Kryesore

Si e shkatërroi socializmi vendin më të pasur në Amerikën e Jugut

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro thotë se i shpëtoi një përpjekje për atentat përmes dronëve me eksplozivë ndërsa fajësoi Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbinë për sulmin.

Në një fjalim televiziv, mbrëmjen e së shtunës, Maduro tha se të gjitha gjurmët të çojnë drejt një komploti nga e djathta që e kishte origjinën në Kolumbinë fqinje. Ai tha se Zoti, njerëzit dhe forcat e armatosura i shpëtuan jetën.



“Ai dron po vinte për mua, por ishte një mburojë e dashurisë. Jam i sigurtë që do të kem një jetë të gjatë”, u shpreh Maduro.

Ai shtoi se nuk kishte dyshime që emri Juan Manuel Santon (President i Kolumbisë) fshihej pas sulmit. Agjencia franceze e lajmeve “AFP” citon një burim nga qeveria e Kolumbisë të ketë thënë se akuzat ndaj presidentit janë të pabaza.

Maduro tha se hetimet paraprake lënë të kuptosh se burime të ndryshme financiare që kanë lidhje me sulmin e kanë burimin në Florida të Shteteve të Bashkuara. “Shpresoj që Presidenti Donald Trump është i gatshëm të luftojë këto grupe terroriste”, u shpreh ai.

Udhëheqësi i Venezuelës tha se ishin kapur disa të dyshuar pa dhënë detaje të mëtejshme. Ndërsa ai fliste për ekonominë e vendit gjatë një ceremonie, pamjet televizive tregojnë Maduro dhe të tjerët që dukeshin të tronditur ndërsa dëgjohen disa shpërthime.

Pamjet tregojnë kur ushtarët dalin nga rreshti dhe vrapojnë për të gjetur strehë. Venezuela ka vite që vazhdon të jetë e zhytur në trazira. Dikur një prej vendeve më të pasura të Amerikës Latine, vite të tëra keq-qeverisje dhe politika të dështura sociale, e kanë shkatërruan qëndrueshmërinë e atij vendi, duke shkaktuar përplasje sociale dhe inflacion të pashembullt.

Maduro u zgjodh president në muajin maj për një mandat të ri presidencial 6-vjeçar, i cilësuar gjerësisht nga opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtar si i paligjshëm dhe të kapluar nga parregullsitë.

Por si është e mundur që u katandis në këtë pikë vendi më i pasur në Amerikën Latine?

Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të naftës krudo, çka është një burim shumë i madh të ardhurash.

Por pabarazia po vinte duke u rritur dhe një elitë e vogël kontrollonte gjithçka, ndërkohë që masat e varfëra nisën të zemërohen.

Vendi iu kthye socializmit në vitin 1999 dhe zgjodhi Hugo Chavez si president.

Kampion i populizmit, ai shkëputi lidhjet me SHBA dhe u lidh me Kinën e Rusinë, prej të cilave mori miliarda dollarë borxh.

Ai e drejtoi vendin deri në vitin 2013, kur edhe vdiq.

Sërish sot shihet si hero i të varfërve.

Por qeveria e tij shpenzoi pa asnjë kriter për programe të ndihmës sociale dhe fiksoi çmimet për gjithçka.

Pronat e fermerëve u cilësuan prona shteti dhe vendi u bë i varur plotësisht nga nafta që shiste jashtë.

Përpara se të vdiste, Chavez zgjodhi Maduro-n për ta zëvendësuar.

Edhe ai vazhdoi praktikat e mëparshme, duke mos publikuar asnjë statistikë të besueshme.

Ndërkohë i vetmi mall i Venezuelës nisi të humbasë vlerën.

Ulja e ndjeshme e çmimit të naftës e zhyti vendin në krizë.

Qeveria e kishte të vështirë të kontrollonte çmimet.

Shteti vazhdonte të subvenciononte ushqimin për të varfërit dhe Maduro nisi të printojë para, duke e zhvlerësuar monedhën vendase në mënyrë të ndjeshme.

Armiqësia me kompanitë ndërkombëtare bëri që emra të mëdhenj si Pepsi, General Motors apo United të largohen nga vendi.

Shembulli i katandisjes së Venezuelës përdoret shpesh në Britani për të ilustruar atë që do ndodhë në vend nëse një i majtë si Jeremy Corbyn merr pushtetin.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas