për pedofili, pastaj me të shpejtë vazhdon kundër Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH), që sipas jush lejon pedofilët në Kishë dhe nga ana tjetër fshin nga mendja e shqiptarëve patriotët, At Fan Noli, At Visarion Xhuvani, At Melan Stathi, Papa Kristo Negovani dhe kalon tek Kisha greke si armike e asaj shqiptare dhe përfundon me kushtrimin për braktisje dhe boshatisje të kishave nga shqiptarët?! Kjo i ngjan një përroi të rrëmbyeshëm që merr përpara  ç’të gjejë, por mbi të gjitha është i pavërtetë plot shpifje dhe mllef nacionalisti antikrishterë.



E para, këtë mllef antikrishterë e tregon fakti se ju nuk keni asnjë lidhje me besimin e krishterë orthodhoks. Duket se thirrja si tellall për boshatisje të kishave nga shqiptarët i bënë një shërbim ose është porositur nga grupe ekstremiste antikrishtere në rajon, që kërkojnë destabilitet edhe prishjen e harmonisë fetare në vend. Për këto thirrje ju si gazetar duhet të mbani përgjegjësi,  jo vetëm morale, por edhe ligjore përpara organeve kompetente, që duhet të jenë të vëmendshme ndaj thirrjeve të tilla përçarëse dhe destruktive.

E dyta, akuzat shpifëse fyese kundër Kryepiskopit të KOASH-it, Fortlumturisë së tij Anastasit, tashmë me shtetësi  shqiptare, si dhe ndaj Mitropolitit të Fierit, Hirësisë së tij, Imzot Nikollës, një klerik i lartë shqiptar, kanë fyer thellë të gjithë orthodhoksët në Shqipëri dhe përtej. Ju z. Zeneli si dhe çdo kush që ju frymëzon, financon ose ju përdor, duhet të dini se, Kisha Orthodhokse nuk është shoqatë apo parti politike, por trupi i Krishti dhe besimtarët e saj në çdo cep të vendit janë gjymtyrë të këtij trupi dhe kur goditet një pjesë e tij, i  tërë trupi reagon. Besimtarët orthodhoksë  në Shqipëri janë gati 22% e popullsisë dhe Kryepiskopi, Episkopët dhe klerikët e Kishës, janë etër shpirtëror që kujdesen për gjithë besimtarët, bijtë dhe bijat e tyre, kështu që kur dikush i fyen atin ata patjetër do reagojnë me indinjatë ndaj shpifësve.

E treta, lajmi për pedofili që ju si gazetar e nisni reagimin tuaj, duket se është përdorur vetëm si pretekst, sepse siç e përmendëm edhe më sipër ju kaloni me të shpejtë në të tjera akuza, për të vjellë vrer kundër gjithë Kishës Orthodhokse,  me parimin: “kush godet bariun, shpërndan delet”.

Akuza për pedofili edhe pse është një shpirfje e pastër, keqdashëse dhe diletante, është një trillim i atyre që ecin me parimin: “shpif, shpif se në fund diçka do të mbetet”, duhen thjeshtë përbuzur me  mospërfillje, por për shkak të mediatizimit të kësaj shpifjeje dhe peshës së akuzës, jemi të detyruar t’i përgjigjemi personalisht.

Në qoftë se ju zoti Zeneli në shkrimin tuaj shpreheni kaq shumë i shqetësuar dhe me të drejtë ju vjen keq për një prind dhe djalin e tij, gjoja të abuzuar seksualisht, a e bëtë verifikimin minimal që e kërkon profesioni dhe statusi juaj si “gazetar” dhe “analist” të fakteve dhe personave të lidhur me këtë ngjarje?! A keni kontaktuar personalisht me këta të lënduar?! A keni kontaktuar me autoritetet zyrtare të Kishës dhe të Mitropolisë së Fierit në këtë rast?! Të paktën, për rastin e fundit jemi të qartë që nuk e keni marrë mundimin të bëni qoftë edhe një telefonatë për t’u interesuar mbi këtë akuzë dhe personat që përfshihen në të, të cilët ju me mendjelehtësinë dhe papërgjegjshmërinë tuaj, i keni shqetësuar dhe lënduar?!

Si ka mundësi, që duke kopjuar një status nga portali i facebook-ut të një personi; i cili për arsye të tijat personale, ka ngritur këto akuza dhe hipoteza mbi fakte të deformuara, thjesht për të sulmuar Kishën Orthodhokse dhe klerikët e saj, siç ka bërë edhe në shumë raste të tjera në vitet e kaluara, për të cilat KOASH i ka dhënë përgjigjet e merituara; ju bëheni bashkëpunëtor në një baltosje, duke menduar se kjo do të mjaftonte për të bërë zhurmën e duhur?! Por ju me këtë veprim vetëm sa keni implikuar emrin dhe profesionin tuaj të gazetarit dhe duhet të mbani përgjegjësi morale dhe penale ndaj dëmit që i keni shkaktuar në radhë të parë personave që i keni akuzuar në mënyrë të padrejtë si dhe të gjithë klerit dhe besimtarëve orthodhoksë, të cilët ju nuk nguroni t’i përqeshni dhe ironizoni.

Në të njëjtin portal keqdashës me emrin “Shqiptar Ortodoks – Albanian Orthodox”, që nuk ka asnjë lidhje me KOASH-in, nga ku jeni frymëzuar edhe ju, përmendet edhe emri im si përgjegjës i Zyrës së Katekizmit që kam bërë një “denoncim” për ish-katekistin z Nikolla Davidi, bëhet fjalë për verën e vitit 2003, pra 15 vite më parë. Është rasti të sqaroj se: po, ka pasur një rast të ankimit të prindërve të një fëmije ndaj katekistit në fjalë, për një veprim të nxituar të karakterit disiplinor në gjaknxehtësi e sipër ndaj fëmijës së tyre, kjo në prani të shumë personave, si pasojë e punës rutinë në mbarëvajtjen e rregullit në kamp. Ndaj katekistit atëherë u morë masë administrative, pezullim nga puna për një periudhë kohe, pasi veprimi i tij binte ndesh me etikën e punës së katekistit në mardhënie me fëmijët. Por ky rast, edhe pse shumë vite më parë, nuk ka aspak lidhje me akuzën e pedofilisë, siç shpif portali dhe as nuk është denoncuar ose pretenduar nga dikush gjatë kësaj kohe. Fatkeqësisht, as administratori i portalit, ish-prifti tashmë i zhveshur z. Foti Cici dhe as ju si gazetar nuk e morët mundimin të më pyesnit përpara se të bënit publike akuza të tilla të rënda ndaj një personi dhe kleriku të nderuar shqiptar.

Këtë fakt e vërteton edhe ish-pëgjegjësi i grupit të katekizmit të Mitropolisë së Beratit z. Thedhor Xhile, si edhe katekistët e tjerë.

Sqarim: për z Zeneli dhe të tjerë lexues; kanunet kishtare nuk ndalojnë një laik që ka bërë një gabim të tillë në të shkuarën, i cili e ka kuptuar gabimin dhe nuk ka treguar shfaqje të tilla, por përkundrazi, përherë ka qenë i sjellshëm dhe i devotshëm ndaj Kishës dhe besimtarëve, që të mos bëhet klerik. Janë të tjera arsye dhe mëkate ato që pengojnë një person për t’u dorëzuar në klerik.

Mitropolia e Apollonisë dhe Fierit, sqaroi publikisht në lidhje me dorëzimin në dhjakon të Nikolla Davidit: “Dorёzimi i tij nё klerik ёshtё bёrё sipas gjithё rregullave dhe kanoneve tё Kishёs Orthodhokse. Sё pari, kemi dёshminё e Atit tё tij shpirtёror, i cili nuk ka gjetur asnjё pengesё pёr dorёzimin e tij si klerik. Sё dyti, nё Mitropolinё tonё nuk ka ardhur asnjё ankesё, qoftё nga kleri qoftë nga besimtarёt, qё tё ngrejё akuza ndaj kёtij Kleriku apo tё kundёrshtojё dorёzimin e tij nё shёrbesёn e priftёrisё.”.

Kjo është e vërteta për ata që kanë veshë për të dëgjuar edhe sy për të parë, kurse për ata si ju që shpifin ju kujtojmë fjalët e Shkrimit të Shenjtë: “Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm, sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.” (Romakwve 2:1).

 

Miron Çako: përgjegjës i Zyrës së Katekizmit dhe Theodhor Xhile.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas