Kryesore

Shtohen thirrjet për protesta në Kosovë kundër “korrigjimit të kufijve”

Shoqëria civile dhe deputetë të opozitës po bëjnë thirrje për protesta masive në Kosovë kundër ndryshimeve të mundshme të kufijve, para takimit të 7 shtatorit në Bruksel midis presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Nga Die Morina, BIRN

Grupi i shoqërisë civile të Kosovës “Protestoj” ka bërë thirrje për një protestë më 5 shtator kundër presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.

Rron Gjinovci, një nga organizatorët, tha për BIRN se kërkesat e grupit do të sqaroheshin të hënën. “Ne nuk kemi vendosur ende për kërkesat, por jemi në kundërshtim të ashpër me presidentin, kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit,” tha Gjinovci.



Njoftimi vjen pasi partia opozitare Vetëvendosja tha gjithashtu se do të zhvillojë një protestë javën e ardhshme, edhe pse nuk ka lajmëruar ende datën e saktë.

Kryetari i saj, Albin Kurti, tha të enjten se Serbia mbështetej te presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të kapërcyer pengesa të ndryshme në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Në faqen e tij në Facebook, Kurti tha se ishte koha për të kundërshtuar presidentin brenda dhe jashtë parlamentit. Ishte koha për “t’ia hequr dyshemenë në Kuvendin e Kosovës dhe në sheshin e Republikës”, shkroi Kurti. Ai e quajti Thaçin një “gjysmë president të Kosovës – ndërsa gjysma tjetër është president për Serbinë”.

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Bruksel në shtator për një raund tjetër negociatash mes bisedimeve për një marrëveshje mbi ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Një deputete për Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, Vjosa Osmani, tha se protestat duhet të zhvillohen atë ditë.

“Një rezolutë e Kuvendit të Kosovës do të jetë e rëndësishme, por, me sa duket, nuk mjafton për të ndaluar aventurat e rrezikshme të Thaçit, duke dëmtuar sovranitetin e vendit,” shkroi Osmani në Facebook. Megjithatë, partia e saj nuk e ka mbështetur kërkesën për protesta më 7 shtator.

Një deputet tjetër, deputet i Alternativës, Ilir Deda, ka bërë thirrje për protesta masive më ose pas 4 shtatorit, kur Deda tha se parlamenti duhet “t’i vendosë një kufi Thaçit”.

Nisur nga LDK-ja dhe me mbështetjen e Vetëvendosjes dhe Partisë Social Demokrate, PSD, deputetët kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për 4 shtator, kur pritet një rezolutë.

Sipas opozitës, kjo do të mbështeste integritetin territorial të Kosovës mes sugjerimeve polemike për një shkëmbim toke si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare me Beogradin.

Presidenca e Kuvendit të Kosovës ende duhet të vendosë për seancën e jashtëzakonshme, në pritje të një takimi të anëtarëve të saj të hënën.

Ndërsa thirrjet për protesta shtohen, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, kryetari i parlamentit Veseli, akuzoi opozitën se po përpiqet ta ndezë situatën duke e bërë “ndarjen” temën e një debati të posaçëm.

Megjithatë, ai tha se PDK-ja do të ishte pjesë e çdo debati të tillë në parlament, për të cilin do të sillte argumentet e saj.

“Thirrja e kësaj seance po shkakton dëmin më të madh për Kosovën. PDK-ja mendon se ngritja e kësaj teme do të dëmtojë procesin e dialogut të Kosovës, duke krijuar argumente në favor të eksponentëve që duan ndarjen e Kosovës,”tha Veseli të premten.

Pavarësisht kundërshtimit, edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, Thaçi ka këmbëngulur gjithashtu se një propozim që shqiptarët etnikë që jetojnë në Serbinë jugore të bashkohen me Kosovën do të jetë një nga temat e ngritura në takimin e tij të ndërmjetësuar nga BE-ja me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç më 7 shtator.

“I pëlqen apo jo të tjerëve, do të paraqes zyrtarisht kërkesën që shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (komuna kryesisht me shumicë shqiptare në Serbi) t’i bashkohen Kosovës,” tha Thaçi për mediat.

Më 24 gusht, kryetari i qytetit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, shkroi në Facebook se qytetarët që ai përfaqëson do të reagojnë ashpër nëse korrigjimi i kufijve bëhet pjesë e dialogut zyrtar me Serbinë.

“Nëse çështja e ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimeve të territorit hapet në Bruksel, qytetarët e Mitrovicës nuk do të rrinë duarkryq duke parë si spektatorë sesi ndahet toka, por do të reagojnë duke marrë rrugën drejt Prishtinës,” shkroi Bahtiri në Facebook.

BIRN pyeti Policinë e Kosovës nëse nivelet e sigurisë janë rritur pas paralajmërimeve për protesta, por s’mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit të lajmit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas