Aktualitet

Shtohet misteri i vdekjeve në Librazhd, futen në analizë kampionet

Shtohet misteri i dy vdekjeve të ndodhura nga temperatura e lartë dhe shenjat e helimit në Spitalin e Librazhdit. Tashmë, pas vdekjes së dy pacienteve, Aida Dosku 12 vjeç dhe dhe Blerina Balla, 21 vjeçe, qyteti është vënë në alarm, ndërkohë që në spital janë paraqitur edhe dy raste të reja, po nga fshati Librazhd Qendër. Vetëm dy ditë pas vdekjes së 21-vjeçares Blerina Balla nga Librazhdi, dy persona të tjerë, vëlla e motër, kanë mbërritur mbrëmjen e së martës në urgjencën e Spitalit rajonal të Librazhdit. Sipas informacioneve, të dy personat e shtruar janë nga fshati i 21-vjeçares, Librazhd Qendër dhe kanë po të njëjtat simptoma viroze me ato të Blerina Ballës, si temperaturë të lartë, të vjella dhe dhembje fyti. Flutura dhe Fatos Allkja, përkatësisht 19 dhe 28 vjeç janë shtruar në pavijonin e infektivit të Spitalit të Librazhdit, ndërsa kampionet e tyre u janë dorëzuar ekspertëve të ISHP-së të mbërritur në Librazhd për të ekzaminuar shkaqet e vdekjes së 21-vjeçares Blerina Balla, por edhe rastet e tjera të paraqitura. Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino thotë se përjashtohet kategorikisht mundësia e gripit, duke hedhur dyshime për një infeksion bakterial, megjithëse deklaron se simptomat e dy viktimave, 12 dhe 21-vjeçares kanë qenë të ndryshme. Blerina Balla, 21 vjeçe, nga fshati Librazhd Qendër, vdiq në Spitalin e Elbasanit pas kalimit në një gjendje me temperaturë të lartë dhe komplikacione. Sipas të afërmve, vajza ka kaluar një situatë gripi të shoqëruar me temperaturë, por ka neglizhuar dhe ka arritur në spital vetëm kur ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Fillimisht ajo është dërguar në Spitalin e Librazhdit, por mjekët atje nuk kanë marrë asgjë përsipër dhe pacientja është dërguar për në Elbasan. Sipas mjekëve të Elbasanit, nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi të 21-vjeçares, pasi ajo ka arritur në spital në gjendje kome, pa ndjenja e pa asnjë lloj reagimi. Në kartelën mjekësore rezulton se mjekët e kanë klasifikuar paraprakisht rastin si vdekje natyrale, ku nuk përjashtohet edhe intoksikacioni alimentar. Por megjithatë, pritet akt-ekspertimi nga Tirana, për të përcaktuar shkaqet reale të vdekjes së Blerina Ballës. Burime jo zyrtare kanë bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe 3 raste të tjera vdekjesh të kësaj natyre në Librazhd, ku mes tyre përmendet edhe një fëmijë i moshës 12-vjeçare. Rastet po investigohen nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Librazhd dhe strukturat e shëndetësisë në Tiranë. Dje në Librazhd ka qenë një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ka analizuar rastet dhe ka marrë kampione për të gjetur shkaqet e vdekjes së 21-vjeçares.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas