Kronika, Kryesore

‘Shullazi’: Prokurorët marrin zemër nga amerikanët

Ambasada e SHBA në Tiranë reagon për dosjen “Shullazi” duke dalë në mbështetje të prokurorëve që do të përfaqësojnë akuzën. Ambasada: “Mbështesim prokurorët e guximshëm që kërkojnë drejtësi, edhe kur ka rreziqe”. Avokatët e të pandehurve i shkruajnë Prelës dhe Markut: Çështja të trajtohet mbi bazën e provave dhe jo opinioneve.

Ambasada amerikane del në mbrojtje dhe vlerëson prokurorët e Krimeve të Rënda që ditën e sotme do të përfaqësojnë akuzën kundër Emiliano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të grupit të tij.



Ambasada amerikane, në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës për situatën e krijuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen Shullazi, tha dje se “populli shqiptar meriton një sistem drejtësie ku policia dhe prokurorët qëndrojnë së bashku kundër kriminelëve”. Një ditë përpara seancës për dhënien e pretencës në procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ambasada shton: “mbështesim prokurorët e guximshëm që kërkojnë drejtësi, edhe kur ka rreziqe”.

Jo rastësisht përmendet fjala “me rrezik” duke iu referuar çështjes Shullazi nga përfaqësues të Ambasadës së SHBA në vendin tonë, pasi është konsideruar një nga dosjet më të bujshme që gjatë ditës së sotme pritet të dalin konkluzionet e prokurorisë që do mbajnë pretencën për të pesë të pandehurit. Kjo dosje shkaktoi një kaos të madh në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku dhjetë prokurorë nuk pranuan të ishin pjesë e shortit që do hidhej për të caktuar prokurorët e ri të çështjes. Ata argumentuan se ky short ishte në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tyre çështja duhej të ndiqej nga dy prokurorët që e kishin dosjen që në fillim Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi.

Që të dy shprehën “pamundësinë” e ndjekjes së dosjes Shullazi pasi Imeraj u komandua si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Nakuçi kërkoi 6 muaj raport mjekësor, për arsye shëndetësore dhe është larguar jashtë vendit. Pikërisht refuzimi nga trupa prej dhjetë prokurorësh të Krimeve të Rënda për të ndjekur dosjen Shullazi çoi në kaos, përplasje e madje edhe konfrontim fizik, ku u desh ndërhyrja e policisë për të shuar sherrin e madh mes prokurorëve të “rebeluar” me drejtuesen Donika Prela.

Për këtë situatë tregoi “dorën e hekurt” kryeprokurorja Arta Marku që urdhëroi hetim disiplinor për të dhjetë prokurorët e Krimeve të Rënda, ndërsa tre prej tyre i transferoi në Pogradec, Berat dhe Pukë. Mësohet se dosja ndaj Emiliano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të grupit të drejtuar prej tij, të akuzuar për gjobëvënie, shantazh dhe shkatërrim prove me eksploziv në kuadër të grupit të strukturuar kriminal do të përfaqësohet nga kryeprokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela dhe prokurori Gentian Osmani.

Jo rastësisht ambasada e SHBA-së në Tiranë pati reagim edhe për këtë çështje konkrete, pasi në disa dalje publike ish-ambasadori Donald Lu e përmendi disa herë me emër Emiliano Shllazin. “Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit”-deklaroi Lu pak muaj më parë.

Ndërkohë dje tre avokatët e të pandehurve Emiliano Shullazi, Gilmando Dani dhe Endri Qyqja i nisën një letër të hapur kryeprokurores së Krimeve të Rënda Donika Prela dhe Prokurores së Përgjithshme Arta Marku. Ata pretendojnë se për shkak të çështjes së ndjeshme dhe të trysnisë së krijuar prokurorët duhet të nisen mbi bazën e provave dhe jo të opinioneve.

“Kjo situatë na detyron që të tërheqim vëmendjen tuaj në këtë moment delikat, jo për të kërkuar që të ndikoni në vendimmarrjen e prokurorëve të çështjes, pasi ata janë të pavarur sipas ligjit, por, për të garantuar se në vendimmarrje ata do të jenë të pandikuar si nga opinioni i krijuar tashmë rreth personave të pandehur, ashtu dhe nga ndikime të tjera të ish-drejtuesve të prokurorisë, të cilët sikundër ka rezultuar edhe në gjykimin e çështjes, kanë patur një rol negativ e nxitës të paligjshmërisë”-thuhet në reagim.

Avokatët pretendojnë se institucioni i akuzës nuk ka prova të qenësishme për të pandehurit. Pavarësisht pretendimit të avokatët, prokuroria ka depozituar disa dëshmi dhe prova të tjera që u konsideruan nga prokuroria si materiale të mjaftueshme që implikojnë Emiliano Shullazin dhe katër pjesëtarët e tjerë me veprimtari të theksuar kriminale. Gjithçka do të qartësohet gjatë ditës së sotme ku pritet të jepet pretenca e prokurorisë, më pas do jetë pala mbrojtëse dhe në fund gjykata do japë verdiktin ndaj pesë të pandehurve.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas